• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 6th, 2026
  • HOME
SKËNDER MINXHOZI/ A mund të ketë një 1 prill të dytë mes Edi Ramës dhe Ilir Metës?!
Home
Blog

SKËNDER MINXHOZI/ A mund të ketë një 1 prill të dytë mes Edi Ramës dhe Ilir Metës?!

March 16th, 2018 Redaktor2 Blog 0 comments

Pranverë 2013. Mandati PD-LSI po i drejtohej fundit. Berisha dhe Meta, kurrë konfliktualë me njëri-tjetrin (as pas ndarjes), e kishin të qartë se rrugëtimi i tyre katërvjeçar kishte ardhur në një pikë fundore. Ishte një martesë e konsumuar në heshtje, pa sherre dhe tensione.

LSI dhe Ilir Meta po shihnin për kontratën e re të bashkëqeverisjes dhe për një përkim mëse të imagjinueshëm rrethanash dhe interesash, kjo martesë e re politike kishte vetëm një emër: PS dhe Edi Rama. Stina e vogël e negociatave nuk kishte nevojë të shtyhej gjatë: Meta e dinte se nuk rrinte dot më me Berishën, kurse Rama e kishte të qartë se numerikisht e kishte thuajse të pamundur të thyente në zgjedhje dyshen PD-LSI. Një llogari e vlefshme për atë kohë, por që katër vjet më vonë u provua jo e vërtetë.

Ceremonia e famshme e Shkodrës, që kurorëzoi aleancën e re elektorale të vitit 2013, ka mbetur e fiksuar në një numër të madh fotosh e kujtimesh. Gjuhët malinje thanë asokohe se u deshën sërish emisarë nga Serbia për të bashkuar të majtën shqiptare (duke aluduar për praninë e ish-presidentit Tadiç). Përtej kësaj batute, Rama dhe Meta hynë të ndrojtur dhe pa shumë entusiazëm në atë stinë bashkëpunimi, e cila u mbyll edhe një herë natyrshëm në pranverën e katër vjetëve më vonë.

Kush kujton sjelljen e LSI gjatë ditëve të Çadrës dhe refuzimin e përsëritur të ish-kryetarit Meta (të zgjedhur president me votat e PS), për të thënë “Po” ndaj ftesës së Ramës për një tjetër katërvjeçar bashkëqeverisjeje, e ka mëse të qartë se mes dy partive nuk kishte më as simpati dhe as empati. Por vetëm antipati. Dhe siç dihet, kjo e fundit prodhon shpesh ndarje dhe armiqësi.

Sot, kur kanë nisur të dëgjohen edhe një herë fjalët për një ribashkim të PS dhe LSI, duke përmendur emisarë që paskan hyrë në këtë demarsh për një krushqi të dytë si ajo e 1 prillit 2013, duhen llogaritur më parë motivet potenciale që e justifikojnë ose e hedhin poshtë një proces të tillë. I cili, në kushtet aktuale, tingëllon tërësisht jonatyror dhe jologjik. Dhe ja përse.

Një akord palësh bëhet kur në mes qëndrojnë interesa të përbashkëta. Thënë ndryshe, kur të dyja palëve ju duhet partneriteti, për të arritur një synim të caktuar. Ngado që ta shohësh, ky nuk është më rasti, kur flitet për PS-në e sotme. Kuptueshëm, LSI-së i duhet në letër një afrim i ri me Ramën, për një mijë arsye që lidhen me dinamikën e zhvillimeve pas zgjedhjeve. Kurse vetë kryeministrit as nuk ka se çfarë i duhet afrimi me Metën dhe Kryemadhin në këtë moment. Përveçse për të marrë mbi vete edhe një herë më tepër, përtej kostove të veta, edhe ato të një partie e cila e ka ende shumë prezente “damkën” e bashkëqeverisjeve me PD e PS në tetë vitet e fundit.

Fitorja vetmitare e zgjedhjeve në 25 qershor nga Rama, zhvlerësoi jo vetëm peshën dhe rolin “strategjik dhe të pazëvendësueshëm” që kishte pasur deri pak javë më parë Ilir Meta, por deri edhe mandatet e pakta të PDIU pas zgjedhjeve. Të gjithë aleatët e PS të para 25 qershorit, e panë veten të zhvlerësuar në bursën politike shqiptare, për arsyen e thjeshtë të fitores së 74 mandateve nga PS.

Shifrat janë ato që përcaktojnë fituesit dhe humbësit në politikë. Dhe në funksion të shifrave, por edhe të situatës dramatike ku ndodhet sot e gjithë opozita, përfshirë edhe LSI, një dreq e di se çfarë do t’i duhej Edi Ramës një krushqi me një barrë llafe e pakënaqësira nga pas, me partinë me të cilën e ndan tashmë një det i madh sulmesh e sharjesh nga më ekstremet. Jo se nuk kemi parë të kapërdihen fjalët e rënda, mllefet dhe mëritë mes partive, por sepse mbi të gjitha, socialistët nuk kanë asnjë interes për një 1 prill të dytë me LSI. Kjo është më shumë një nevojë urgjente e partisë së Kryemadhit, për të dalë nga impasi ku e ka futur veten LSI, në një malore të vështirë opozitare, për të cilën duket kjo parti është krejt e papërgatitur.

Skena politike shqiptare ka tashmë një panoramë të qartë numerike mes qeverisësve dhe opozitarëve. Është korrekte dhe në të mirë të vendit, që këto dy panele të përballen fort në rrugë institucionale dhe kur të vijë dita, edhe me votë. Por është krejt e pështirë dhe e pabesë ndaj votës së zgjedhësve shqiptarë, që atë që ndërtuan me vota, partitë ta rrafshojnë dhe ta ribëjnë sipas qejfit të tyre natën dhe me kulisa. Zgjedhjet e fundit thanë se Edi Rama duhet të qeverisë dhe se Lulzim Basha e Monika Kryemadhi duhet të bëjnë opozitën e pushtetit. Të tjerat janë hilera.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article FATOS ÇOÇOLI/ Si ndalohen financimet okulte të partive?
Previous article AURENC BEBJA/ Le Temps-Deklarata e Faik Konicës nga Amerika: Agresioni i Italisë si një grusht në fytyrë!

Redaktor2

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k