Mbrëmë u gjenda në një pritje të Ambasadës Suedeze. Kam, zakonisht, një raport të mbrapshtë me pritjet, duke i parë si të mërzitshme, “boring”, por sot, një burrë i mençur, që veproi si magnet në Sallën Antigonea të Rogner-it, Carl Bildt, më kthjelloi sesa qesharakë jemi kur themi: nuk i duam këto pritjet e mërzitshme, a thua se ne kemi gjëra më të mëdha për të bërë jashtë Rogner-it.
Prodhues titujsh të mërzitshëm, sherre të bukura për një atdhe të mërzitshëm e kështu me radhë, nga i madh e i vogël, gazetarë a politikanë, po deshët edhe agronomë! Carl Bildt binte në sy.
Edhe sikur Lut Dervishi të mos ma tregonte me gisht, do ta njihte çdokush. E kishte ende çehren e një ish-kryeministri të suksesshëm. I lartë, thinjosh, i plotë dhe 69-vjeç, i lumtur në martesën e katërt. Suedez, që ka pasion për t’u martuar katër herë, mendojeni vetë çfarë adrenaline për jetën! Kur mori fjalën, forcohej bindja se karizma dhe mençuria duan kohën e vet.
“Kam ardhur në Shqipëri shumë, shumë kohë më parë, e mbaj mend aq sa nuk mbahet mend, – tha Carl Bildt me humor, duke kujtuar vetëm se ai ishte kryeministër në vitin 1995, kur Suedia u anëtarësua në BE. Pas 25 vitesh e ca më shumë, unë mendoj, – tha ai,- se bota është një vend edhe më problematik, shumë më problematik.
Sigurisht, ai kujtonte mirë të vetmen linjë Tiranë – Bologna, një avion i vetëm kukudh, që prektë tokën ose shkëputej prej Shqipërisë së izoluar. Sot ka shumë të tillë, uturime dhe avionë, dhe vendi po bëhet gati për t ‘iu bashkuar një ditë BE-së, bashkë me avionët e vegjël, që presin çdo ditë tek “Nënë Tereza”.
Bildt ka hyrë një djalë i ri në politikë. Është një gurë e respektuar në vendin e tij dhe sot është një nga ata burrat që i jep mend Brukselit në politikën e jashtme. Edhe atë, si çdo politikan, e kanë kapur rrebeshe rrugës, me Gazprom rus apo me Wikileaks, por këto janë punët e tij, në vendin e tij.
Ai ishte një burrë i mençur dhe elegant dhe do doja që të kishim pasur fatin që Berisha ynë, që është pothuaj moshatar, sot të mos ishte burri i qytetarit dixhital, i lajmësit me video e statuse pa kripë në Facebook. Pata një dëshirë që ne të tjerët t’i jepnim mundësi Berisha tonë të iste në këto auditore, të sillej si eksperienca e mençur që ecën mbi dy këmbë, si një kuran a bibël lëvizëse.
Si një burrë i mençur të cilit historia i doli në rrugë dhe sot ka ose militantë nostalgjikë ose njerëz që tallen me të. Është për të ardhur keq! Në kapilarët e politikës tonë ka ujë të njelmët. Ose janë të shtirur krejt, roje të milionave të tyre, ose sillen si shtetarë dhe pastaj pinë kafe me Çimin dhe Fahriun, ose janë oratorë me imagjinatë të madhe, ose si Berisha që e çuam dëm, ose janë të mërzitshëm si pritjet. Ja, pra, Carl Bildt, me gjithë hallet që mund të ketë pasur në rrugën e tij, kishte diçka, ston e një politikani që ne ende nuk e kemi mes nesh, si shenjë e dështimit të përbashkët! Ndoshta se nuk e prodhojmë dot, sepse edhe politikanët njerëz janë dhe ngjajnë me shoqërinë e ty.



Leave a Reply