• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 4th, 2026
  • HOME
JOSEPH S. NYE, JR/ Donald Trump dhe rënia e pushtetit të butë të SHBA-së
Home
Blog

JOSEPH S. NYE, JR/ Donald Trump dhe rënia e pushtetit të butë të SHBA-së

February 9th, 2018 Redaktor2 Blog 0 comments

Provat janë të qarta. Presidenca e Donald Trump ka gërryer pushtetin e butë të Amerikës. Vetëm 30% e njerëzve të anketuar së fundmi nga Gallup në 134 vende kishte mendim pozitivpër Shtetet e Bashkuara nën udhëheqësinë e Trump, një rënie me 20 pikë që nga koha e presidencës së Barack Obamës. Qendra kërkimore Peë gjeti se Kina, me normë miratimi prej 30%, ka mbërritur në pothuajse barazim me SHBA. Dhe një tregues britanik, Soft Power 30, tregoi se Amerika po bie nga vendi i parë më 2016 në vend të tretë.

Mbrojtësit e Trump përgjigjen se pushteti i butë nuk ka rëndësi. Drejtori i Trump për buxhetin, Mick Mulvaney, pretendoi për një “buxhet të pushtetit të fortë” ndërsa reduktoi fondet për Departamentin e Shtetit dhe Agjencinë e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar me 30%. Për promovuesit e “Amerika e Para”, ajo që mendon pjesa tjetër e botës ka rëndësi të dorës së dytë. A kanë ata të drejtë?

Pushteti i butë mbështetet te joshja në vend të shtrëngimit apo pagesës. Ajo i bën njerëzit të bashkëpunojnë më shumë se sa t’i detyrojnë. Në nivel personal, prindërit e mençur e dinë se pushteti i tyre do të jetë më i madh dhe do të zgjasë më shumë nëse ata ofrojnë një model me vlera të shëndosha etike për fëmijët e tyre, në vend që të mbështeten vetëm te shpullat, paratë e xhepit apo heqjes së çelësave të makinës.

Në mënyrë të ngjashme, udhëheqësit politikë kanë kuptuar prej kohës se pushteti vjen nga të qenit të aftë në përcaktimin e axhendës dhe në përkufizimin e kuadrit në të cilin zhvillohet debati. Nëse unë mund të të shtyj ty të duash atë që unë dua, atëherë nuk kam nevojë të të shtrëngoj ty të bësh atë që ti nuk do të bësh. Nëse SHBA prezanton vlera që të tjerët i duan, ajo mund të ekonomizojë shkopin me karotën. Duke i shtuar pushtetin e fortë, tërheqja mund të bëhet një forcë multiplikative.

Pushteti i butë i një vendi vjen kryesisht nga tre burime: kultura (kur ajo është tërheqëse për të tjerët), vlerat politike, të tilla si demokracia dhe të drejtat e njeriut (kur ky vend i respekton ato), dhe politikat e tij (kur ato shihen si të ligjshme për shkak se kuadrohen me një farë modestie dhe ndërgjegjësimi mbi interesat e të tjerëve.) Se si sillet një qeveri në shtëpi (për shembull, përmes mbrojtjes së shtypit të lirë), në institucionet ndërkombëtare (duke u konsultuar me të tjerë dhe përmes politikave shumëpalëshe), dhe në politikë të jashtme (duke promovuar zhvillimin dhe të drejtat e njeriut) mund të ndikohen të tjerët përmes shembullit. Në të gjitha këto fusha, Trump ka përmbysur politika tërheqëse amerikane.

Për fat të mirë, Amerika është më shumë se sa Trump apo qeveria. Ndryshe nga asetet e pushtetit të fortë (të tilla si forcat e armatosura), shumë burime të pushtetit të butë janë të ndara nga qeveria dhe janë vetëm pjesërisht reaguese ndaj qëllimeve të qeverisë, Në një shoqëri liberale, qeveria nuk mund të kontrollojë kulturën. Në të vërtetë, mungesa e politikave kulturore zyrtare mund të jetë në vetvete një burim joshjeje. Filmat e Hollivudit, të tilla si “The Post,” i cili tregon gratë e pavarure dhe lirinë e shprehjes, mund të joshin të tjerët. Po kështu mund të ndikojnë edhe veprimtaria bamirëse e fondacioneve amerikane apo përfitimet e lirisë nga kërkimet në universitetet amerikane.

Është e vërtetë që kompanitë, universitetet, fondacionet, kishat dhe grupimet e tjera joqeveritare zhvillojnë pushtet të butë të vetin, pushtet që mund të përforcojë ose të jetë në kundërshtim me objektivat zyrtare të politikës së jashtme. Të gjitha këto burime private të pushtetit të butë ka gjasa do të bëhen gjithnjë e më të rëndësishme në epokën botërore të informacionit. Kjo është një arsye më shumë për qeveritë që të sigurohen se veprimet dhe politikat e tyre krijojnë dhe përforcojnë dhe jo pengojnë dhe shkatërrojnë pushtetin e tyre të butë.

Politikat e brendshme dhe të jashtme duket sikur janë hipokrite, arrogante, indiferente ndaj këndvështrimeve të të tjerëve ose të bazuar në një koncept të ngushtë të interesave kombëtare, koncept që mund të pengojë pushtetin e butë. Për shembull, rënia e fortë e joshjes që ka SHBA në vrojtimet e opinionit publik të kryera pas pushtimit të Irakut më 2003 ishin reagim ndaj administratës Bush dhe politikave të saj dhe jo reagim ndaj SHBA-së në tërësi.

Lufta e Irakut nuk ishte politika e parë e qeverisë që e bëri SHBA-në jopopullore. Në vitet 1970 shumë njerëz nëpër botë kundërshtuan luftën e SHBA-së në Vietnam dhe roli botëror i Amerikës reflektoi mungesën e popullaritetit të kësaj politike. Kur politika ndryshoi dhe kujtimet e luftës u fashitën, SHBA rikuperoi shumicën e pushtetit të butë që pati humbur. Në mënyrë të ngjashme, në periudhën pas luftës së Irakut, SHBA ia doli të rikuperojë shumicën e pushtetit të butë që kishte humbur në shumicën e rajoneve të botës (ndonëse më pak në Lindjen e Mesme).

Skeptikët mund të argumentojnë ende se rritja dhe rënia e pushtetit të butë të Amerikës nuk ka shumë rëndësi, për shkak se vendet bashkëpunojnë për shkak të vetëinteresit. Por ky argument humbet pikën më të rëndësishme: bashkëpunimi varet nga shkalla dhe shkalla varet nga pëlqimi ose mospëlqimi. Për më tepër, efektet e pushtetit të butë të një vendi shtrihen edhe te aktorët joshtetërorë – për shembull, duke ndihmuar apo penguar rekrutimet nga organizatat terroriste. Në epokën e informacionit, suksesi varet jo vetëm nga armët e kujt fitojnë, por edhe nga ajo se kujt i përket historia fituese.

Një nga burimet më të mëdha të pushtetit të butë të Amerikës është hapja dhe proceset demokratike. Edhe kur politika të gabuara reduktojnë joshjen, aftësia e Amerikës për të kritikuar dhe korrigjuar gabimet e bën SHBA-në më tërheqëse për të tjerët në nivele më të thella. Kur protestuesit përtej detit po marshonin kundër Luftës së Vietnamit, ata shpesh këndonin “Ne do të triumfojmë”, himni i lëvizjes për të drejta civile në SHBA.

Është pothuajse e sigurt se edhe Amerika do të triumfojë. Duke parë eksperiencat e të shkuarës, ka shumë shpresa se SHBA do të rikuperojë pushtetin e vet të butë pas Trump.

Project Syndicate-BIRN

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article ENI VASILI/ Ikën Nezari, vjen Izeti
Previous article HEKURAN VLADI/ Si pastrohen paratё nё futbollin shqiptar

Redaktor2

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k