• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 7th, 2026
  • HOME
MUSTAFA NANO/ Aritmetika e një proteste “as të vogël, as të madhe”
Home
Blog

MUSTAFA NANO/ Aritmetika e një proteste “as të vogël, as të madhe”

January 31st, 2018 Redaktor2 Blog 0 comments

Një filial shqiptar i një agjencie të huaj lajmesh raportoi në të nxehtë se në manifestimin e fundit të opozitës pati 8 deri në 12 mijë vetë. Përballë disa imazheve televizive të kapura nga kamerat e fiksuara diku afër tribunës, e që fusnin në fokus bulevardin në gjithë gjatësinë e vet, kjo dukej një shifër e vogël. Madje, edhe ndonjë socialisti mund t’i jetë dukur se agjencia Deutsche Welle kishte gabuar ca si shumë me këtë llogaritje. Ndërsa opozitarëve, kuptohet, agjencia gjermane u ka cingërisur nervat. Këta të fundit nuk është se kanë besuar shifrat e dhëna prej të vetëve (nuk ka arsye të jenë trushpëlarë deri në këto nivele), por pretendimi se në bulevard ishin 8-12 mijë u ka rënë në vesh si një provokacion i palezetshëm. Në fakt, kanë pasur të drejtë të çuditen me këtë shifër. Pjesëmarrësit ishin më të shumtë sesa kaq. Ishin dy-tri herë më shumë sesa kaq. Janë llogaritë vetë që flasin.

Tani, ky diskutim mbi numrin e pjesëmarrësve nëpër protesta më është dukur gjithherë një nga gjërat më qesharake që bëhen këtyre anëve. Ashtu siç janë qesharake dhe zotimet e bujshme të tipit: Erdhi ora e protestës, dhe ky do të jetë fundi i qeverisë!!!! (të shkretët militantë që i besojnë këto premtime). Diskutimi është edhe më qesharak, kur shifrat që përmenden janë të nivelit përrallor. E prandaj do ishte mirë që të kontribuonim që të gjithë për ta shpërndarë njëherë e mirë mjegullën e zhurmën që krijohet në të tilla rrethana. Dhe kjo bëhet me ndihmën e disa llogarive fare të thjeshta. Mund t’i ketë bërë dikush këto llogari edhe më parë, por unë nuk druhem për t’i bërë sërish. Janë shumë të thjeshta, me një marzh gabimi që nuk e trukon situatën. Dhe këto llogaritje vlejnë jo vetëm për këtë rast, e jo vetëm për opozitën e sotme. Edhe ata të opozitës së djeshme kanë organizuar tubime në bulevard, me të njëjtën pjesëmarrje, dhe me të njëjtin qejf për të lozur me numrin e pjesëmarrësve.

Ja se si janë gjërat në rastin e protestës së ditës së shtunë. E gjithë pjesa e bulevardit me njerëz zgjatej prej Ministrisë së Rendit e deri te dera kryesore e Kryeministrisë, aty ku Edi Rama ka bërë atë strehën teknologjike 2.0. Gjatësia e kësaj pjese të bulevardit është 500 metra. Gjerësia e bulevardit, qysh prej kohës që është projektuar prej italianit Gerardo Bosio, është 50 metra (dy trotuare nga 10 metra dhe rruga që rrihet nga makinat 30 metra). Dhe kështu i bie që të kemi një sipërfaqe proteste prej 25 mijë metrash katrorë (500×50). Vetëm në krye fare, pranë tribunës, ku turma ishte relativisht e ngjeshur, numri i njerëzve për metër katror ishte ndoshta katër (më tepër nuk është e mundur; pesë apo gjashtë vetë për metër/katror i bie të jenë në pozicione disi të nxehta e erotike); në pjesën tjetër, densiteti i turmës zvogëlohej me rritjen e distancës prej tribunës, dhe trotuaret mbeteshin jo tërësisht të shfrytëzueshme. Dhe kështu, në 150 metrat e parë, deri te ura e Lanës, numri mesatar për metër/katror ishte diçka mes 2-it e 3-shit. Le ta zëmë se ka qenë 3. Kështu i bie që numri i pjesëmarrësve në këtë pjesë të bulevardit të ketë qenë 22 500 (150x50x3).

Në pjesën e dytë të bulevardit, prej urës së Lanës e deri te Ministria e Rendit, numri i njerëzve ishte shumë i vogël. Ata ishin shpërhapur për të dhënë idenë se ishin shumë (kjo është një teknikë e zakonshme aktivistësh politikë), e megjithatë nuk arrinin dot të fshihnin dot njollat e mëdha të zbrazëta (për këtë mund të vini re pamjet e televizionit News 24, që me siguri nuk mund të etiketohet si televizion i qeverisë, në kohën kur në tribunë fliste Lulzim Basha: https://www.youtube.com/watch?v=TbqqF7Rc1ts). Gjysma e dytë e kësaj pjese ishte më shumë bosh sesa me njerëz (shihni të njëjtat pamje filmike, në minutën e nëntë të videos). Trotuaret janë krejt të shpopulluara. Duket se, me një matje me sy të lirë, njerëzit nuk zënë më shumë se 1/5-1/4 e gjithë kësaj sipërfaqeje, që do të thotë se numri i pjesëmarrësve ishte midis 4 e 5 mijë vetëve. Shkurt, numri total ka qenë diku mes 25 e 30 mijë vetëve.

Kjo nuk është një shifër e vogël. As e madhe, ç’është e vërteta. Kjo është një shifër normale pjesëmarrjeje në manifestimet që bëhen në Shqipëri. Në rastin më të mirë, numri i pjesëmarrësve në një protestë mund të ketë arritur deri në 50 mijë vetë. Por kjo është një rrethanë shumë e veçantë. Unë e sfidoj këdo që flet për shifra të tjera, që të dalë e të bëjë publikisht llogaritë e veta. Në mos, të më korrigjojë mua në numrat që dhashë lidhur me protestën e së shtunës, si për përmasat e bulevardit të shkelur nga protestuesit, ashtu dhe për numrin faktik të njerëzve për metër katrorë. Për këtë ju ftoj të rishihni pamjet filmike gjatë kohës që në tribunë fliste Lulzim Basha, por do isha i pamëshirshëm e mizor, nëse nuk do bëja paralajmërimin që këto janë pamje të pakëshillueshme për të gjithë ata demokratë që kanë pritur të bëhej nami atë ditë. Ajo që demokratët do të shihnin te këto pamje është shumë larg prej provës së forcës që ata donin të jepnin.

Dikush, si për të gjetur një ngushëllim, u dëgjua të thotë se kjo protestë ka vlejtur, sidoqoftë, për të konfirmuar lidershipin e Lulzim Bashës. Por nuk mendoj kështu. Ah, po, protesta mund të ketë konfirmuar lidershipin e Bashës brenda PD-së (kundërshtarët e tij demokratë mund të jenë më pak të motivuar, e më shumë të ndrojtur, në kritikat e tyre ndaj Bashës pas kësaj proteste), por në planin e zhvillimeve kombëtare kjo protestë nuk është se i ka dhënë ndonjë gjë Bashës. Të mbledhësh vetëm 30 mijë vetë në qendër të Tiranës pas 40-50 ditësh të një fushate të vazhdueshme mobilizimi, me të gjitha mjetet e resurset që një parti e madhe ka në dispozicion, dhe e ndihmuar nga ushtria e LSI-së, nuk është një provë e madhe lidershipi.(Mapo)

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article SKËNDER MINXHOZI/ Loja e Ramës me Greqinë dhe 12 milje detare në mes
Previous article BEN ANDONI/ Shqipëria, sandwich mes Greqisë dhe Turqisë

Redaktor2

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k