Dikur, në moshën 5 deri në 13 vjeç, kam banuar në një shtëpi me oborr, me lule e lloj-lloj pemësh frutore, madje, nja dy vjet, kam qenë anëtar i rrethit të natyralistëve të rinj në Pallatin e Pionierëve; kaq do t’u mjaftojë lexueseve dhe lexuesve të mi të mirinformuar për ta kuptuar edhe titullin, edhe përmbajtjen e këtij shkrimi. Kohët e fundit, duke parë vrullin e ethshëm, me të cilin zoti Kryebashkiak i Tiranës po bën çmos që ta gjelbërojë Tiranën, m’u kujtua se, para shumë vitesh, kisha lexuar një novelë të shkurtër me titull “Njeriu që mbillte drurë” të Jean Gioni-it, autor shumë i njohur në Francë, nga i cili janë përkthyer tri romane në gjuhën shqipe.
Këto kujtime më shtynë ta përqafoja me gjithë shpirt nismën e lavdërueshme për ta transformuar kryeqytetin im në një oaz tejet të bleruar, të marrë nga zoti Kryebashkiak i Tiranës, pra, të njeriut që mbjell drurë, të cilin shumë admirues e quajnë “lali Eri”, me një përkëdheli fëminore disi të sheqerosur. Për këtë arsye, kur, para disa vjetësh, në autostradën Tiranë-Durrës u mbollën palmat, nga dashuria për drurët, u shqetësova për përbuzjen që u tregua ndaj drurëve të vendit tonë, të cilët fort mirë mund të ishin mbjellë atje, por dikush (me qesëndi apo me seriozitet, nuk e di) ma mbylli gojën duke nënvizuar se “qeveria ka mbajtur para sysh fenomenin e ngrohjes globale”!
Po ja që, pak vite më vonë, palmat u thanë, ndonëse kushtuan një milion euro, jo aq nga ndonjë tekë e papritur e ngrohjes globale, por se nuk arritën t’i përshtateshin as klimës e as truallit shqiptar. Tani dëgjojmë se në vend të atyre do të mbillen pisha të buta: po habitem, sepse pisha e butë rritet më mirë në vendet malore, ngaqë është rrënjëshkurtër dhe, për pasojë, kërkon edhe shkëmb për t’u kapur me rrënjët e saj.
Gjithsesi, po sikur ngrohja globale ta shtojë shpejtësinë dhe pishat në fjalë të thahen? Kush do të përgjigjet për dy milionë e gjysmë eurot, që do të kushtojë mbjellja e tyre? Ndryshe nga një milion eurot e humbura me palmat, që i janë faturuar ndërgjegjes së qeverisë e të Kryeministrit, shuma marramendëse e shpenzuar për pishat e buta do të rrezikonte t’i faturohej lali Erit, sepse, mbjellja e tyre qenka marrë përsipër nga Bashkia e Tiranës! E çuditshme: normalisht me rrugët kombëtare dhe autostradat duhet të merret ministria përkatëse!
Çfarë fsheh, pra, ky zaptim kompetencash nga zoti Kryebashkiak i Tiranës? Apo kjo duhet konsideruar si një ogur i mirë për të ardhmen e tij kryeministrore? Megjithatë, duke pasur parasysh shumë përvoja qeverisëse në vendet e zhvilluara, ku nganjëherë kryebashkiakët kanë përfunduar kryeministra (rasti i Jacques Chirac-ut në Francë dhe ai i Edi Ramës në Shqipëri, ndër të tjerë), një zë më pëshpërit që duke marrë atributet fillimisht të një ministrie, pastaj të një tjetër ministrie, mandej edhe të një tjetre, më tej akoma të një tjetre, e kështu me radhë, Bashkia e Tiranës mund të kthehet një ditë, qoftë edhe pjesërisht, në Bashki-Shtet, gjë që, mjerisht, mund t’i shqetësojë ata që kanë ende njëfarë kujtese historike (oh, dje ishte Dita e Kujtesës, ç’rastësi!), sepse binomi Bashki-Shtet të sjell në mendje binomin PartiShtet, tipik për diktaturat e llojit fashist, nazist, stalinist e hoxhist!
Sidoqoftë, nuk uroj që pishat e buta, sado të brishta qofshin, të thahen, sepse zotit Kryebashkiak do t’i duhej t’i zëvendësonte me një lloj tjetër drurësh, më të aftë se palmat, për t’i bërë vërtet ballë ngrohjes globale, fjala vjen me baobabë nga Afrika. Sa krenare, e fuqishme dhe tërheqëse tingëllon kjo fjalë! Ba-o-ba-bë (Ba, o babë!)!
Prandaj do t’u sugjeroja admiruesve të zotit Erion Veliaj që idhullin e tyre ta thërrisnin jo lali Eri, por babë Eri! (babë, ngaqë termin “xhaxhi” historia e Shqipërisë ia ka rezervuar përfundimisht xhelatit Enver Hoxha!) Ua sugjeroj këtë sinqerisht sepse mendja e dora e tij atërore, pra, prej babe, do ta kthejnë Tiranën, ndoshta edhe Shqipërinë, pas disa vitesh, në një parajsë klorofilike (por jo klorotike, shpresoj!) Nga ana tjetër, më vjen shumë keq, por duhet ta them, babë Eri po bën ca veprime të pakuptueshme (për të mos thënë absurde) lidhur gjelbërimin e kryeqytetit tonë: Së pari, në gjirin e bashkisë së tij është krijuar një hallkë e quajtur “Agjencia e Parqeve dhe e Rekreacionit”, që do të merret, siç e tregon vetë emri i saj, me krijimin e parqeve dhe të qendrave ku do të zhvillohen veprimtari argëtuese dhe çlodhëse, veçse (o çudi e çudirave!) ajo do të tregtojë edhe pemë! Lind pyetja: Kujt do t’ia shesë këto pemë? Bashkisë, pra, vetvetes? Për t’i mbjellë po vetë në parqe, lulishte e sheshe “rekreative”? Ha, ha, ha!
Konflikt interesash, të paktën sipas miqve të mi Aqif Qifa, Françesk Armadhi dhe Vangjel Lezeti! Apo, ndoshta, do t’i eksportojë në Kinë, që ish-shokët maoistë kinezë t’i mbjellin në veri të Pekinit për të stopuar përparimin, në drejtim të kryeqytetit të tyre, të shkretëtirës së Gobit? Apo, ndoshta në Afrikë që ish-shokët marksistë-leninistë afrikanë të pengojnë shtrirjen e shkretëtirës së Saharasë në vendet e tyre? Së dyti, babë Eri ka hedhur idenë që prindërit, fëmijët e të cilëve ndjekin arsimin parauniversitar, duhet të paguajnë nga njëqind lekë për secilin syresh, me qëllim që shkollat të blejnë drurë për të gjelbëruar mjediset e tyre të jashtme (se nuk ma ha mendja që ato duhet të mbjellin drurë në mjediset e tyre të brendshme!) Por familjet shqiptare tashmë paguajnë një taksë arsimi edhe kur asnjë nga pjesëtarët e tyre nuk shkon më në shkollë! Pastaj, kujt duhet t’ia blejnë shkollat këta drurë?
Mos vallë Agjencisë së Parqeve dhe të Rekreacionit? Mirëpo, kjo Agjenci është, siç e përmendëm më lart, një hallkë e bashkisë, e cila ka për tagër të kujdeset për shkollat e sistemit parauniversitar! Pra, i bie që shkollat t’i kthejnë bashkisë një pjesë të parave që, normalisht e ligjërisht, kjo duhet të investojë për mirëmbajtjen e tyre! Këtu nuk ka pikë logjike, do t’i thosha babë Erit sikur, largqoftë, të isha në vend të zotit Kryeministër, i cili, siç e kam shkruar disa herë, po e përgatit Kryebashkiakun kryelartë të kryeqytetit tonë krenar, si kryeministër të ardhshëm të vendit tonë po aq krenar. Së treti, ai ka hedhur një ide fort interesante dhe joshëse, atë të krijimit të “pyllit orbital” të Tiranës.
Këtu çudia ime dhe ajo e tre miqve të mi të lartpërmendur, arrin kulmin e kulmeve. Në këtë pikë detyrohem të pohoj që ose unë me tre miqtë e mi jemi trutharë, ose babë Eri nuk e di shumë mirë kuptimin e mirëfilltë të fjalës “orbitë” nga vjen mbiemri “orbital”; sipas disa fjalorëve ajo do të thotë, ndër të tjera, “trajektore e lakuar e një trupi qiellorm që vërtitet rreth një trupi tjetër qiellor”. Në rastin e pyllit tonë orbital, i bie, pra, që ky pyll ta rrethojë Tiranën nga të gjitha anët, apo jo? Mirë- po Tirana, me rrugët, qendrat industriale e tregtare dhe rrethinat e saj, që po fryhen pa reshtur, së shpejti do të bashkohet në perëndim me rrethinat e Durrësit, së shpejti ajo do t’i kacavirret në lindje malit të Dajtit (A nuk e ka, për shembull, vetë zoti Kryeministër banesën e tij madhështore në Surrel, pra, në shpat të malit të Dajtit?) Në veri, ajo është bashkuar tashmë me Kamzën e Bathoren, një ditë do të arrijë deri në Fushë-Krujë e madje deri në Krujë.
Në jug, e ka kapërcyer tashmë Saukun e Petrelën! Rrjedhimisht, është e pamundur ta rrethosh Tiranën me një “pyll orbital”. Për pasojë, 100 mijë drurët e parashikuar për pyllin në fjalë do të mbillen kryesisht gjatë rrugëve të panumërta, që lidhin kryeqytetin tonë me gjithë qytetet e qytezat rreth e qark atij. Pra, nuk bëhet më fjalë për Tiranën, por për një pjesë të Shqipërisë së mesme të përbërë kryesisht prej rrugësh! Dhe, sa për 100 mijë drurët, lum kush do të fitojë tenderin përkatës! Ku po e hedh fjalën unë? Oh, “A bon entendeur, salut!” thotë frëngu, “Daullja bie për ata që kanë veshë!” thotë shqiptari, dhe unë, shqiptar gjithashtu, shkruaj për ata që dinë aq shkrim e këndim sa për të lexuar midis rreshtave! Veçse kujdes, shqiptari, sado që duket si shurdh apo, nganjëherë, edhe si i verbër, sidomos këto vitet e fundit, është bërë qiqër jo vetëm nga veshët, por edhe nga sytë!
Leave a Reply