• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 4th, 2026
  • HOME
MERO BAZE/ Pallati i Lulzim Bashës dhe “arroganca” e Edi Ramës
Home
Blog

MERO BAZE/ Pallati i Lulzim Bashës dhe “arroganca” e Edi Ramës

January 15th, 2018 Redaktor1 Blog 0 comments

Ka një përpjekje për të ekspozuar atë që quhet arrogancë e Edi Ramës, në vendimin për prishjen e pallatit të Lulzim Bashës në Vlorë, mbi thelbin e problemeve që mbart gjithë ai ndërtim, probleme që kanë brenda historinë e zaptimeve të pronave në Shqipëri, historinë e korrupsionit politik dhe në fund, dhe pazaret politike rreth tyre.

Dua të rendis më poshtë këto tre probeleme.

Çështja e parë, është çështja e paligjshmërisë së atij pallati. Pallati është ndërtuar duke u nisur nga një sipërfaqe toke e disa ish- pronarëve, që gjendej në buzë të detit dhe është trefishuar duke u futur në det. Ky është fakt që mund të provohet edhe tani që pallati është shembur, mund të provohet nga fotot krahasuese kur ishte në këmbë, mund të provohet dhe nga vendimet e Prokurorisë së Vlorës rreth atyre që kanë bërë “kolaudimin” e njollës para se ta hipotekonin.

Një politikan që zapton jo më bregun e detit, por dhe vetë detin, për një biznes korruptiv, konsiderohet viktimë e pushtetit dhe arrogancës, nga të njëjtët që ndërmorën “xhihad” në Tiranë, pse kryetari i Bashkisë, po bënte një kënd lojërash për fëmijë në park.

Strasburgu me të drejtë vlerëson se ndaj ndërtesës në fjalë ka pasiguri juridike. Pasiguri juridike ka pasur dhe për pallatin tek lulishtja “Tre vëllezërit Frashëri”, të cilin nuk e lejuan 15 vjet që të ndërtohej, por në verën e vitit 2013, me përfshirjen e familjes Berisha, pallati u bë brenda tri muajsh, duke tundur në dorë “një vendim të Strasburgut”, që fliste për pasiguri juridike ndaj pallatit dhe një gjobë 15 milionë euro. Si përfundim, Berisha duke ikur nga zyra, vendosi të ngrejë një pallat të paligjshëm se gjoja i dhimbseshin 15 milionë euro, “që duhet t’u paguante” atyre që në fakt u rrëmbeu pallatin.

Është e njëjta histori, vetëm se ky pallat nuk u lejua të qëndrojë në këmbë, por të paguhet gjoba.

Çështja e dytë, që lidhet sërisht me liderin e opozitës, është konsiderimi i Lulzim Bashës, si një biznesmen legjitim, që mund të ndërtojë një pallat që vlen 13 milionë euro, pa e pyetur askush ku i ka gjetur paratë. Pallati i ndërtuar në emër të vjehrrit të tij, një ish- kapter i papunë, është një etalon i korrupsionit 25- vjeçar në Shqipëri, një guidë për të shkuar tek “peshqit e mëdhenj”, të cilët sot i kanë pasuritë në emër të vjehrrave, kunetërve dhe baxhanakëve.

Lulzim Basha nuk duhet të ndjehet i poshtëruar se i kanë prishur pallatin, pasi për atë është dëmshpërblyer. Ai duhet të ndjehet i poshtëruar që modeli i një politikani hajdut, që paratë e vjedhura të pushtetit, i kanalizon si biznese të vjehrrit, një kapter në asistencë që ndërton një pallat që vlen 13 milionë euro.

Dhe së fundmi, duhet të flasim dhe për përgjegjësinë e qeverisë “Rama” në këtë histori dhe atë që quhet arrogancë e tij. Edi Rama dhe qeveria e tij kanë vërtet probleme me mbrojtjet ligjore ndaj çështjeve që ngrihen kundër shtetit. Nuk di të them nëse është paaftësi, apo ndonjëherë pazar, por është e vërtetë.

Por në këtë histori, Edi Rama është përgjegjës se e nisi çështjen siç duhet, pra si paligjshmëri, por në fund e devijoi duke i rënë shkurt dhe duke  e shpronësuar si pallat të ligjshëm, meqë investitori Lulzim Basha, kishte shitur një pjesë të objektit tek qytetarët. Po ashtu, zyrat e tij ligjore, mund të kenë treguar paaftësi në mënyrën si kanë mbrojtur çështjen, pasi Strasburgu flet për dhunën shtetërore, rrethime policeske etj, ndërkohë që në Strasburg duhet të shkonte çështja e shumës së kompensimit, pasi pallati nuk u prish si i paligjshëm, por për interes publik. Shqipëria ka ligj për shpronësim për interes publik dhe ai është shpronësuar me atë ligj. Me atë ligj që Sali Berisha shkatërroi redaksinë time, se “rrezikonte sigurinë kombëtare”.

Pra, pronari Lulzim Basha, bazuar tek ligji mbi të cilin u prish pallati i tij, duhet të kërkonte në Strasburg më shumë para, siç dhe mori, por në Strasburg, çështja nuk është paraqitur kështu. Në Strasburg, për fat të keq është konsideruar sikur qeveria ka prishur një ndërtim të paligjshëm. Dhe këtu është baza e gjithë dyshimeve që qeveria, ose e ka lejuar vetë këtë truk, ose është e paaftë. Por jo arrogante.

Hetimi ligjor i atij pallati si i paligjshëm, u nis por nuk përfundoi kurrë. Sipas procedurës, në Strasburg, nuk mund të gjykohet një çështje që nuk është gjykuar në mënyrë shteruese në Shqipëri. Kjo çështje (paligjshmëria), akoma nuk është hetuar dhe nuk është gjykuar në Shqipëri, dhe Strasburgu nuk mund të flasë për një gjyq të pambaruar në Shqipëri. I vetmi gjyq i mbaruar në Shqipëri është VKM e qeverisë për prishjen e pallatit të Bashës, si ndërtim i ligjshëm, dhe për këtë ka dhënë një shumë kompensimi. Qeveria nuk mund të kompensojë një ndërtim të paligjshëm. Ajo ka kompensuar dëmin që është bërë për interes publik.

Në fakt, në Strasburg çështja është paraqitur sikur qeveria ka ushtruar dhunë shtetërore ndaj një pallati të Lulzim Bashës, që ja ka lënë trashëgim i jati dhe ka shkel rregullat. Pallati është prishur në paqe të plotë me pronarin, pa e çuar atë në gjyq për zaptimin e detit dhe tmerrin urbanistik, miratuar me firmë të Sali Berishës në KKRTSH. Në Strasburg është paraqitur krejt e kundërta. Kjo është thjesht një gënjeshtër e lejuar të thuhet në gjyqin e Strasburgut dhe është ose paaftësi flagrante e mbrojtësve të qeverisë “Rama”, ose korrupsion flagrant i tyre. Por kurrsesi një e drejtë e Lulzim Bashës si pronar real dhe përfitues real i 13 milionë eurove, që në fakt po ua merr për herë të dytë nga xhepat qytetarëve shqiptarë, një herë si hajdut tenderash dhe një herë si hajdut i dëmtuar. Se ato para me të cilat u bë pallati nuk ja ka dhënë vjehrri në pajë. Në xhepat tona i ka marrë dhe ato.

Tema

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article BEDRI ISLAMI/ Cili është “emri i frikshëm” në listën e Arta Markut?
Previous article ALEXANDRA BORCHARDT/ Ta bëjmë gazetarinë edhe një herë të madhe

Redaktor1

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k