• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 6th, 2026
  • HOME
AGRON GJEKMARKAJ: Votimi kundër Trump në OKB, Gjekmarkaj: Të rruat Ramallahu dhe Erdogani, o Kryeministri ynë!
Home
Blog

AGRON GJEKMARKAJ: Votimi kundër Trump në OKB, Gjekmarkaj: Të rruat Ramallahu dhe Erdogani, o Kryeministri ynë!

December 21st, 2017 Redaktor2 Blog 0 comments

Sot, Shqipëria nëpërmjet përfaqësuesit tonë në OKB votoi kundër vendimit të SHBA-ve dhe Presidentit Trump për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit, me justifikimin se qenkemi në një linjë me BE-në. Në fakt, sonte më shumë se kurrë jemi afruar me Ramallahun dhe sidomos Erdoganin.

Në çdo rast tjetër, do të dukej e tepërt po të përsërisnim atë që duhet ta mësojnë edhe fëmijët e porsalindur, që Lirinë dhe Pavarësinë Kosovës ia dhanë SHBA-të; që shqiptarët në Maqedoni kanë shumë më tepër të drejta falë tyre; që jemi në NATO falë tyre, apo që Presidenti Uillson me 14 pikat e tij na shpëtoi nga shqyerja e fqinjëve. Po ashtu, duhet thënë me të madhe se krizat shkundullimat, hingëllimet dhe zuzaritë tona këto 27 vite i kanë frenuar pikërisht ata, me të dërguarit e posaçëm apo të përhershëm.

Ëndrra jonë e madhe është Europa, prej së cilës na kanë ndarë së pari osmanët për pesëqind vjet, pikërisht paraardhësit e sulltanit Erdogan, i cili po bërlyket si një Saladin i ri apo mbrojtësi i Palestinës, por interesi ynë kombëtar na thërret të jemi besnikë e luajalë, në radhë të parë me Amerikën. Nuk është i tepërt pohimi se në një Europë të paqartë për bashkimin e saj e shumë më të paqartë ndaj nesh, forcimi i miqësisë me SHBA-të veç e konsolidon marrëdhënien tonë me Brukselin. Ndihma e SHBA-ve vlen më shumë se të gjitha kinse reformat dhe arritjet tona hipokrite, sipas parimit haxhiqamilist “është hallall me rrejtë kaurrin”.

Ne që jetojmë këtu, e dimë sa të vërteta i kemi reformat dhe arritjet. Askush nuk beson në asgjë. Motoja e çdo njeriu me pushtet është haja qenit, pija qenit. Ndaj qeveria jonë nuk duhet t’ia bënte këtë atentat popullit të vet. Kurrsesi nuk duhej ta godiste këtë romantizëm amerikan ndaj nesh. E për çfarë? Për një racion kadaif e bakllava më tepër nga Erdogani. Ne prej dekadash mburremi për ndihmën që u kemi dhënë hebrenjve gjatë Luftës së Dytë. E përsërisim këtë gjë deri në pështirosje… pa kursim, pa elegancë… me teprinë e natyrshme të një shoqërie që s’ka shumë për t’u mburrur.

Ani, s’na vjen e keqja nga kjo mburrje. Por tani del sheshit se veçse trillanë e tepranë jemi, edhe të pabesë me Izraelin dhe sidomos me SHBA-të. Një fakt duhet pohuar, Izraeli është shtet demokratik dhe nuk dërgon sheikë me joshje speciale të këndellin shumëkënd në anët tona. Ndaj marrëdhëniet me të janë sipërfaqësore, retorike… të ndalura…pa produkt. Diçka e fortë i pengon ato.

Ndoshta është kjo shtysë që përcakton edhe votimin e sotëm në OKB. Një Shqipëri që voton kundër vetvetes. Ky akt nuk ndihmon për t’u ndier gjasme më shumë europianë, por u kujtoi amerikanëve se sa afër jemi në të vërtetë me Erdoganin dhe Ramallahun, po thuaj njësoj si në kohën kur Enver Hoxha priste me nderime Abu Xhihadin.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article SKËNDER MINXHOZI: Një votë që nuk ka asnjë lidhje me marrëdhëniet shqiptaro-amerikane
Previous article ANDI BUSHATI: Donald Lu nuk mund të bëjë vezën e artë

Redaktor2

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k