• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 4th, 2026
  • HOME
BEN ANDONI/ Shqiptarët nga euforia e ’90 tek skepticizmi i ‘024
Home
Blog

BEN ANDONI/ Shqiptarët nga euforia e ’90 tek skepticizmi i ‘024

July 7th, 2024 F.autor Blog 0 comments

Shqipëria ishte një nga vendet e fundit të Evropës Lindore, që u përfshi në lëvizjet demokratike të fundviteve ‘80. Teksa përbri saj kishte nisur shpërbërja e pakthyeshme e ish-Federatës jugosllave, pasuar vit pas viti me luftërat e përgjakshme që morën qindra-mijëra jetë, shqiptarët artikuluan për herë të parë sloganet demokratike. Mes tyre, më e njohura, është ajo që shërben si një lloj devize për demokracinë shqiptare: “Ta bëjmë Shqipërinë si të gjithë Evropa!” Pikërisht në ‘grackën’ e kësaj motoje ramë ne shqiptarët, pasi konceptimi i Evropës presupozonte një lloj El Doradoje. Qysh në muajt e parë, që ndoqën varfërinë e frikshme të fundviteve ‘80 përcjellë nga një regjim i dështuar dhe pastaj me ngjarjet e viteve 1991, 1992, e deri në prag të Luftës Civile të vitit 1997, shqiptarët do të shihnin se denoncimi i autoritarizmit dhe Diktaturës së Proletariatit kishte qenë i pamjaftueshëm për atë që prisnin nga demokracia. Në vitet që pasuan, shembulli i vendit tonë do jetë nga më të hidhurit për sa i përket cilësimit të pronës dhe vrasjeve pa fre, vjedhjeve të frikshme dhe korrupsionit të madh. Reformat konfuze ekonomike dhe ato cinike politike kanë protagoniste vetëm PS-në dhe PD-në, dy partive, që e drejtojnë vendin me dorë të fortë në interes të shpurave, individë të të cilëve bëjnë tashmë ecejake te SPAK-u. Institucionet e ndryshme që duhet të sillnin besim kanë sjellë zhgënjim të pamat. Ndaj, njerëzit janë indiferentë me ato që thotë Berisha për çdo ditë nga ballkoni, ashtu si sukseset, që përcjellin njerëzit e PS-së dhe që pastaj kanë pas vete fatura të frikshme. Ka nevojë për studime për të parë pse në terren demokracia shqiptare ishte kaq zhgënjyese, mbase qysh në gjykimin për pjesën antropologjike që lidhet me vlerësimin e pushtimit të gjatë osman; periudhën e pakët të ngritjes politike pas vitit ’20; Nacionalizimin dhe Luftën Antifashiste; diktaturën e me radhë. Anipse, kjo nuk mund të hedhë poshtë ndryshimet post ‘90, që as nuk mund të mendoheshin: Ngritjen e Ekonomisë së Tregut, Zgjedhjet partiake, Lëvizjen e Lirë të qytetarëve, të Drejtën e Pronës, Lirinë e Fjalës etj., ku veçohet sidomos përpjekja ndërshtetërore për t’u integruar me të gjitha të drejtat në BE.
Në terren gjërat janë krejt ndryshe, larg konceptit të demokracisë. Shqipëria përballet me një nga nivelet e korrupsionit më të madh në kontinent, me probleme të pariparueshme dhe me tjetërsimin e frikshëm të pronave, viktimat e saj, problemet zgjedhore, një politikë problematike me publikun dhe administratë, e cila jo pak herë ka treguar se është makute për përfitime. Dy studiuese politologe Kiran Auerbach dhe Bilyana Petrova tregojnë se mbështetja e ulët e qytetarëve postkomunistë për demokracinë lidhet me pakënaqësinë me mënyrën se si demokracia po praktikohet në vendet e tyre. Në artikullin që e kanë shkruar si bashkautore me titull:“Pakënaqësia nxit skepticizmin demokratik në Evropën Lindore” (Dissatisfaction drives democratic scepticism in Eastern Europe) ato konstatojnë se: pakënaqësia me mënyrën se si demokracia praktikohet në terren nxit skepticizmin e njerëzve ndaj saj si një formë ideale e qeverisjes. “Gjatë tre dekadave të fundit, qëndrimet ndaj demokracisë janë ngurtësuar. Vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore kanë festuar suksese të dukshme gjatë tridhjetë viteve të fundit. Këto përfshijnë krijimin e ekonomive funksionale të tregut, miratimin e zgjedhjeve konkurruese dhe, në fund të fundit, anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Megjithatë, rajoni ende lufton me korrupsionin, paqëndrueshmërinë zgjedhore, paqëndrueshmërinë e sistemit partiak dhe pjesëmarrjen e ulët politike” (Auerbach & Petrova, 2022).
Nëse do të ishte vetëm rasti shqiptar atëherë mund të kishte fushë të ngushtë studimi, por tashmë paradoksi është se demokracia që ëndërronin shqiptarët, po del një regjim demokratik zhgënjyes, ndaj edhe përkushtimi i qytetarit po vjen duke u zbehur. Korrupsioni, që po zbulon SPAK, është i frikshëm; mënyra e mungesës së Mea Culpa nga socialistët është zhgënjyes; imazhi korruptiv edhe në jo pak raste i opozitës e shton zhgënjimin, që në fund të lë pyetjen, që në mënyrë të qartë e kanë përcaktuar me dy hipoteza studiueset e mësipërme: “A është skepticizmi demokratik një produkt i socializimit të rrënjosur thellë komunist në një mentalitet autoritar? Apo ka të bëjë me përvojat negative të njerëzve me performancën demokratike?” Kohët po ikin por shqiptarëve që jetuan dy periudhat po u mbesin konstatimet. Dhe, ato janë të hidhura, duke ua ravijëzuar me cinizëm skepticizmin në sy dhe jo vetëm.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article ARTUR AJAZI/ Protesta, si opsion për mbijetesë politike
Previous article EDUARD ZALOSHNJA/ 2024, viti më i sigurt për jetën e banorve të Shqipërisë në dekadën e fundit

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k