• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 6th, 2026
  • HOME
EDMOND LAÇI/ Kinë, semafor për devetë në shkretëtirë
Home
Blog

EDMOND LAÇI/ Kinë, semafor për devetë në shkretëtirë

May 11th, 2023 F.autor Blog 0 comments

Është një nga çuditë e shumta që mund të ndodhin veçse në Kinë. Dhe si mjaft gjëra të tjera që shpiken për “herë të parë” në botë, edhe semaforët e shkretëtirës, posaçërisht për devetë, janë “Made in China”. Ato janë instaluar në zonën piktoreske Yueyaquan, në Dunhuang të provincës Gansu të Kinës Veriperëndimore, ku operatorëve të zonës iu desh të përdornin semaforët e shkretëtirës për të drejtuar kolonat e gjata të deveve që transportonin turistët e shumtë dhe shmangur bllokimin e trafikut në këtë kryqëzim të lashtë të “Rrugës së Mëndafshit”.
Në fakt impianti i semaforëve të shkretëtirës ishte instaluar që në muajt e parë të 2021-it, por pandemia dhe masat e forta antiepidemike, kishin penguar turistët për të vizituar këtë zonë mjaft atraktive, falë malit Mingsha, kompleksit të shpellave Mogao, apo kalimeve Yumen dhe Yangguan, të cilat janë portat më perëndimore të Murit të Madh. Pikërisht këtu ndodhet edhe burimi i famshëm i Yueyaquanit, i cili ka formën e Hënës së Re, i rrethuar nga një oaz i mrekullueshëm në mes të shkretëtirës. Pushimet katërditore të 1 Majit të këtij viti, ishin prova e vërtetë, jo vetëm për rikthimin e fuqishëm të turizmit në Kinë, por edhe për semaforët e shkretëtirës, të cilët kishin pritur pothuajse tre vite për t’u përuruar.
Sipas të dhënave zyrtare, vetëm numri i turistëve që lëvizën brenda Kinës gjatë këtyre pushimeve të shkurtra arriti në plot 274 milionë, 70.83% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar dhe 119.09% më lart se niveli i vitit 2019, para pandemisë. Meme të shumta nuk munguan të tregonin me humor radhët e gjata të qindra deveve dhe turistëve, duke pritur dritën e gjelbër në semaforët e shkretëtirës. Ata që kishin zgjedhur të udhëtonin në udhët e dikurshme të karvanëve përgjatë Rrugës së Mëndafshit për në Azinë Qendrore dhe Evropë, këtë herë nuk u besonin syve. Marshimi i ngadaltë i deveve, zhurma e zileve të tyre, era që përplaset mbi duna, duke lëshuar tinguj të përkëdhelur harpe, por edhe ngjyrat e semaforëve, e kthejnë shkretëtirën e heshtur në një bulevard rëre të Shekullit XXI.
Por semaforët e shkretëtirës janë vetëm simboli i pushimeve të pranverës të këtij viti, pas tre vitesh luftë të vështirë kundër epidemisë COVID-19. CNN, CBS, Reuters, Bloomberg dhe një pjesë e madhe e mediave ndërkombëtare, iu dedikuan bumit turistik kinez, rigjallërimit të jashtëzakonshëm të konsumit dhe rimëkëmbjes së shpejtë të ekonomisë. Qendra statistikore e Ministrisë kineze të Kulturës dhe Turizmit parashikon se numri i udhëtimeve turistike do të arrijë në 4.55 miliardë gjatë këtij viti, shifër kjo 80 për qind më e lartë në krahasim me nivelin e 2022-it, duke gjeneruar afro 4 trilionë juanë të ardhura, ose 95 për qind më shumë në bazë të vëllimit të një viti më parë. Vetëm gjatë katër ditëve të pushimit të 1 Majit, të ardhurat nga turizmi i brendshëm arritën në 22.73 miliardë dollarë.
Të dhënat e fuqishme turistike dhe të konsumit forcojnë gjithashtu besimin e tregut për rritjen ekonomike të Kinës. Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) e ka ngritur parashikimin e saj për rritjen e PBB-së së Kinës gjatë vitit 2023 në 5.3 për qind nga një vlerësim i mëparshëm prej 4.6 për qind. Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) po rishikon projeksionin e saj për rritjen ekonomike të Kinës në vitin 2023 me 5.2 për qind. Edhe Morgan Stanley, Goldman Sachs dhe banka të tjera investimesh kanë rishikuar gjithashtu parashikimet e tyre në rritje. Këtë vit Kina do të vazhdojë të jetë një nga vendet kryesore që do të shohë rritjen më të madhe në botë, ndërsa kontributi i saj në rritjen ekonomike globale do të jetë 30 për qind. (CRI)

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article KIMETE BERISHA/ I rrezikshëm, si Chuck Norrisi!
Previous article EDUARD ZALOSHNJA/ Rreth 42% e zgjedhësve në lista janë në emigracion

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k