• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 7th, 2026
  • HOME
AFRIM KRASNIQI/ Darkat që të bëjnë president, kryeministër, deputet, por edhe me euro!
Home
Blog

AFRIM KRASNIQI/ Darkat që të bëjnë president, kryeministër, deputet, por edhe me euro!

October 4th, 2021 F.autor Blog 0 comments

Në mesin e majit 2012 në një lokal peshku në Gjirin e Lalzit u takuan kryetari i opozitës, kryetari i partisë së dytë në qeveri me ndërmjetësimin e një individi të tretë, biznesmen, i cili kishte pak kohë që ishte liruar nga dënimi me burgim për kontrabandë. Dreka zgjidhi konfliktet personale dhe dy politikanët vendosën të bashkëpunonin, duke krijuar një koalicion politik më 2013, pas të cilit njëri u në kryeministër dhe tjetri kryetar parlamenti. Në prill 2017 të njëjtit politikanë, me dy shoqërues të tyre, dakojnë në një tjetër restorant peshku, tashmë në Tiranë.

Pas bisedimeve u ra dakord që kryeministri të vijojë detyrën dhe tjetri të bëhej President. Darkat ishin risi, pasi më 2005 dhe më 2009, po ashtu ishin dy biznesmenë të ndryshëm që përmes disa telefonatave dhe negociatave personale bashkuan parti të kundërta në një koalicion qeverisës. Kjo në thelb, është mënyra sesi në Shqipëri janë zhvilluar bisedime dhe janë përcaktur koalicionet politike dhe qeverisëse të viteve 2005, 2009, 2013 dhe 2017.

Histori të njëjta me darka e miq biznesi apo të botës informale që caktojnë guvernatorë, ministra, prokurorë, deputetë, etj, janë të shumta.

E di që krahasimet me Perëndimin nuk pëlqehen nga militantët përfitues të produkteve të pakteve politike të peshkut/biznesit, por gjithsesi për atë pakicë që lexon, kupton dhe vlerëson, je ta ilustrojmë me mënyrën sesi vendoset një koalicion qeverisës në një vend vërtetë demokratik. Ja p.sh, Gjermania. SPD më 2018 do të duhej të vendoste nëse do bëhej koalicion i madh me CDU.

Kryetari e kryesia deklaruan se ky është vendim që kërkon votëbesim më të madhe dhe ndaj SPD zhvilloi referendum në parti më 4 mars 2018, ku nga 378 mijë anëtarë votues të kësaj partie 66% mbështetën hyrjen në koalicion. Ja rasti më i freskët: në Gjermani javën e kaluar përfunduan zgjedhjet parlamentare pa fitues të qartë.

Dy parti, FDP dhe Të gjelbrit janë përcaktues për koalicion. FDP është historikisht e qartë për preferencat në koalicion, kurse “Die Grünen”, pasi votëbesuan në kongresin partiak pjesëmarrjen në qeveri me CDU ose SPD, vendosen që 120 mijë anëtarët e saj të thirren në një referendum për të përcaktuar cilën nga dy ofertat e partive të mëdha për koalicion do të zgjedhin.

Referendumi do të jetë përcaktues dhe stafi drejtues natyrisht e respekton atë. Deri në referendum, ashtu si tek SPD më 2018, çdo politikan me argumente pro e kundër ka lirinë, hapësirën dhe mundësinë të shprehet për të bindur anëtarësinë për votën e saj.

Kontrasti i thellë midis mënyrës shqiptare të koalicionit dhe mënyrës gjermane të koalicionit në thelb shpreh hendekun e thellë midis formimit dhe kulturës politike të atyre që ne i quajmë elitë politike në Shqipëri dhe modeleve bashkëkohore politike, ashtu edhe është tregues se ajo çfarë ne quajmë demokraci në Shqipëri është një fotokopje e printuar keq e demokracisë.

Shqipëria nuk e ka provuar ende demokracinë funksionale që të ketë zhgënjime apo vlerësime shteruese për të, ajo vijon të mbetet një demokraci hibride, paradoksalisht, e marrë peng dhe e kërcënuar nga aktorët që duhej të ishin garancia e saj, – partitë klienteliste politike, liderit autoritaristë dhe turma militante që voton, numëron, zapton shtetin e hapësirën publike duke mbajtur së bashku nën presion pjesën civile dhe kritike të sistemit të turmës dhe të oligarkisë.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article BLENDI KAJSIU/ Paradoksi i lëvizjes Berisha
Previous article EDUARD ZALOSHNJA/ “Toreadori” Berisha i karikon “demat” e majtë…

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k