• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 4th, 2026
  • HOME
ÇAPAJEV GJOKUTAJ: Gjakmarrja e përdorur
Home
Blog

ÇAPAJEV GJOKUTAJ: Gjakmarrja e përdorur

November 16th, 2017 Redaktor2 Blog 0 comments

Para pak ditësh, BBC trans metoi një reportazh për gjakmarrjen shqiptare. Thoshte se vetëm në rajonin e Shkodrës ka 68 familje të ngujuara. Pastaj shtonte se gjakmarrja sot nuk bëhet sipas Kanunit. Ky nuk lejon të marrësh gjak duke vrarë fëmijë dhe gra. Megjithatë, në ngujimin e sotëm përfshihen jo vetëm meshkujt e rritur, por edhe fëmijët dhe gratë.

Nuk besoj se kemi pritur BBC-në për të kuptuar se ajo që sot e paraqesim si gjakmarrje, është një hakmarrje primitive. Themi “primitive”, sepse kemi të bëjmë me një proces prapavajtës. Jo aq kthim në malësitë e para L2B, sa ikje në kohë të hershme, kur krimi i vrasjes nuk rregullohej nga gjakmarrja, por ishte hakmarrje e mirëfilltë. Parë në rrjedhën e shekujve, gjakmarrja synoi të zëvendësonte hakmarrjen, të vendoste disa norma për të rregulluar dhe kontrolluar krimin e vrasjes, në kushtet e mungesës së shtetit dhe sidomos mungesës të institucioneve ligjzbatuese.

Fillimet e tranzicionit postkomunist sollën dobësimin e shtetit dhe, në periudha të shkurtra edhe zhbërjen e tij, sidomos në zona të thella rurale. Kjo bëri që të rishfaqej gjakmarrja, natyrisht në arealet ku historikisht kishte qenë dukuri e hasur dhe tipike. Gjakmarrja e tranzicionit të kujton ngritjen nga varri. Jo aq se u ringjall në një kohë që ishte zhdukur tërësisht, por sidomos se nuk u rikthye vetë, erdhi fantazma e saj. S’kish si të ndodhte ndryshe. Gjakmarrja tradicionale nuk ishte thjesht fjalë, vetëm paragraf Kanuni. E jetësonin edhe një varg institucionesh si fisi, pleqësia, katundi etj.

Ishte e natyrshme që gjatë tranzicionit këto institucione të mos ringjalleshin dot. Si rrjedhim, sot ajo që quhet “gjakmarrje” i ngjan një fantazme, është kthyer shekuj prapa, bëhet pa rregull e kanun, lehtëson vrasësin dhe shumicën e pasojave ia faturon bashkësisë. Duket sikur hakmarrjen primitive e quajmë “gjakmarrje” thjesht për forcë zakoni. Në fakt kemi të bëjmë me qasje hipokrite që burojnë nga interesa meskine të një vargu subjektesh.

Krimineli, ai që bën vrasjen, është i interesuar të thotë se vret për gjakmarrje. Qetëson veten dhe justifikohet para të tjerëve: vërtet vrava, por e bëra për fisin, kanunin, porosinë e të parëve. Përdorimi i termit “gjakmarrje” shërben edhe për të arritur qëllime praktike. Shumë azilkërkues e përdorin gjakmarrjen si alibi, pretendojnë se kanë rënë në gjak dhe këtë e bëjnë thjesht për të siguruar qëndrimin në emigracion. Mediat jo rrallë janë të interesuara që vrasjet për hakmarrje t’i quajnë “gjakmarrje”. Vrasja për hakmarrje është një krim gjithsesi i rëndomtë, krahasuar me gjakmarrjen që ka brenda teatër, primitivizëm, ekzotizëm etj.

Ekzotizmi bëhet faktor veprues sidomos për mediat e huaja, të cilat duket se i thonë lexuesit perëndimor: afër nesh, ka njerëz që jetojnë shekuj larg nesh. OJF-të tona financohen përgjithësisht nga të huajt. Vëmendja e donatorit mund të tërhiqet më lehtë me dukuri e ngjarje dramatike, tronditëse, që kanë ndikim tragjik te bashkësia. Gjakmarrja i prezanton të gjitha këto më mirë sesa vrasja për hakmarrje. Ndaj disa OJF kanë bërë çmos të bindin gazetarët e huaj, dhe sidomos donatorët, se gjakmarrja e sotme qenka dukuri e përhapur gjithandej, kurse ngujimi u haska kudo, jo vetëm në Veri, por edhe në Jug.

Të mos flasim pastaj për disa shoqata pajtimi gjaqesh, që kanë shitur dëshmi se ky apo ai person është në gjak. Duket ashiqare se ligjërimet e sotme për gjakmarrjen janë farsë tragjikokomike. Është për të ardhur keq që, si shoqëri, marrim pjesë në farsa të tilla, që sublimojnë vrasjen, kriminelët dhe lloj-lloj matrapazësh. Kurse vulën e turpit na e vënë ne, si popull e si komb. Vuajtjet ia faturojnë bashkësisë dhe, kulmi i kulmeve, vrasin fëmijërinë e dhjetëra krijesave të pafajshme.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article LEDI SHAMKU: Portale që dridhin dhe shkundin!
Previous article PANAJOT BARKA: Post Kreta si verifikim i antidialogut që imponon pseudoegoizmi nacionalist

Redaktor2

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k