• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 8th, 2026
  • HOME
LORENC VANGJELI/ Opozita e Bashës si lule artificiale
Home
Blog

LORENC VANGJELI/ Opozita e Bashës si lule artificiale

September 26th, 2020 F.autor Blog 0 comments

Në Tiranë, por dhe gjithkund gjetkë, gjithçka e ka një çmim. Shëndeti, dashuria, karriera, fati e madje edhe mosha kalendarike mund të blihet me para. Vetëm posti i kryeministrit nuk ka asnjë çmim.

Së paku në një vend si Shqipëria, atdhe i pandryshueshëm i Njishit, Prijësit dhe Fisit, tashmë nuk ka maftueshëm para për të paguar të drejtën për të qenë kryeministër. Sepse në Shqipëri kryeministri ishte dhe është Zoti.

Madje, nëse ai i vërteti lart në qiell, mund edhe të mos e ketë mendjen tek lutjet e një individi, mund të ketë një plan që nuk i pëlqen një individi tjetër apo e vë në prova pothuaj çnjerëzore një tjetër individ në tokë për hir të qiellit, kryeministri në Tiranë është edhe alkimist: mund të kthejë baltën në flori, gomarin e shndërron në kalë race, budallain e bën në gjeni, të varfërin e mbrëmjes e gdhin të pasur e kështu me rradhë në plotësimin e çdo ëndrre, të cilën shqiptarët që adhurojnë pushtetin dhe urrejnë të rënët nga pushteti, mund të kenë ëndërruar në të djeshme e në të sotme. Dje ky alkimist ishte Sali Berisha.

Sot është Edi Rama.

Lulzim Basha ka vite që mton të jetë kryeministër me të drejtën që i jep drejtimi i njërës nga dy partitë e mëdha të vendit. Në një vështrim të shpejtë, ai ngjan politikani model. Perfekt si lule artificiale.

Ngjyra të forta, por pa aromë. Pa defekte të dukshme, por edhe pa shkëlqim. Korrekt, por pa magjinë që vetëm veset i japin qënies njerëzore. Përballë tij, edhe nëse Edi Rama nuk është kryeministri që do t’i duhej edhe më tej vendit, kjo nuk mjafton ta bëjë Lulzim Bashën një ofertë më të mirë për qeverisje. Përkundrazi, tek defektet e Ramës që ja shigjetojnë kundërshatët, projektohen defekte edhe më të rëndësishme tek Basha që nuk ja dallojnë dot përkrahësit.

Në fushatën elektorale të 2013-ës Edi Rama përsëriste kudo: “Unë do të jem kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë”. Ai mundi ta bëjë popullor këtë slogan për një milion frymë që i besuan dhe pritën që qerramarrësi i zyrës në katin e dytë të godinës së qeverisë, të plotësonte ëndrrat e secilit prej tyre. Dikush ministër, dikush tjetër deputet, drejtor, pjesë administrate, polic, biznesmen i suksesshëm, ekspert tatimesh, liçensues për kultivim Cannabis-i apo kultivues i liçensuar Cannabis-i, kryetar bashkie, zëvendësministër apo drejtor burgu.

Katër vjet më pas, në mënyrën me spektakolare të mundshme, më shumë se për zotësinë vetjake, për pazotësinë dramatike të kundërshtarëve që nuk ditën ta mundin, ai triumfoi sërish. Kësaj rradhe totalisht i vetëm. Dhe duke zgjeruar rrethin e njerëzve të cilëve mund t’u plotësonte ëndrrën e ambicjen duke nisur që nga prania në kabinetin qeveritar dhe deri në hallkat e administratës që ai i kishte ndarë më parë me bashkëndarësin e pushtetit Meta në katër vjetët e parë të mandatit të tij. Fiks atëherë kur Edi Rama kishte të gjitha gjasat të binte, ai u ngjith më lart. Kur e shkelmuan si të dobët, ai bë shumë më i fortë. Jo për shkak të grintës së përkrahësve, por për shkak të dobësisë së kundërshtarëve. Njërin nga të cilët, Bashën, e zuri në kurth me vetëm një pikë mjaltë pushteti, rreth të cilit njerëzit e tij zukatën për ca muaj pa kuptuar se para se të jetë karrige, pushteti është moral.

Fushata e vitit të ardhshëm, e mtonjësit kryesor për kryeministër nuk luan asnjë milimetër slogani i djeshëm i Ramës: “Unë do të jem kryeministër”, thotë kryetari i partisë demokratike. Duke yshtur kundërshtarët dhe duke premtuar se thesi i mundësive të tij do të jetë kaq grykëgjerë sa do të nginjë grykën e cilitdo. Nesër Basha premton se njëlloj si Berisha dje dhe Rama sot, do të ketë mundësinë që të jetë alkimisti i rradhës që “…mund të kthejë baltën në flori, gomarin e shndërron në kalë race, budallain e bën në gjeni, të varfërin e mbrëmjes e gdhin të pasur kështu me rradhë deri në plotësimin e çdo ëndrre që mund të kenë adhuruesit e pushtetit, të cilët kanë raportin e kalorësit me kalin mbas kapërcimit të lumit. Por me një diferencë. Lulzim Basha nuk ka mundur të bëhet kalorës i opozitës në këtë raport tresh me kalë dhe lumë, pavarësisht Mercedes-it të ri që përdor dhe Lanës që ndan selinë e tij nga selia e Këshillit të Ministrave. Jo aq për forcën e kundërshtarit, por për shkak të dobësisë së tij. Jo sepse Rama ka qeverisur si Solomoni, siç mendon ai vetë për veten, por kryesisht për shkak të vendimeve të gabuara që Basha ka marrë në kohën e duhur dhe vendimeve të drejta që ka marrë në kohë të gabuar. PD e  mbajti një këmbë jashtë zgjedhjeve deri në momentin e fundit të lokaleve të 2015-ës sepse kishte refuzuar reformën territoriale; u ngujua në çadrën e tij elektorale përpara zgjedhjeve të 2017 dhe u azdis në qeverisje fiks kur filloi fushata elektorale. Dogji mandatet atëherë kur pesha e opozitës në kuvend nis e rritet në mënyrë natyrale dhe për t’i gjetur kulmin marrëzisë, e përjashtoi veten nga çdo pushtet kur refuzoi zgjedhjet e 2019-ës. Në këto kushte, të brohorasësh për mundësinë e të qenit kryeministër kërkohet ose kurajo e madhe, ose guxim pafund. Por shpresa, edhe kur besohet gjerësisht se nuk vdes kurrë, e ka një datë fundi me dekret presidencial. Ajo mund ta lerë PD-në në 25 prillin e vitit tjetër.

Deri atëherë vetëm një mrekulli do ta shndërronte lodhjen e qeverisë Rama në frymë fituese për opozitën. Deri më tani, me portretin e zotit Basha, opozita ka gjithë simptomat e Covid-it politik. Nuk ka aromë dhe nuk ka as shije. Si lulet artificiale.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article RAMIR HADERI/ Elisa, modeli i parë në PS i garës me votë, vinte në Shkodër kur të mjatët e Shkodrës persekutoheshin
Previous article ALFRED MOISIU/ "Nuk po lëviz gjë, edhe drejtësia e re ka frikë nga politikanët? Ka ardhur koha që të japë të paktën shenjat e para..."

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k