• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 7th, 2026
  • HOME
ASTRIT PATOZI/ Të kesh frikë me të ardhë ditëlindja
Home
Blog

ASTRIT PATOZI/ Të kesh frikë me të ardhë ditëlindja

August 17th, 2020 F.autor Blog 0 comments

Sot m’u dhimbs shumë Rexhep Meidani. Sepse e kishin futur në mes, që në pikë të mëngjesit dhe pa pikë mëshire, njëri me lavdërime e tjetri me dekorime, dy personazhet më të papërshtatshëm. Duke e vlerësuar tek ish-presidenti cilësi dhe zgjedhje, që ata vetë as i kanë pasur dhe as i kanë bërë kurrë, për të mos thënë që Rexhep Meidani, për aq sa u angazhua në politikë, ka qenë e kundërta e tyre. Nuk po flas për të tjerat, që kanë të bëjnë me karakterin apo me moralin, sepse gropa bëhet më e thellë pastaj.

Por më e keqja ishte se ata kishin marrë shkas nga ditëlindja e tij për të goditur njëri-tjetrin, a thua se u mungojnë arsyet dhe pretekstet për të vijuar sherrin primitiv midis tyre, i cili nuk mbahet mend kur ka nisur dhe askush nuk e di kur do të mbarojë. Kjo e fundit e bënte dyfish më të padurueshme hipokrizinë.

Natyrisht që unë nuk marr përsipër përjetimet e zotit Meidani për këtë garë të papritur se kush e nderon më shumë si veteran nga ata, të cilët nuk lanë gur pa lëvizur për ta nxjerrë në pension të parakohshëm, që të mos u ngatërrohej më nëpër këmbë. Ai edhe mund të jetë bërë sentimental me kalimin e viteve apo mund hyjë tek ata njerëz, që mezi presin t’u vijë ditëlindja e vet për ta festuar në një mijë mënyra.

Por kjo nuk ka shumë rëndësi, sepse ata nuk e kanë bërë gjithë këtë “sakrificë” për Rexhep Meidanin. Të ishte për atë, do të ishin mjaftuar me një buqetë me lule apo me ndonjë dhuratë simbolike, që mund t’ia kishin dërguar me postë ose me korrier tek shtëpia. Në këtë rast, ata duan të bëjnë politikë me ditëlindjen e ish-presidentit dhe për këtë na drejtohen ne të gjithëve, që të kujtohemi dhe mundësisht të kuptojmë, se sa njerëzorë dhe mosharrues për vlerat kombëtare janë.

Por puna është se kjo është kthyer në një modë gati të përditshme, në një gjueti përvjetorësh të personaliteteve të gjalla dhe të vdekura, për të cilët thuren himne dhe lavde të rreme, që nuk kanë lidhje me asgjë tjetër, përveçse me fushatat elektorale.

Dhe kjo sigurisht që ta shpif aq shumë, sa po mendoja se si mund të shpëtojnë ata që janë gjallë nga ky fenomen i pështirë i përdorimit politik, se të vdekurit nuk e kanë më këtë mundësi.

Që askush të mos të lexojë në mëngjesin e ditëlindjes së vet fjali patetike, të cilat nuk kanë shumë lidhje me atë vetë, por mbi të gjitha me ata që i kanë shkruar. Si i bëhet të sigurohen ditëlindjet për të mos u keqpërdorur politikisht, njësoj siç sigurohen paditë në gjykata, që zullumi të paktën të ndalet përkohësisht?

PS. Duke i kërkuar shumë ndjesë për këto radhë, Profesor Meidanit i uroj gjithë të mirat në ditëlindjen e tij!

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article ILIR BEQAJ/ Për dashnorët e gratis-it!
Previous article MERO BAZE/ Heronjtë e një beteje, që nuk ndodhi kurrë

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k