• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 7th, 2026
  • HOME
SKËNDER MINXHOZI/ Psikodrama e munguar e agjentit serb Edi Rama
Home
Blog

SKËNDER MINXHOZI/ Psikodrama e munguar e agjentit serb Edi Rama

May 27th, 2020 F.autor Blog 0 comments

Ka qenë paradoksalisht dita më e qetë politike pas shembjes së teatrit, megjithëse ka qenë edhe dita e parë, pas momentit kur Presidenti i Republikës formuloi për herë të parë akuza tejet të rënda publike për kryeministrin, që e konsiderojnë këtë të fundit si një antenë serbe në politikën shqiptare. Asnjë deklaratë, thuajse asnjë polemikë, por vetëm mitingje për teatrin në provincë dhe raste të reja me koronavirus. Një ditë normale shqiptare, pa agjentë, thika dhe helm!

Që Rama të mos denjojë të përgjigjet ndaj sulmeve të Ilir Metës, ky është një refleks i vjetër i tij, që vazhdon prej momentit kur Meta është ulur në postin e kreut të shtetit. Ka qenë rregullisht taktikë e kryeministrit të anashkalojë dhe të devijojë me batuta të shkurtra apo me shpoti kalimtare, akuzat e presidentit. Rama ka refuzuar të hyjë në lojë luftash me Metën dhe ka dhënë përgjigje pa ngjyrë për akuzat konkrete të ish-aleatit të tij.

Lëkura e trashë e kryeministrit nuk u prek nga sulmet e presidentit as në dy mars, kur ky i fundit bëri kërcënimet më serioze në drejtim të maxhorancës aktuale.

Në 24 orët e fundit Ilir Meta e rriti dozën. Ai deklaroi se disponon prova se Edi Rama punon për llogari të “lobit proserb në Uashington”. Një pohim që duhej të kishte ndezur flakë studiot e televizioneve, podiumet e konferencave të shtypit, selitë e partive dhe rrjetet sociale. Asgjë e tillë nuk ndodhi. S’ka qenë vetëm Rama që ka heshtur për turbofolkun me agjenturë serbe të Presidentit. Edhe PD, e madje edhe partia e Metës, LSI, të cilat organizojnë konferenca shtypi edhe kur një këngëtar tallavaje akuzon qeverinë, heshtën në mënyrë domethënëse të martën.

Nuk ka qenë një lapsus organizativ dhe as ndonjë amnezi e papritur kolektive, e një grupimi që konferencat e shtypit i ka tashmë sport të preferuar ditor.

Arsyeja e vetme e heshtjes opozitare për akuzat e presidentit ka shkakun më banal të imagjinueshëm: fjalët e Ilir Metës nuk i mori dot seriozisht askush. As Petrit Vasili!

Akuza për shërbim ndaj Serbisë është e lashtë dhe e (keq)përdorur me bollëk në viset shqiptare. Në Kosovë dhe Shqipëri të sulmosh dikë me termin “spiun i serbit” është njëlloj si ta quash “hajdut”, “kriminel” apo “horr”. Motivet që e kanë shtyrë kreun e shtetit të hyjë në këtë “gjiriz verbal”, të cilin s’e beson askush, i di vetëm ai vetë. Ashtu siç e di që kur ngre akuza serioze, të cilat refuzon t’i provojë, retorika bëhet edhe më e lodhur.

Ilir Meta deklaroi gjëra që nuk mund ta lenë të flejë normalisht një president republike. Ai nuk është më në karrigen e kryetarit të partisë, ku mund të akuzojë dhe të thotë “kur të vijë koha, do nxjerr faktet që kam në sirtar”. Kreu i një shteti, kur mëson se kryeministri që ka dekretuar punon për një fuqi armike, bën gjithçka, përveçse atë që bëri Ilir Meta pasi mbaroi emisioni tek Tv Klani. Domethënë asgjë! Duhej të ishin mbledhur me urgjencë të gjitha institucionet e sigurisë kombëtare, të përfshihej drejtësia, parlamenti dhe partitë politike. Një kryeministër i rekrutuar, sipas dëshmisë së presidentit, s’mund të rrijë asnjë sekondë në postin që mban.

E megjithatë sot ra shi, trafiku i rënduar u rikthye i plotfuqishëm në rrugët tona, një “VIP” i pirë shau politikanët dhe një baba me katër fëmijë vrau veten në Sarandë. Gjithçka e përditshme u pa në këtë 26 maj, por jo një mega-skandal që shembi muret e shtetit, për shkak se kryeministri rezultoi agjent serb, me gojën e kryetarit të shtetit.

E gjitha kjo psiko-dramë e munguar e ka një shkak: akuzat bajate për spiunazh në favor të Serbisë janë një gjellë e pangrënshme! Prandaj edhe zhurma për konfliktin e tij me ambasadoren amerikane (një lajm i vërtetë ky!), zuri faqet e para të shtypit, kurse akuzat prej detektivi ndaj Edi Ramës, vetëm sa bënë të venë buzën në gaz ata që i dëgjuan dhe u harruan sapo hynë reklamat televizive të radhës. Sepse i pari që nuk i beson akuzat e Ilir Metës, është Ilir Meta!

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article KRESHNIK SPAHIU/ Rama duhet të qeverisë me Bashën në mandatin e tretë, që mund të krijohet opozita e vërtetë!
Previous article EDVIN KULLURI/ Pse nuk duan nje kod zgjedhor dhe parti te hapura e demokratike!

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k