• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 6th, 2026
  • HOME
IRENA BEQIRAJ/ Vëllezër joopozitarë!
Home
Blog

IRENA BEQIRAJ/ Vëllezër joopozitarë!

January 16th, 2020 F.autor Blog 0 comments

Irena Beqiraj

Opozitarë, por vëllezër! Ky ishte slogani, i cili në ‘92-in, mbi gërmadhat e regjimit komunist artikulohej pareshtur për të mëtuar vëllazëri e paqe midis njerëzish,të cilët në “lojën e re” që quhej demokraci, ndaheshin në këndvështrimet dhe pikëpamjet politike.

Opozitarë, kur duhet të ishin të bashkuar, por vëllezër të ngjashëm, atëherë kur  duhet të ishin të ndryshëm, Në 30 vjet lojtarët e demokracisë, të mbirë në rrënojat e komunizmit, as nga paaftësia e as nga mungesa e njohurive, por me zgjedhje të vetëdijshme, krijuan republikën e tifozëve dhe “pushtetin e votës” e zëvendësuan me “pushtetin  e liderit”.

Ekonomisti dhe statisticieni Harold Hotelling në studimin e tij “Stabiliteti në konkurrencë” ka  prezantuar “çelësat” për të kuptuar demokracinë e sotme elektorale. “Partitë politike, në pamundësi për të qenë vizionare, për të ofruar zgjidhje, pikëpamje dhe alternativa zhvillimi, kanë prirje të afrohen më shumë me njëra-tjetrën, duke krijuar një skenar, në të cilin ka pak dallim midis “të majtës” dhe “të djathtës”. Thënë thjesht, janë të destinuara të luajnë të njëjtën melodi me orkestrantë të ndryshëm. Rezultati padyshim  përsëritet i njëjtë, i mërzitshëm, por kurrsesi i rrezikshëm për mbijetesën e tyre. Konkurrenca e ideve që shtyn drejt progresit, vegjeton në paqe.

Kushdo që ka lexuar apo analizuar programet politike, apo skuadrat përfaqësuese të partive tona e ka thuajse të pamundur të gjejë ndryshime thelbësore, të gjejë një alternativë. Për këdo, është e vështirë që në mënyrë racionale të projektojë të ardhmen e tij mbi fjalitë klishe, premtimet boshe, apo luftën e premtuar e pa kompromis me mullinjtë e erës.

“Virtuozët” e orkestrave politike, nën drejtimin e dirigjentëve të paepur për pushtet, përpiqen të tingëllojnë të ndryshëm, duke ofruar vetëm polarizim ekstrem politik.

Është pikërisht polarizimi politik, mjeti me të cilin arritën në këto 30 vite, të dobësojnë aftësinë e publikut për të frenuar me votë veprimet dhe sjelljet e tyre kundër demokracisë.

Në demokraci, një qytetar qoftë edhe anëtar partie, duhet të konsideronte besnikëri ndaj një force politike aftësinë për ta kritikuar apo kërkesën për të korrigjuar gabimet e bëra nga partia e vet. Në partitë tona dhe jashtë tyre zotëron besnikëria e tifozëve, e cila është e zellshme, e pamenduar edhe e rrezikshme. Brohoritjet e tifozëve të entuziazmuar, pa asnjë aftësi reflektuese, kanë forcuar vetëm ndjenjën e përkatësisë, që në fakt është thelbi i politikës së sotme populiste.

Politika populiste, si një lojë besnikërie, na ka larguar nga parimi bazë i demokracisë “beso, por kontrollo” dhe i ka lëshuar rrugën parimit “adhuro pa kushte e pa mend”, ku çdo humbje elektorale e partisë, është e padrejtë (ose një komplot) dhe çdo kritikë ndaj partisë, është vetëm herezi. Ata që nuk pranojnë të duartrokasin, janë tradhtarë. Debati konsiderohet i dëmshëm, pasi shefi suprem i di të gjitha. Pushteti nuk është më mjeti për të jetësuar programin dhe pikëpamjet e përbashkëta, të cilat formëzojnë bashkimin vullnetar partiak, por çdo gënjeshtër e sajuar brenda nate, është mjeti që na duhet për të marrë pushtetin.

Qartësisht, çdo socialist, çdo demokrat, çdo qytetar i thjeshtë, e di që demokracia  është abandonuar me kohë nga partitë tyre dhe i përket vetëm fjalorit politik.

Duket paradoks që votuesit (edhe brenda partive), nuk kanë dëshirë të ndëshkojnë politikanët për mosrespektim të parimeve demokratike. Por, në fakt, në kushtet e polarizimit politik dhe në mungesë të alternativave, demokracia nuk është më pjesë e ekuacionit.

E vemja zgjedhje që i është lejuar elektoratit, është ”të ndajë mendjen” kush është e keqja më e vogël” dhe ta zgjedh atë si i vetmi obligim qytetar i mbetur.

Dilema, edhe pse dëshpëruese, nuk është e thjeshtë. Kush është e keqja më e vogël, listat e PS-së, ku brenda saj gjenden persona të papërshtatshëm, shpesh edhe me rekorde penale, apo lista  e PD-së mbushur plot me levantinë, sharlatanë edhe të paditur, djem e vajza  që jetojnë nën hijet e vjetruara, të baballarëve të tyre?

Ky ekuacion ka vetëm dy zgjidhje, e para të vendosim në punë instinktin partizan “partia ime e meriton të votohet sepse është partia ime”, ose të abandonojmë në mënyrë të vazhdueshme zgjedhjet dhe më pas edhe vendin. Pjesëmarrja e ulët në zgjedhje tregon se (falë edhe  kufijve të hapur të Bashkimit Europian) më shumë se gjysma e shqiptarëve që nuk votojnë dhe që duan më shumë demokracinë sesa partitë, do ta kenë më të lehtë të ndryshojnë vendin e banimit sesa politikanët e tyre.

E pra janë këta vëllezër, në dukje opozitarë, që me ngjashmërinë në sjellje e veprime, kombinuar me narrativën e ashpër dhe polarizuese, ia kanë arritur dhe do të vazhdojnë të forcojnë instinktet, duke dobësuar arsyen në vendimmarrjet tona, ia kanë arritur dhe do vazhdojnë të izolojnë progresistët dhe t’i mbushin radhët me tifozë, ia kanë arritur dhe do të vazhdojnë që pushtetin e liderëve të na e shesin si pushtetin e votës, duke destinuar çdo mision kërkimi për një “burrë shteti” të përfundojë në gjetjen e një Sulltani.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article SKËNDER MINXHOZI/ Para zgjedhjeve të lira në Shqipëri, duhen zgjedhjet e lira në parti!
Previous article ANALIZA/ Demokratët amerikanë debatojnë

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k