Ilir Yzeiri
Fatkeqësitë natyrore me përmasa tragjike të mëdha, siç është dhe ky tërmet që ka rënë te ne, u ngjajnë tragjedive që nuk kanë autor ose që, në shumicën e besimeve, kanë si autor Fatin. Në mitologjinë greke, fati ose Moires paraqiten në formën e tre vetjeve që kanë një lëmsh në dorë dhe levizin fijet e tij. Clothos mban fijet e ditëve dhe ngjarjeve që jetojmë, Lachersis mban fijet e jetës së secilit nga ne dhe Atropos pret fijet që mbajnë lidhur jetën tonë. Në besimet tona janë zanat, orët dhe hijet që mbajnë në dorë fatin tonë.
Në kohët moderne, kjo mitologji e kuptimit të lashtë të jetës është shndërruar në një tjetër narrativë. Në njërën anë janë forcat okulte të natyrës, siç janë tërmetet apo vullkanet, të cilat nuk varen nga sjellja e njeriut, por janë, më së shumti, mistere të jetës sonë dhe cilësi të planetit mbi të cilin qëndrojmë dhe çojmë jetën. Në anën tjetër, planeti dhe banorët e tij, thuajse çdo vit, përballen me katastrofa që, në shumicën e herëve, kanë si protagonistë sjelljen e njeriut, egoizmin dhe papërgjegjshmërinë e tij. E kam fjalën, në këtë rast, për dëmet që i kemi shkaktuar planetit, për ngrohjen globale e për pasojë përmbytje, zjarre, stuhi, uragane dhe mijëra e mijëra jetë të humbura. Siç thotë filozofi francez, Edgar Morin, planeti po na rikthen feed back-un, në kuptimin që marrëdhënia jonë me të ka qenë një komunikim i vazhdueshëm, por vetëm në një drejtim. Dmth., ne kemi bërë ç’kemi dashur me të dhe tani ai po na kthen përgjigjen.
Të gjitha këto që përmenda, por edhe të tjera që mund të thuhen në këtë rast, nuk e zvogëlojnë dhimbjen e tragjedisë që po kalojnë, sidomos, banorët e Thumanës, Durrësit e të tjerë që kanë humbur të shtrenjtët e tyre në gërmadhat e kësaj katastrofe. Asnjë fjalë jona nuk i sjell më ata në jetë, por ne kemi në dorë që atyre që kanë humbur të dashurit e tyre, atyre që kanë humbur banesat dhe gjithçka tjetër, atyre që rrezikojnë të mbeten pa banesa për shkak të dëmtimeve serioze, të gjithë këtyre, ne e kemi për detyrë që t’ua lehtësojmë humbjen dhe t’i kompensojmë deri në maksimum. Dhe për fat, një gjë e tillë po ndodh.
Gjëja e parë që provova kur pashë solidaritetin e pashoq të shqiptarëve anë e mbanë botës: të vëllezërve nga Kosova, Maqedonia apo trojet e tjera shqiptare, gatishmërinë e vendeve fqinje, Italisë, Greqisë apo Serbisë dhe e pothuajse të gjithë vendeve të Europës, Amerikës e më gjerë për të ndihmuar shqiptarët në këtë ditë të vështirë, pra, duke parë këtë solidaritet, mendova se Shqipëria i ka bërë borxhlinj të gjithë. Vëllezërit tanë nga Kosova ndihen në borxh dhe u nisën menjëherë të parët dhe imazhet që montoheshin në rrjetet sociale me dy karvanet, njëri i vitit 1998 që tregonte familjet e tyre në karro duke ikur nga genocidi serb dhe tjetri i ushtrisë së rregullt të Kosovës që vinte të ndihmonte në nxjerrjen e trupave nga gërmadhat, ishin mbresëlënëse. Edhe ushtarët serbë nxituan të vijnë të parët dhe kjo është një dëshmi e fortë se edhe ata ia kanë borxh Shqipërisë klimën e paqes që ka krijuar në Ballkan vendi ynë dhe sot askush nuk e mendonte se në një fatkeqësi si kjo do të punonin bashkë zjarrfikës serbë, shqiptarë nga Kosova e grekë. Më la përshytpje edhe nxitimi i Francës për t’iu gjendur pranë Shqipërisë dhe për të dërguar edhe ajo specialistët e saj. Edhe ngushëllimi në shqip i Makronit tingëllonte si një borxh që ai dhe shteti i tij i kanë vendit tonë këtë herë më shumë se në çdo rast tjetër, për ngjarjet e fundit të shtyrjes së negociatave. Nuk po flas më pastaj për solidaritetin konstant të Amerikës dhe Bashkimit Europian, për jehonën e kësaj tragjedie në të gjitha mediat e botës apo për mbështetjen financiare dhe morale të shqiptarëve të famshëm që jetojnë në të gjithë botën, nuk po flas as për solidaritetin e personazheve publike të njohura apo shoqatave, klubeve sportive nga Europa e bota që, në një farë mënyre, na bën të ndiejmë se Shqipëria tani është ndryshe dhe ka krijuar një imazh tjetër, se ajo me sjelljen dhe me qëndrimet e saj, ka bërë shumë miq dhe i ka bërë që edhe të tjerët të ndihen në borxh me të.
Mirëpo, borxhin më të madh këtij vendi ia kemi ne, shqiptarët që jetojnë këtu. Dhe këtë po e ilustroj me një shembull. Me që jemi te tërmetet, dua të përmend se japonezët janë populli që ka vuajtur e vuan më shumë prej tyre. Madje, jo vetëm prej tyre, por Japonia është vendi kampion që goditet nga fatkeqësitë natyrore, por edhe ato njerëzore. Të mos harrojmë se mbi këtë vend u hodhën dy bomba atomike. Mirëpo, japonezët janë populli që kanë kulturën më të lartë të vetëpërmbajtjes dhe të durimit. Këtë cilësi të jetës së tyre ata e tregojnë jo vetëm në raste fatkeqësish që i kapërcejnë në heshtje, por edhe në kohë paqeje. Për fat të keq, ne, shqiptarët, në kohë paqeje jetojmë sikur do të rrojmë gjithë jetën dhe shndërrohemi në llafazanë ordinerë, në njerëz që nuk lëmë gjë pa sharë e pa fyer, që e shesim Shqipërinë në tregun banal të fyerjeve, që kemi ndërtuar për vendin tonë imazhin më të ndyrë si vend trafikantësh e kriminelësh, që ngatërrojmë Shqipërinë me qeverinë e radhës, që nuk ndajmë dot çfarë është e atdheut dhe çfarë është sjellje e politikanit të radhës apo e qeverisë së radhës, që po lemerisim miqtë tanë me sjelljen e pashoqe të përçarjes dhe mosdakordësisë, që nuk dimë të ulemi në një tryezë e të biem në një mendje. Ndërsa protagonizmi, banal gjuha idiote e shpifjeve dhe krekosja nëpër studio televizive e njerëzve që komentojnë jo fatkeqësinë, por mllefin e tyre, raportimet banale me lajme të përcipta dhe prononcimet politike prej atyre që në kohë pa tërmete të bëjnë për të vjellë e jo më tani, e bën klimën e këtyre ditëve edhe më gri se ç’është.
Ky solidaritet që po tregojnë të gjithë me Shqipërinë, më bind se miqtë tanë të huaj dhe vëllezërit tanë anembanë botës e dallojnë mirë se çfarë është Shqipëria dhe e ndiejnë dhe sikur duan ta përsërisin se ju kemi ende borxh jo vetëm për atë që po vuani sot, por edhe për atë që keni bërë në këto vite.
Leave a Reply