• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 6th, 2026
  • HOME
MIRA KAZHANI/ Një ditë për të kujtuar teta Mirën, që thoshte gjithmonë llafin e keq
Home
Blog

MIRA KAZHANI/ Një ditë për të kujtuar teta Mirën, që thoshte gjithmonë llafin e keq

April 23rd, 2019 F.autor Blog 0 comments

Nga Mira Kazhani 

Mira quhet një grua që e kam fiksim fëmijërie. Ishte bibliotekarja e qytetit, beqare, tek të 30-at, pak e bëshme dhe fjalëhidhur. Nuk e kujtoj për mirë, edhe pse është një grua zonjë.

Sa herë që shkoja të merrja libra (në komunizëm ishte një mënyrë e mirë për të mbushur ditët e gjata të verës kur mbeteshe shpesh pa shoqet e shokët e pallatit, ngaqë dikush shkonte në kamp pushimesh, dikush në fshat, dikush kishte lojën me orar se i vinte presioni nga ballkoni) e kishte zakon të më vinte në lojë e të më kujtonte që nuk isha e bukur si nëna ime dhe se një Zot e di si kisha dalë aq e dobët dhe e zezë.

Mërzitesha shumë teksa merrja e ktheja librat në bibliotekë dhe lutesha gjithë rrugës që mos të rastiste teta Mira me gjuhën e helmët kur të dorëzoja librin.

E vetmja gjë e mirë ishin librat dhe me to mësova t’i bëja ballë shigjetave tallëse të teta Mirës, për pamjaftueshmërinë e bukurisë time si fëmijë i dy prindërve të pashëm, largimit të shoqeve e shokëve në kampe pushimi a në lumë (shkonin shumë edhe në Lumin Mat, por ky ishte një pushim i papreferuar nga “bukuroshet” e familjes sime) dhe në adoleshencë mësova t’i mbijetoj jetës në provincë. Librat janë të mirë edhe kur çdo gjë në jetë shkon për dreq.

Janë shokë të heshtur që të mësojnë e japin formula të gatshme për eksperiencat që s’i ke kaluar ende a s’do t’i kalosh kurrë. Edhe pse sot është e vështirë të kuptosh nëse njerëzit lexojnë libra apo ‘quotes’ të gatshme nga google. Edhe pse prapë duket ai i mallkuar lexim nëse ka munguar, del nga mënyra sesi nxjerr fjalët dhe paaftësia për të menduar, reflektuar dhe në sjellje!

Mirela Kumbaro ia doli që, megjithë brigadat online kundër një thënieje të postuar në Twitter që e shndërruan në meme, të paktën nismën ta bënte të famshme. Kjo është një meritë që sot nuk ia heqim dot ish-ministres së Kulturës dhe njërës nga përkthyeset më të mira që ka ky vend nga frëngjishtja. Nisma ‘dhuro një libër’ sot, në Ditën Ndërkombëtare të Librit u ndje dhe postua nga një pjesë dërrmuese, edhe pse të gjithë nga pak po kontribuojmë në hendekun mes librit dhe rrjeteve sociale, që janë pronë e mirë e reklamës dhe masës, pjatave dhe pushimeve, e çdo budallai, dhe ku siç thoshte Umberto Eco, çdo budalla flet sikur të ketë marrë një çmim Nobel.

…

Kryeministri po lexon në këto momente një pasazh nga Ismail Kadare, “Mëngjeset në Kafen Rostand” në një live nga facebook i tij ose ERTV. Zgjedhje e mirë Ismail Kadare dhe libri i tij, edhe pse dyshoj se do t’ia ketë shti në mend bashkëshortja, Linda. Aludim është, mundet ta ketë edhe nga mendja e vet. Por, seç më vret veshin kur kryeministri nis e flet për librin dhe thotë se padrejtësisht rrjetet sociale po e zëvendësojnë, se nuk do ta mundin kurrë librin, se libri kështu e ashtu …

“Ah, sa mirë që na dole në shteg!” – Po ju po e thoni këtë? Ju që keni amnistuar e bërë star, të pëlqyeshëm, të ndjekshën, follow-shëm çdo anonim në facebook dhe instagram, faqe bulliste, linçuese dhe medemek shakatore në kurriz tuajin, të burrave e grave, të adoleshentëve, të fëmijëve e të çdo qenieje të paqartë në një kohë pa definicione?

Sepse një njeri librash, siç për hir të së vërtetës është Edi Rama, (s’e mohon dot as armiku më i madh që është i lexuar e di të shkruajë e flasë bukur) e di që duke ripostuar, qeshur, duartrokitur, qoftë edhe me ironi, një anonim, disa anonimë qesharakësisht injorantë e të palexuar, i bën ata institucion. Sepse gjigandi me mendje fëmije (meqë e përdor diku Kadare për Kanunin dhe sot mund ta përdorim si krahasim edhe për rrjetin social) e përçon këtë si një falje, si një modë, trend.

Pranimi, jo refuzimi është mesazhi që shkon e futet direkt në trurin e vogël të atij që noton online tërë ditën e nuk lexon Hararin (Yuval Noah Harari), Kantin, Shekspirin, Kadarenë.

Ai truri i vogël sheh vetëm në instagram dhe kur e bëjnë edhe burrat e shtetit, politikanët edhe këngëtarët e famshëm, aktorët, gazetarët, pse të mos i pranojmë të gjithë të palexuarit dhe injorantët e suksesshëm me shumë ndjekës? Se fundja të gjithë nuk lexojmë dot libra.

Sot më shumë sesa librat m’u kujtua gjuha e hidhur e teta Mirës, gruas së bibliotekës së qytetit, që teksa të jepte një libër, të thoshte gjithmonë një llaf të keq, një koment tallës.

Ndoshta kishte tipin ose nga beqaria e zgjatur tepër në kohë. S’i dihet pse, por ajo me të veten kujtonte se po bënte shaka, edhe pse unë sot e kësaj dite nuk e dua dhe ia mbaj vëth në vesh!

Kështu, sa për librat, të mos bëjmë kot. S’ua ka më njeri nevojën. Shumica jo, njëherë! Dhe fajin për këtë s’e kanë të palexuarit, por të lexuarit! (Tiranapost)

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article EDUARD ZALOSHNJA/ “Një milion shuplaka”, objektiv i vështirë...
Previous article KRESHNIK SPAHIU/ Berisha kishte të drejtë, kur i quajti “Aleanca e Qelbësirave”

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k