Po humbas durimin nga qëndrimi i deputetëve të opozitës….Pamjet e protestave pengojnë integrimin…Zonja e parë e vendit nuk duhet të pengojë negociatat”, deklaroi eurodeputeti Kurt Flakeshtejn, reporteri për Shqipërinë. Por jo vetëm …..Edhe zëdhënësi i Merkelit pasi dënoi “mandatlënët” për veprimin e tyre të paprecedentë në historinë e demokracisë funksionale dhe dhunën në protesta, ju bëri thirrje kandidatëve të listës të tregohen të arsyeshëm në vendimin që do marrin duke ju kujtuar se mandati është individual. Por edhe Ambasada Amerikane, partitë popullore, Komisioni Europian, dënojnë veprimin e “mandatlënëve” dhe dhunën e tyre në protesta.
Ky presion i ndërkombëtarëve shpreh shumëçka për gjithçka. Ata e kanë lexuar mirë kauzën mashtruese të opozitës dhe skenarin për t’a realizuar atë, skenar i inspiruar e projektuar nga Sali -Like (kujto ironinë “zonja e parë…vallë nuk e di Flenkejnshtajni se Mona nuk është zonja e parë?).
Synimi i këtij skenari tashmë është i qartë. Për ta o tani o kurrë duhet të ikë Edi Rama, të krijohet qeveri teknike, për zgjedhjet dhe të shtyhet në “kalendat greke”, – reforma në drejtësi -synimi i parë dhe synimi i dytë, – negociatat nuk duhet të hapen me Edi Ramën, por me qeverinë teknike prandaj o burra, destabilitet- me mashtrime, shkatërrime, dhunë…kundërshtim e mospranim të ndërkombëtarëve…Një “harakiri” me ndërgjegje të plotë e synime të qarta.
Vallë nuk e kuptojnë këta precedentin që krijojnë, që nesër përsëri opozita do t’ju bëjë të njëjtën lojë duke dorëzuar mandatet dhe duke grumbulluar militantë fanatikë ,madje jo 2000 e 3000 sa ishin këta tek parlamenti ,por shumë më tepër….
Ata e dinë këtë, por…nuk u intereson e ardhmja. Ata duan tani destabilizimin dhe imazhin e keq të Shqipërisë me çdo çmim e me çdo mjet. Dhe ky skenar është përgatitur me kujdes nga ata dy “kryeburra të pandëshkuar” nga “kryeburri i korruptuar”.
Se Luli e Mona nuk kanë aq tru për këto skenare. Ata janë thjesht instrumente për të shpëtuar ata dy “kryeburrat e pandëshkuar”. Luli babain shpirtëror dhe Mona babain e fëmijëve të saj. Por dhe pasuritë e tyre, vilat, wc-të e florinjta, orgjitë, luksokracinë etj., etj….
Njerëz politikë të tillë, të kudondodhshëm e gjithçkabërës, të përdorshëm për kudo dhe të përdorshëm për gjithçka, prof.R.Qosja, i cilëson si “Kiçe”.
Është pak të thuash që këta individë e kanë kaluar masën e gjykimit dhe arsyetimit.. Pa ide, pa kauza, pa vizione? Mendërisht të mefshtë, intelektualisht anemikë e kulturalisht diabolikë. Nuk është e vështirë të dallohen këta “kiçe” kur e kur: me pamjen, me veshjen, me flokët, me sjelljen, me të folurit, me debatet, me deklaratat e me analizat e bisedat.
Duke stigmatizuar Lulin si “kiç”, ai i drejtohet të gjithë “kiçeve” të politikës — “lulashë e lalashë”-“kope servile” e politikës. (F.Mehdihoxha, A.Duke, V.Dule, D.Shehi, Sh.Idrizi, N.Ndoka etj.,”kryetaruc” të sekteve partiake klanore apo familjare), të cilët Latini i ka cilësuar me një term “SERVUM PECUS”:
E konkretisht për Lulin:
Nuk ka masë, as masë politike, as masë kulturore, as masë etike sa që gënjen e mashtron edhe kur tregon orën?! Perse të mos abuzojë e të mos mashtrojë “qytetarët” e vet që i ka aq për “zemër”?!” Mendimet e tij, përciptësia e tyre, të dhënat që sjell, pasaktësia e tyre, vlerësimet që bën, pavlefshmëria e tyre, diksioni i të folurit, pa natyrshmëria e tij, gjestet e shtira me të cilat i plotëson-te gjitha këto, i bëjnë paraqitjet e tij të padurueshme deri në neveri”.
Kush është ky kiç që këmbëngul si budallai dhe përpiqet të destabilizojë Shqipërinë vetëm e vetëm të bëhet kryeministër, si shansi i fundit i Saliut dhe Likes, për të mos u ndëshkuar nga drejtësia?
Ju kujtohet besoj është ai kiçi i çadrës së lirisë që do krijonte Republikën e Re në gërmadhat e së vjetrës, që nuk do linte asnjë shqiptar pa ujë, bukë e drita që do ulte çmimin e naftës dhe TVSH – në, që do rriste pagat e administratës dhe pensionet me 50%, që do vinte taksën e sheshtë 9%, që do të rriste subvencionet e bujqësisë me 150 milion euro, që do t’u jepte 200 mijë familjeve të varfër buke, ujë, drita dhe strehim falas etj., etj? Edhe shkurtim taksash edhe rritje e buxhetit?! Një fantazi distopike!
E këtij kiç politikani, më kallpi, më dembeli, më i paafti i të gjithë kryetarëve të partive shqiptare gjatë këtij tranzicioni. Simbol i ministrit vrasës e hajdut, emblematik në vjedhjen e votave dhe në modelin e një kryebashkiaku dallkauk! Që hyri në partinë demokratike, për hiret e vajzës së Saliut dhe u vu në krye të saj për të mbrojtur Familjen.
Një politikan, që jo vetëm gënjen e mashtron ,por edhe një politikan, që kudo ku shkon vjell “vrer” kundër Shqipërisë, vetëm e vetëm për të akuzuar kundërshtarin politik dhe për të përfituar disa kredenciale për veten e vet, një hije– kopje e keqe e Berishës dhe më keq akoma vazhdimësi e tij për një alternativë mashtruese, shkatërruese, korruptive, banditeske, antishqiptare, si thoni ju a mund të votohet për kryeministër, një kiç politikan i tillë?
Kaq shumë e ëndërron sa që edhe para investitorëve dhe disa” senatorëve “të huaj prezantohet si kryeministër i ardhshëm ,para militantëve të tij flet e “marshon” drejt së “ardhmes së tij si kryeministër. Që e bëjnë patetik e qesharak! .
Një “djaloshi” të “burrëruar” nga ngjirja e zërit, për të imituar babain shpirtëror, në veset më të këqija të tij, a mund t’i lihet në dorë një shtet me 61 bashki, kur ai nuk mundi të menaxhonte dot një bashki?
Përfytyrojeni një moment këtë “Burrec” kryeministër. Çfarë do të prisni?
Vjedhje dritash e grabitje pronash, ndërtime pa leje e legalizime kioskash, prishje sheshesh e mbikalimesh e prerje pyjesh, korrupsion, vjedhje, vrasje e anulim të Vettingut, me një fjalë kthim “në mbretërinë saliane” të anarkisë totale të vendit. Nëqoftëse e doni këtë shkoni e protestoni! Protestoni për lakminë e tij për t’u bërë kryeministër, protestoni për të “shpëtuar” Sali Berishën & bijtë e tij që lozin e tallen me pasuritë tuaja, protestoni për të “mbrojtur” pasuritë marramendëse të gjyqtarëve, prokurorëve dhe politikanëve.
Lakmia për pushtet dhe impotenca për ta realizuar atë e çuan Lul-Monën në marrëzi, me qëndrime, veprime dhe sjellje kaq vulgare, sa që fyen mendjen dhe shpirtin e çdo njeriu normal.
“Noli adfleclare quod tibi non est datum delusa ne spes ad querelam recidat”, thotë Latini për ata njerëz, kur natyra nuk i ka dhënë një dhunti. Dhe kështu nuk kanë arsye të lakmojnë e të qahen duke ua hedhur fajin të tjerëve, që me mashtrime, shkatërrime dhe dhunë kërkojnë të fitojnë atë që nuk e marrin dot me aftësitë e tyre. Me fjalë të tjera kjo në mënyrë më të sintetizuar mund të shprehet: “Lakmo o i mjerë atë ç’ka të ka dhënë natyra, vetëm kështu nuk zhgënjehesh”!
Në gjithë këtë “tollovi” politike teatrale, por me skenar të mirë përgatitur nga “ustallarë” për destabilizim politik dhe “me devizën “o tani, o kurrë”, vetvetiu të lind një pyetje kruciale:
A janë shqiptarë dhe a e duan atdheun dhe popullin e tyre këta politikanë ,që kanë instaluar një tranzicion “sizifian” në këtë vend si rrjedhojë e luftës për pushtet për 30 vjet me radhë?
Në një koment në fb, miku im Nonda Andoni shkruante se.”…në një situatë të tillë ishte edhe Kroacia para negociatave, por u bënë bashkë opozitë e pozitë për negociatat….Pas gjashtë muajsh kroatët e futën në burg kryeministrin për …një orë dore të shtrenjtë. Por ….ata ishin kroatë të vërtetë ,që e duan vendin e tyre ..po këta tanët a janë shqiptarë të vërtetë?”
Tashmë, që Europa i ka ndezur Shqipërisë dritën jeshile për hapjen e negociatave dhe është në prag të hapjes së tyre, opozita dhe qeveria janë bashkëpërgjegjëse të barabarta për udhëheqjen e këtij populli drejt një shoqërie demokratike. Prandaj duhet t’i “venë gishtin kokës”.
Si mazhoranca ashtu edhe opozita!
Për të mos e humbur edhe këtë shans historik, si herët e tjera për shkak të kokëfortësisë, kryeneçësisë, xhelozisë apo për interesa të ngushta personale. Duhet t’i lenë mënjanë interesat e vogla meskine, partiake, lokale, cinike, vulgare dhe të tregohen europianë, në zgjidhjen e problemeve: me dialog, negociata, debate konstruktive (sidomos në parlament) dhe duke reflektuar kudo e në çdo gjë një sjellje etike (pa sharje, ofendime, akuza etj).
Për herë të parë në historinë e këtij tranzicioni të trishtë, të bashkohen dhe të tregohen një herë të vetme atdhetarë racionalë dhe të përgjegjshëm.
Është kjo një dëshirë popullore, është edhe një apel i miqve të sinqertë dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë, por mbi të gjitha një amanet i lëvizjes së dhjetorit “Ta bëjmë Shqipërinë si Europa”, aktuale edhe tani pas 30 vjetësh, por që është venë në pikëpyetje nga marrëzia e “mandatlënëve” të opozitës. Por edhe një detyrim moral!
Përse detyrim moral?
Se ky popull është kaq i vuajtur, nëpërkëmbur, vjedhur, vrarë aq sa stërmundimi i tij absurd mbi 100 vjeçar mund të krahasohet me stërmundimin absurd të Sizifit . Sizifi është heroi absurd, ai është i tillë si për pasionet, ashtu edhe për vuajtjet e tij. Sizifi ishte i dënuar nga perënditë që të ngjiste pa pushim në një shkëmb në majë të një mali një gur të rëndë ,por menjëherë sa guri arrinte këtu ai rrokullisej tatëpjetë e përfundonte përsëri në rrëzë, në fund. Ai nuk do të mundte kurrë të plotësonte detyrën, do ta ngjiste pra deri në majë, gurin, do të mundohej, do të lodhej por, guri përsëri do t’i kthehej poshtë. Qëllimit do t’i afrohej deri në buzë dhe për një fije, ai kurrë nuk do të mundte ta plotësonte atë. Nuk ka ndëshkim më të tmerrshëm se puna e padobishme dhe e pashpresë.
Ndërsa ne jemi të dënuar nga politikanët e këtij 100 vjeçari, që ta mbajmë këtë gur të rëndë mbi supet tona duke u zvarritur me këmbë të përgjakura dhe me shpirt të sfilitur, i cili çdo ditë pjell varfëri dhe pasiguri, rrënim shpirtëror dhe padrejtësi.
Fati i Sizifit dhe fati i shqiptarëve është një. Shkëmbi është synimi i tij. Shkëmbi për shqiptarët është Europa. Në kuptimin metaforik, miti i Sizifit përdoret për të treguar stërmundimin e kotë, lodhjen pa fryt, lidhjet e shumta që ekzistojnë me punën pa qëllim dhe me situata që të kërkosh një gjë dhe të mos e arrish dot kurrë, edhe pse mundimi ka qenë i përditshëm, i tej lodhshëm, rraskapitës dhe i paarritshëm.
A nuk ngjajnë vuajtjet e Sizifit me sfilitjen e shqiptarëve, të cilët në kthesa të rëndësishme të historisë, nga që i ka munguar prijësi i duhur, nuk ka mundur të orientohet drejt për të arritur në kohë qëllimet e mëdha?.
A nuk ngjajnë vuajtjet e Sizifit me stërmundimet e shqiptarëve për ta bërë vendin të lirë dhe demokratik, duke luftuar e bërë qëndresë në momentet më kruciale të historisë së vet, për pavarësinë, për territoret?
A nuk i ngjan stërmundimit të Sizifit qëndresa e shqiptarëve përballë pushtimit fashist, kur edhe mbreti i tyre i la në mëshirë të fatit duke i’a mbathur me të “katra”?
A nuk ngjan stërmundim absurd i Sizifit me atë stërmundim 50 vjeçar të bërë nga populli për të transformuar vendin se do hanin me “lugën e florinjtë”?
A nuk i ngjan stërmundimit të Sizifit ëndrra e shqiptarëve për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian!?
Ëndërr, që politikanët tanë konfliktualë, inatçinj, hipokritë e primitivë po e shtyjnë në “kalendrat greke”?
A mbaroi stërmundimi i shqiptarëve me rrëzimin e diktaturës, apo përkundrazi filloi një stërmundim tjetër më i rëndë me “terapinë e shokut”, me mashtrimet ,shkatërrimet e dhuna e me luftën për pushtet ?
Edhe sot e kësaj dite, pas 30 vjetësh, ky gur i rëndë vazhdon të dërrmojë supet e gjakosur dhe këllqet e deformuar të shqiptarëve që kanë vuajtur tërë jetën. Të zhgënjyer nga politikat e gabuara dhe të rrënuar nga papunësia e varfëria e tejskajshme, largohen për një jetë më të mirë, nga vendi, duke mallkuar politikanët, varfërinë, ndoshta dhe ata që i lindën dhe i rritën.
Përse për shqiptarët, Europa është një dëshirë popullore?
Sepse Europa është një mentalitet i ri për ne për të zëvendësuar zakonet e të drejtën zakonore të shoqërisë fisnore me ligje që janë bazament për një shtet.
Shoqërisë sonë i duhet Europa si mentalitet i ri për t’u ngritur kundër mentalitetit të vjetër të besimit, politikës mbytëse, kundër veseve të shoqërisë, duke quajtur domosdoshmëri, krijimin e një morali e një mendim i ri, për të “shuar” “njollat” e egërsisë primitive që na vijnë hera-herës nga thellësitë e shekujve.
Arsyeja sizifiane na vjen sot si mesazh për të prapsur e rrudhur egërsinë primitive që shfaqet hera-herës në protesta, në gjakmarrje, në vrasjet brenda dhe jashtë familjes ,në dhunën ndaj grave, sherret e ofendimet …deri në Parlament,
Duke pritur e duke pritur me premtime e mashtrime atë që nuk na ka ardhë kurrë e ndoshta nuk do të na vijë ndonjëherë …Por që shpresa është bashkudhëtare e shqiptarëve, e këtij populli që nuk dorëzohet nga pritja e gjatë, një popull i vetmuar, që edhe i braktisur edhe nga klasa e vet politike, e kalon jetën duke pritur e që nuk di as vetë se çfarë presin….Dhe prapë shpresojnë, shpresojnë tek amerikanët, gjermanët e europianët se diçka do të bëjnë për këtë popull jetim pa lider politik që t’i orientojnë në drejtimin e duhur.
Për këtë populli të mrekullueshëm, por të vuajtur e të nëpërkëmbur. Që për një shekull është zvarritur si Sizifi dhe një “ditë të bardhë” nuk ka parë.
Nëse një ditë këtë klasë politike konfliktuale, kusare, antihumane, mediokre, hipokrite, demagoge e mbi të gjitha pa dashuri për atdheun e popullin historia do t’a “kryqëzojë” në Shtyllën e Turpit”, juve europianëve do t’u jetë Mirënjohës, nëse na përfshini edhe ne në gjirin tuaj. Duke i dhënë një grusht të rëndë klasës sonë politike, por duke korrigjuar sado pak edhe padrejtësitë që i janë bërë këtij kombi nga paraardhësit tuaj. Tani është momenti …O tani o kurrë… ndryshe, guri i rëndë i Sizifit do na ngelet në shpatullat tona të gjakosura kushedi edhe përsa kohë…E meritojmë..? Ndoshta! Edhe…për fajin tonë….Se ende vazhdojmë të flemë e ëndërrojmë. Ndoshta duhet të zgjohemi e ta hedhim në koshin e plehrave këtë klasë politike e të marrim në dorë fatin tonë …Zaten kështu thotë edhe Zoti: Ndihmo veten të të ndihmoj edhe unë…Sytë, veshët, gojën, hundën dhe trurin ua kam dhënë…Amen!
Leave a Reply