• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 6th, 2026
  • HOME
ALTIN KETRO/ Koha që kryetari i KLSH-së t’i takojë Partisë Socialiste!
Home
Blog

ALTIN KETRO/ Koha që kryetari i KLSH-së t’i takojë Partisë Socialiste!

January 29th, 2019 F.autor Blog 0 comments

Nga Altin Ketro

Pas rrëzimit të kandidaturës së zonjës Vitore Tusha, propozuar nga Presidenti Meta në detyrën e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), duket se sërish mazhoranca socialiste do ta rrëzojë kandidaturën pasuese, atë të zotit Bahri Shaqiri. Në fakt, kandidatura e zonjës Tusha ishte e shkëlqyer, për më tepër që ajo kaloi edhe procesin e vetting-ut, gjë që ia shtonte vlerat si personalitet. Ndonëse ajo kishte një problematikë që binte ndesh me ligjin, sepse nuk kishte eksperiencë në çështjet financiare, personalisht pata ndjesinë se ishte një tendencë e Presidentit për ta “djegur” në këtë post, me qëllim që të bllokohej ngritja e institucioneve të drejtësisë meqë zonja në fjalë ishte e vetmja që kaloi vetting-un nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Edhe kandidatura tjetër, ajo e zotit Shaqiri, ka të njëjtën problematikë ligjore si ajo e zonjës Tusha, sepse edhe ai nuk ka eksperiencë në çështjet financiare.

Nga ana tjetër, duket se vetë mazhoranca socialiste dëshiron që në krye të KLSH-së të jetë një përfaqësues i saj, por që nga selia e presidencës kjo nuk shihet e arsyeshme meqë kështu, sipas saj, “kapen” të gjitha institucionet nga partia në pushtet.

M’u desh të kthehesha pas në kohë për të parë se cili është historiku i drejtimit të këtij institucioni të rëndësishëm gjatë viteve të demokracisë. Më rezultoi se, pas fitores së PD-së në zgjedhjet e 22 marsit 1992, drejtimin e këtij institucioni e mori zoti Blerim Çela, aktivist dhe deputet i PD-së. Në këtë detyrë ai qëndroi 5 vjet, deri në vitit 1997, kur shumica parlamentare kaloi nga kahu i majtë. Ndonëse PS-ja në atë periudhë zotëronte 2/3 e Kuvendit, ajo u tregua luajale dhe nuk vendosi atje një njeriun e saj, por një përfaqësues politik të Ballit Kombëtar, zotin Mustafa Kërçuku. Ai qëndroi në detyrë në periudhën 1997 deri 2004.

Ndonëse mandati 7 vjeçar i zotit Kërçuku përfundoi kur ende PS-ja ishte në pushtet, kjo e fundit, sërish nuk zgjodhi për pasues një nga radhët e veta, por ia la opozitës. Gjatë viteve 2004 deri 2011 institucionin e KLSH-së e drejtoi zoti Robert Çeku, i cili vinte në atë detyrë si deputet i Partisë Republikane. Përfundimi i mandatit të zotit Çeku korrespondoi me qenien në pushtet të Partisë Demokratike.

Edhe kësaj here nuk qe e thënë që kryetari i KLSH-së të vinte nga radhët e PS-së, ndonëse ajo në atë kohë ishte në opozitë. Në atë detyrë u propozua zoti Bujar Leskaj dhe Kuvendi, me mazhorancë të djathtë, e zgjodhi atë pavarësisht se ai ishte edhe deputet i PD-së. Në këtë detyrë zoti Leskaj qëndroi 7 vjet, nga viti 2011 e në vazhdim, deri në zgjedhjen e të riut. Është për t’u theksuar se zoti Leskaj ka hequr dorë vullnetarisht për një mandat të dytë.

Në këto 27 vjet, institucioni i KLSH-së është i vetmi që nuk ka pasur në drejtim të sajin asnjë kryetar që të ketë ardhur nga radhët e PS-së. Duket sikur KLSH-ja është një institucion  i “mallkuar” për të pasur në krye të saj një përfaqësues nga PS-ja. Dhe, më e habitshmja është se përse duhet doemos të konsiderohet i kapur prej saj në këtë rast, kur në të shkuarën që e drejtonte PD-ja ajo njëkohësisht i kishte te vetat gjithë pushtetet e tjera!

Në rast se nisemi me logjikën që drejtimi i KLSH-së duhet t’i takojë opozitës, kjo do kishte kuptim nëse mandati i kryetarit do zgjaste aq sa mandati i opozitës. Pra, për një kryetar të KLSH-së që i përket opozitës, kur partia e tij vjen në pushtet, ai automatikisht duhet të japë dorëheqjen.

Kurse me modelin që kemi aktualisht, kur mandati i tij është 7 vjeçar, ndodh që në këto intervale pozita dhe opozita të alternohen dhe sërish ai është në detyrë. Sado që PD dhe PS janë alternuar, kësaj të fundit s’i ka rënë kurrë bingo-ja. Dhe, meqë kryetari është propozim i Presidentit, PS-së sërish i duhet të presë ditën kur të ketë ajo Presidentin prej radhëve të saj. Edhe këtu ajo ka një “mallkim”, sepse në këto 27 vjet, ndër 5 presidentë, PS-ja ka pasur vetëm një nga radhët e saj.

Nuk është serioze që një kryetar KLSH-je të zgjedhur nga radhët e PD-së ta quajmë normale kur partia e tij është në pushtet e opozitë, dhe ta quajmë jo të pranueshme kur kryetari të vijë nga PS-ja, kur kjo parti është në pushtet ose opozitë.

Në këto kushte, ka dy alternativa: ose të ndryshohet ligji përkatës e të sanksionohet që kryetari i KLSH-së i takon të zgjidhet një përfaqësues i opozitës së kohës, me mandat 7 vjeçar, që rri në detyrë, ai e të tjerë, aq kohë sa opozita të vijë në pushtet; ose kësaj here të propozohet një kandidaturë që vjen nga radhët e mazhorancës socialiste si prishje e një syri të keq që kësaj partie i është mohuar e drejta për afro tri dekada ta drejtojë këtë institucion të rëndësishëm kushtetues.

 A është përfaqësues politik i saj, a e përzgjedh ajo nga shoqëria civile, kjo nuk ka humb rëndësi. Ajo që vlen është fakti që tashmë ka ardhur koha që Presidenti Meta t’ia kërkojë drejtpërdrejtë kandidaturën për kryetar të KLSH-së, Partisë Socialiste.

Nuk mund të trajtohet më partia më e madhe në Shqipëri, si e padenjë që të ketë edhe ajo të drejtën që kryetari i KLSH-së të identifikohet me emrin e saj. Kjo do të ishte e papranueshme! (TemA)

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article ARTAN FUGA/ Një delirant dhe shoqëria e gënjeshtrave
Previous article ASTRIT PATOZI/ Ka një mënyrë për të shpëtuar nga sigurimsat që kapin shtetin

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k