• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 7th, 2026
  • HOME
ENVER ROBELLI/ A u largua Ditmir Bushati nga posti për shkak se kundërshtoi ndarjen e Kosovës?
Home
Blog

ENVER ROBELLI/ A u largua Ditmir Bushati nga posti për shkak se kundërshtoi ndarjen e Kosovës?

December 28th, 2018 F.autor Blog 0 comments

Ishte një tallje e radhës e Edi Ramës. Kur njoftoi se nga posti i ministrit të Jashtëm do ta largonte Ditmir Bushatin, Rama tha se ka ardhur koha që Bushati t’i përkushtohet Shkodrës. Bushati me sa duket e parandiente se shefi i tij i deritanishëm do të tallej, andaj para se të merrte fermanin fatal shpërndau një video mbi një aktivitet të tij social në Shkodër.

Momenti i largimit të Bushatit, i cili së paku ka një përvojë në diplomaci, është indikativ: po ndodh në prag të fillimit të një procesi shumë të paqartë për të ardhmen e Kosovës, një proces ku Kosovën e ka futur presidenti i saj – me përkrahjen herë diskrete dhe herë jo aq diskrete edhe nga Edi Rama. Largimi i Bushatit po ndodh në fund të një viti mjaft intensiv në raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë. Intensiv nuk domethënë edhe produktiv.

Ka disa indikacione që tregojnë se Ramës assesi nuk ka mundur t’i pëlqejë refuzimi i Bushatit për të qenë pjesë e debateve për «ndarjen e Kosovës», «shkëmbimin e territoreve», «korrigjimin e kufijve». Kur gjatë verës kryetari i Kosovës filloi një fushatë agresive me konferenca për shtyp, intervista konfuze e premtime megalomane («do ta marrim krejt Luginën e Preshevës»), heshtja e Ramës u vërejt edhe në zyrat e shumë ministrive të Jashtme të vendeve të BE-së. Heshtja interpretohej si miratim i ideve për ndarjen e Kosovës që kanë diskutuar presidentët e Serbisë dhe Kosovës në takime sekrete dhe jo aq sekrete nëpër dynja. Përse nuk fliste Edi Rama lidhur me propozimet për ndarjen e Kosovës? Nuk ishte kjo vetëm pyetje e njerëzve në Prishtinë.

Ndërsa Rama heshtte, në fund të gushtit Ditmir Bushati i dha një intervistë gazetës «Panorama», ku qartë kundërshtonte planet e presidentit të Kosovës – dhe njëkohësisht godiste edhe shefin e tij në Tiranë, Edi Ramën. «Nuk kemi pse shpenzojmë energji me mënyrën se si do të kompensohet Serbia në këmbim të njohjes së Kosovës», thoshte Bushati. Dhe vazhdonte: «Për Shqipërinë dhe aleatët e Kosovës, statusi i Kosovës është çështje e mbyllur dhe pavarësia e saj e pakthyeshme. Prandaj duhet të mbështetemi tek ato parime themelore që sigurojnë paqen dhe stabilitetin demokratik në rajon. Vështruar në këtë prizëm, statusi i Kosovës nuk mund të rihapet as në format dypalësh e as shumëpalësh. E aq më tepër të bëhet objekt krahasimi me raste të tjera të kthyera në ‘konflikte të ngrira’, si pasojë e tolerimit të ‘parimit të rivendosjes’, çka do t’i dhuronte mundësinë për depërtim aktorëve të tretë në Kosovë dhe rajon». Aktorët e tretë është një eufemizëm për Rusinë.

Intervista e Bushatit dhënë «Panoramës» është interesante jo vetëm për shkak të sfidimit të Ramës. Ishte hera e parë pas shumë vitesh që një politikan socialist si Bushati pajtohej me Sali Berishën sa i përket Kosovës. Berisha ka kundërshtuar në vazhdimësi ndarjen e Kosovës. Këtë ai e ka bërë shpesh me gjuhën e tij arkaike, të vrazhdë. Kritikat e Berishës ia humbën orientimin aq shumë kryetarit të Kosovës, saqë në fillim të gushtit ai doli e tha se Berisha e ka strehuar Bin Ladenin. Ishte njëra prej atyre përrallave të kalbura që kryetari i Kosovës i hedh në profilin e tij në Facebook, pastaj kur e sheh marrëzinë që ka bërë dhe kur gazetari ia përkujton, ai si të ishte një robot bërtet: «Po rren, pse po rren, rrenë, shpifje, rrenë». Kush po rren?

Ministri i deritanishëm i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, nuk përflitej për afera korruptive. Me sa duket edhe ai ka rënë viktimë e përpjekjes së dëshpëruar të shefit të tij që përmes arnimeve, zëvendësimeve me zëvendësues, emërimeve folklorike ta shtyjë edhe ca kohë në pushtet. Kur ndërrohen gati të gjithë anëtarët e kabinetit, a ka kuptim që të mbesë aty ai që ka qenë shef i tyre? Ai që e ka pasur obligim të udhëheq si duhet një ekip dhe jo vetëm të harxhojë gati krejt energjinë në llafe të hedhura në mediat sociale. Ndryshimet e sotme në qeverinë socialiste në Tiranë nuk janë shenjë e forcimit, por e dobësimit të Edi Ramës. Janë edhe shenjë se brenda Partisë Socialiste shumica e kanë kuptuar dobësimin dhe për të mos rrezikuar pushtetin, askush s’ka guxim të kundërshtojë. Por, ky nuk është vetëm fenomen shqiptar. Është gjithandej në Ballkan.

Një ndryshim paralajmërues në qeverinë e Edi Ramës ka ndodhur para dy muajsh: Hajrullah Çeku, i cili nuk i takon klasës së dallaveraxhinjve të politikës, i tha lamtumirë kabinetit qeveritar në Tiranë. Me gjasë e dinte se anija ishte futur në ujëra të rrezikshme. Dhe kapiteni s’e mbante më kursin. Po të kishte qëndruar, Rama sot mund ta bënte ministër – sa për efekt folklorik. Por, edhe në shoqërinë shqiptare ka njerëz që më shumë u pëlqen muzika rock se folklori politik.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article AFRIM KRASNIQI/ Shumica e qeverisë iku, show u garantua, mediat morën lajm e qytetarët ushqim për biseda kafenesh, por sfidat reale mbetën
Previous article SKËNDER MIXHOZI/ I habiti të gjithë…edhe vetë ministrat

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k