Nga Bledi Lumani
Ka një betejë të ethshme, gati qesharake, mes mediave pranë qeverisë dhe opozitës, nëse studentët duhet të protestojnë para Kryeministrisë, ose jo.
Njëra palë denoncon me emra dhe foto personat që po ua “rrëmbejnë” protestën studentëve dhe po e çojnë tek Kryeministria, pala tjetër denoncon Arlind Qorrin me shokë, pse nuk i çojnë studentët tek Kryeministria.
Ky debat pa kuptim, në një farë mënyre ka kompleksuar edhe studentët, që nuk guxojnë as të kalojnë nga Kryeministria.
Po i shmangen Kryeministrisë, si “djalli temjanit”.
Në fakt, i vetmi vend ku duhet të mblidhen sot studentët, është pikërisht Kryeministria.
Jo vetëm se Lindita Nikollën tashmë ata e kanë shkarkuar praktikisht, por edhe sepse i vetmi që po negocion me ta (më saktë, po përpiqet), është pikërisht Edi Rama.
Është Rama ai që ka në dorë zgjidhjen, jo Lindita,
Ndaj studentët nuk kanë pse mblidhen as tek Ministria e Arsimit, as tek “Zogu i Zi”.
Ata kanë punë me Ramën dhe duhet të protestojnë poshtë zyrës së tij.
Dhe kjo, jo vetëm pse Lindita Nikolla nuk ka se çfarë t’iu ofrojë, por sepse protesta e ka tejkaluar qëllimin e nisjes së saj dhe është kthyer në një revoltë pakënaqësie për gjëndjen në vend.
Ajo është një protestë politiko-sociale dhe është kjo arsyeja, që ndryshe nga çdo protestë e mëparshme, kjo e studentëve ka ngjitur kaq shumë dhe ka ngazëllyer shoqërinë.
Ajo tani nuk është më një protestë për arsimin, por një klithmë për të ringjallur shpresën e vdekur.
Atë shpresë që Rama, si i fundmi i politikanëve të brezit të tij, nuk arriti dot ta ngjallte, edhe pse shpresat për të kur erdhi në pushtet, ishin të mëdha.
Ndaj tani duhet të përballet me të zhgënjyerit e tij.
Këtë radhë jo për t’iu dhënë shpresë, por llogari dhe zgjidhje.



Leave a Reply