/Plarent Ndreca
Sot nga Kryeministri i Shqipërisë Ju bë e ditur zyrtarisht Kuvendit të Shqipërisë se Presidenti i Republikës ka ushtruar kompetencën e tij Kushtetuese. Ai nuk ka miratuar propozimin e Kryeministrit për emërimin e Sandër Lleshit, në detyrën e Ministrit të Brendshëm.
Që nga ky moment, Kuvendi i Shqipërisë është vënë në vonesë nga Kryeministri i Shqipërisë, për të respektuar detyrimet e tij Kushtetuese.
Neni 98/2 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë parashikon se: “Dekreti (i Presidentit) shqyrtohet brenda 10 ditëve nga Kuvendi”.
Po a mundet që kjo shkresë që njoftoi Kryeministri të konsiderohet dekret presidencial?
Une them po! Po, sepse nëpërmjet asaj shkrese Presidenti i Republikës ka zbatuar drejtpërdrejt një prej kompetencave të tij kushtetuese, duke mos emëruar Ministrin e Brendshëm. E ushtrimin e kompetencave të tij Presidenti nuk mund ta bëjë veç se nëpërmjet dekretit presidencial.
Neni 93 i Kushtetutës parashikon: “Presidenti i Republikës, në zbatim të kompetencave të tij, nxjerr dekrete”.
A është dekreti presidencial çështje forme apo çështje përmbajtje?
Unë them në mënyrë të padyshimtë që është çështje përmbajtje. Pra nuk e bën “Dekret” aktin e Presidentit emri apo forma e tij, por përmbajtja e aktit. Nëse akti i Presidentit është në zbatim të një prej kompetencave që i janë njohur në Kushtetutën e RSH-s, ai, pavarësisht nga emri apo forma e përdorur, konsiderohet dekret presidencial.
Në kushtet kur Presidenti ka ushtruar kompetencën e tij, për mos dekretimin e Ministrit të Brendshëm, ky akt konsiderohet për shkak të parashikimit Kushtetues si dekret presidencial.
Kryeministri i Shqipërisë dekretin presidencial për mosemërimin e Ministrit të Brendshëm ja bëri të ditur zyrtarisht nga foltorja e tij Kuvendit të Shqipërisë. Në këto kushte, nga sot, Kuvendit të Shqipërisë i ka filluar afati 10 ditor për të shqyrtuar vullnetin e shprehur të Presidentit të Republikës.
Kuvendi ka detyrimin të vendos rrëzimin ose miratimin e këtij dekreti, për rrjedhojë rrëzimin apo miratimin e propozimit të Kryeministrit.
Presidenti i Republikës është shprehur, e ka ushtruar kompetencën e tij, duke mos e miratuar propozimin e Kryeministrit.
Tani e ka rradhën Kuvendi, është detyrim i tij madje, që siç e parashikon Kushtetuta, duhet të shprehet për aktin juridik të Presidentit të Republikës dhe të mos ler vëndin pa Ministër të Brendshëm.
Leave a Reply