Nga Kristo Mërtiri
-Ore babam, mos u sëkëlldis hic nga anonimët me pseudonimet fantazmë! Se që nga koha e baba Qemos, ata këtë avaz kanë. Si në monizëm dhe në pluralizëm, nuk dalin kurrë në sheshmejdan me emrin dhe mbiemrin e tyre të vërtetë. Zakonisht marrin nishan e qëllojnë prapa gardhit dhe fshihen si minj gjirizi.
Dhe nëse u vjen sahati i tyre i lig, lëshohen si qentë nga zinxhiri dhe bëjnë gjithcka për të kafshuar gjoja në emër të parimeve e të drejtësisë si drapri. Mos e harro Timoleon e paharruar, mikun tënd të vecantë, gazetarin ish partizan që mbylli sytë me dinjitet sapo mbushi 90 vjec në Sarandë. Krenar si ai dhe me shumë plagë të pamerituara në trup e në shpirt.
Por ajo mbrëmja zezonë kur do të vendosej pushimi i tij nga puna e gazetarit dhe degdisja me 3 turne në fonderinë
përvëluese të ish Uzinës Traktori, do të binte bashkë me rrufetë si në qiell të pastër ! Themi kështu
sepse në mëngjes, shkrimit të tij kritik nga Gjirokastra iu thurën ditirambe e u vlerësua si më i miri.
Madje, u ekspozua dukshëm edhe në tabelën përkatëse në korridorin e gazetës së dashur “Bashkimi”, si
model e shembull për të tjerët !
Por… në mbrëmje deri vonë, ndodhi ajo që ndodhi. Befas, ranë rrufetë nga maja e “Olimpit”(?!). O Zot, disa nga ata kolegë që e kishin lëpirë e lavdëruar autorin e shkrimit në mëngjes, gjatë asaj mbrëmjeje mallkimtare u tjetërsuan menjëherë në pështymhedhës të neveritshëm.
Vetëm Pirro Kondi ua ndali pakëz vrapin e sulmin donkishotian atyre faqezinjve që donin ta groposnin të
gjallë ! E kish njohur herët nëpër shtigjet e Luftës partizane, qysh në Kongresin e Rinisë Antifashiste në
Helmës të Skraparit, ashtu me bllokun e shënimeve në torbën me fishekë të djaloshit luftëtar nga
Lukova…
Po sot ? Ah, sot po na mbyt mizëria me minj anonimë nëpër gjirize interneti ! Vjellin e përmjerin si në errësirë, në kompiutera e celularë. Asnjëherë me emër e mbiemër sakllam, shpesh duke qelbur faqet e mediave online dhe të asaj të shkruar (në print). Ata duan që truri e pena jote të pushojnë ose të prehen nëpër grazhdet partiake e ulërake ku militojnë verbërisht e djallëzisht. Por edhe ata që hiqen trashëgimtarë të persekutuar politikë, kërkojnë të shtojnë të ardhurat financiare nëpër kolibet ku lehin ditë e natë.
Dhe rrojnë e mbretërojnë pa asnjë punë të paqme, presin këmbë përmbi këmbë këstet shtetërore të përfituara fare qyl mbi kurrizin e dërmuar të taksapaguesve të varfër shqiptarë. Se për c’farë meritash dëmshpërblehen këta pinjollë anonimë, sot e kësaj dite nuk po e kuptojmë dot ! Pra, me njerën dorë në revani e me tjetrën në bakllava…
Pa asnjë fije hipokrizie a patetizmi, po e them për herë të parë publikisht : Autorët e letrave me emër e mbiemër, nuk i urreva kurrë ! Megjithse mjaft prej tyre ia fusnin si kau pelës, asnjërin nuk e denoncova te organet e djeshme të “Diktaturës së Proletariatit”(Hetuesi, Prokurori e Gjykata).
Dhe personalisht nuk jam bërë pishman aspak. As me familjet e fisin e tyre nuk u mora kurrë majë më majë. “ Madje, ne të nxitnim shpesh si me hosten për të vepruar, por ti heshtje, ngrije krahun lart, shtrije pëllëmbën dhe bëje sikur hidhje dicka pas kurrizit.
Pastaj ngrije gishtin tregues dhe e drejtoje në qiell, te i Plotfuqishmi i Gjithësisë, që të merrej ky me ata
lapërdharë që sot “përgjërohen” për Lirinë dhe të Drejtat e të Persekutuarve Politikë. Dhe harrojnë qëmjaft prej atyre ish të burgosurve e të persekutuarve, vec të tjerave, kanë marrë dënime e rëndime të ndryshme edhe nga ca dëshmi me gojë a me shkrim të këtyre anonimëve të pacipë që ngjajnë shumë me lakuriqë nate. Nëpër Labëri i quajnë edhe lapurakë, nga ata që janë pa pupla në trup, qafërrjepur ose kërmill pa guaskë e plot jargë ! Ata fluturojnë e veprojnë kryesisht natën, pa lënë mënjanë “lakuriqët veshgjatë”.
Mizëria me anonimë e eunukë, më shpesh më bëjnë për të qeshur dhe për t’u tallur me këtë
racë aspak në zhdukje. Realisht, më shtojnë humorin mes shokëve e miqve në biseda. Për të qenë i
sinqertë deri në fund, edhe këtë shkrim mund të mos e hidhja në letër a kompjuter. Por të mërkurën në
mbrëmje vonë, e theva heshtjen. Përse vallë ?
Mëngjesin e asaj dite e nisa ndryshe. Pa dalë ende nga shtëpia me kredi, ra zilja e
celularit. Po më kërkonte si me këmbëngulje ai cobani 81 vjecar nga Kuci i Kurveleshit, për të cilin u
botua një shkrim i vecantë. Plot humor e batuta pikante labe, ai burrë i vuajtur e tepër dinjitoz, po më
falenderonte e uronte me zemër. Ashtu sic dinë të mencurit e shumtë në Labërinë e dashur dhe me
shumë vlera…
Gjatë gjithë ditës, emocionet e gëzuara të mëngjezit më shoqëruan me një përjetim të
vecantë njerëzor. Por në mbrëmje, provova një thartirë të papritur e të pasitur, kur një kolegu im i vjetër
po më lexonte me zë reagimin skuthian të një anonimi “antikomunist” llafazan illegal, që ora e
ndryshkur i paska mbetur te “kampi aushvic” në Tepelenë, duke e nxjerrë lepurin nga ferra dhe kokën e
muhabetit si struci. Dallkaukllëk e maskarallëk që e përcollëm shpejt me atë shprehjen ndihmëse të
Kryeministrit tonë “Shpif, shpif se lirohesh !”…Por edhe qeshëm me të madhe.
Pra, i zoti e jep, por tellalli ilegal e mediokër kërkonte qiqra në hell dhe kuiste qenërisht me gjuhë lapuraku. As nuk arrita të thoshja : O Zot, na ruaj nga Anonimët rrënjëdalë e kurrizdalë !…Ndoshta nuk ka shumë rëndësi se c’farë miushë janë, të vegjël në trup e në shpirt, matufë të pagdhendur a gërxho kafeneje. Mjaft prej tyre i njoh mirë.
Sepse u shkoi jeta zhytur nëpër kanale e gropa të zeza me emrin e përbashkët “Gjiriz”.
Mjeshtra anonimë që kënaqen, velen e gogësijnë erërëndë kur arrijnë të nxijnë jetën e të tjerëve. Mirëpo, e
vërteta mund të hollohet por nuk këputet e as fshihet dot përjetësisht. Shkurt, nuk futet minarja në thes
! Dhe cuditërisht janë nga ata tipa që u ha sot dhe e kruajnë të nesërmen nëpër frëngji interneti, si
njerëz lapërdharë, të pacipë e ethebutë gojëndyrë prapashpine. Burracakë që nuk flasin e as shohin
drejt në sy.
“- Miku ynë në metropol, këta shkarrashkrues errësire ti i vë në majë të gjilpërës e ballë për
ballë, aspak syunjur…Ti dhe familja jote, as dje e as sot nuk rrëmbyet nga shteti asnjë qindarkë
dëmshpërblimi për djegjen e shkrumbosjen dy herë të shtëpisë me kulm e themel nga pushtuesit e huaj
dhe minjtë e tyre kolaboracionistë. Nuk fituat nga shteti monist e pluralist asnjë kacidhe nga burgimi,
dënimi e internimi politik i babait tuaj Antifashist i orëve të para, në qelitë rënkimeshumë të kalasë së
Gjirokastrës dhe në skëterrën e Gurores në Shëngjin(Lezhë).
Nuk morët asnjë qindarkë nga torturimi, masakrimi e pushkatimi nazist i gjyshit, i të vetmit burrë peshtanak në Operacionin Armik të Dimrit(1943-’44) etj. Ata eunukë koloviten shpesh si copë mishi me dy sy herë majtas e herë djathtas, nga të fryjë era e parave të pista. Dhe shfaqen sikur u këputet barku për ishkampet e internimit.
Harrojnë se një ditë do të katandisen pa parime fare, duke i shitur te palët në konflikt. Jo rastësisht në
nahijen time, këta lakuriq nate i kashaisin me shpoti e qesëndi të holla brisk. E, sidomos taborin me minj
interneti anonimë. Le ta mbyllim me një buzëqeshje: “ – Një mësues, një ditë pyeti nxënësit : -Sa vite
rron një mi ?… Nxënësit, të befasuar, ca nguruan, ca dhanë përgjigje të kota. Një nxënës që nuk
aktivizohej shpesh, ngriti gishtin dhe u përgjigj : – Kjo varet nga macja…
Leave a Reply