Ka mbetur edhe plot një muaj e gjysmë nga zgjedhjet lokale të 14 tetorit në Belgjikë dhe motorët elektoralë janë ndezur në maksimumin e tyre. Ethet zgjedhore kanë përfshirë padyshim kandidatët e të gjithë komunave të Belgjikës, të cilët kanë nisur fushatën elektorale, gjithkush sipas mënyrës së vet. Pa dyshim që prej vitesh listave te kandidateve, si edhe fituesve u janë shtuar edhe emrat e përfaqësuesve të komunitetit shqiptar. Kjo në komunat e 3 rajoneve të shtetit federal belg: në Bruksel, Valoni e Flandër.
Që nga dita e sotme, Albania Plus, si një nga zërat përfaqësues të shqiptarëve të Beneluksit, do publikojë çdo ditë, portretin e njërit prej kandidatëve shqiptarë në zgjedhjet e pushtetit lokal belg. Sigurisht, që shkrimi i parë në këtë rubrikë i përket zotit Ahmet Gjanaj, deputeti i parë shqiptar i rajonit të Brukselit në historinë mbi 60 vjeçare të prezencës së shqiptarëve në Belgjikë. Ai është gjithashtu i zgjedhur 2 herë radhazi në komunën e tij Molenbeek si këshilltar komunal dhe në këto zgjedhje, garon për një mandat të tretë në listën e Partisë Socialiste frankofone dhe flamane belge. Mandati komunal është 6 vjeçar.
Aktualisht, PS-ja në Molenbeek, ndonëse forcë e parë politike e dalë nga zgjedhjet e fundit lokale të 2012-ës, është në opozitë për shkak të «tradhtisë» së një partie me peshë shumë të vogël, Qendra Demokratike Humaniste (CDH), e cila përkundër marrëveshjes parazgjedhore e nënshkruar me PS-në, vendosi që të lidhë koalicion me Lëvizjen Reformatore (MR), duke rrëzuar kryetarin e shumë njohur, Philippe Moureaux. Nga frika se do të kantandisej në opozitë MR-ja, forcë e djathtë, i fali më shumë poste drejtuese CDH-së së vogël se çfarë i ofronte PS-ja në raport me peshën e saj reale.
Në këto zgjedhje, PS-ja ku kandidon Ahmet Gjanaj, është përsëri favorite dhe ka shumë gjasa që të rrëmbejë drejtimin e komunës me në krye e bija e kryetarit historik z.Philippe Moureaux, znj. Catherine Moureaux. Në këtë skenar, Gjanaj i pozicionuar në numrin 4 të listës, shihet si favoriti për të qënë zëvendëskryetari i parë shqiptar në një komune belge ashtu siç është deputeti i parë shqiptar në rajonin e Brukselit!
Në paraqitjen e tij, 48-vjeçari Ahmet Gjanaj shkruan se ka lindur në Bruksel më 7 qershor 1968 ndërsa origjina e familjes së tij është nga fshati Bicaj i Kukësit. Zoti Gjanaj është i martuar dhe babai i 2 fëmijëve, ndërsa është diplomuar nga Fakulteti i Shkencave Ekonomike të Universitetit të Lirë të Brukselit. Tema e tij e diplomës, padyshim që do të ishte rreth Shqipërisë, atdheut të tij dhe pikërisht «Kalimi i Shqipërisë në ekonominë e tregut». Gjatë më tepër se 25 vjet zoti Gjanaj ka pasur disa eksperienca punësimi ku ndër to spikatet ajo e analistit ekonomik në Zyrën rajonale të nxitjes së biznesit të vogël dhe të mesëm. Ai aty ka ndihmuar në hapjen e mbi 1000 biznese të cilat kanë punësuar mbi 1500 veta në një hark kohor 15 vjeçar.
Pikërisht, PS-ja është partia që i përgjigjet më shumë pritshmërive dhe nevojave të banorëve të rajonit të Brukselit thotë Gjanaj, në veçanti në komunën Molenbeek. Programi i PS-së në Molenbeek parashikon aktivizimin e të rinjve që janë pa punë me këshilla dhe kërkim financimi, ngritje të shkollave të reja për të përballuar rritjen demografike që njeh kjo komunë dhe ngritjen e cilësisë së arsimit komunal, nxitje të ekonomisë lokale me këshilla, shoqërim profesional dhe kërkim financimesh, rritjen e aktiviteteve sportive, shtimin e aktiviteteve për të rinjtë dhe në mënyrë të përgjithshme, një reduktim të çmimeve të shërbimeve të komunës dhe të çerdheve për banorët e komunës.
Në karrierën e tij politike 20 vjeçare, ka garuar në disa palë zgjedhjesh që faktorizuan politikisht më në fund, dhe komunitetin shqiptar të Belgjikës. Origjina e tij, fryma atdhetare me të cilën është rritur e ka angazhuar në maksimum me diasporën Shqiptare. Ahmet Gjanaj është Kryetar i Shoqatës Albabel, i shkollës shqipe dhe i grupit të valleve Vatra si dhe i Qendrës kulturore me të njëjtin emër. Gjithashtu Gjanaj është kryetar i Unionit të Bizneseve Shqiptare në Beneluks. Në zgjedhjet e 14 tetorit Ahmet Gjanaj ka sjell një risi për komunitetin shqiptar. Me pozicionin e tij në PS dhe njohjet e tij, Gjanaj ka arritur që të çojë në kandidimin e një sërë kandidatësh shqiptarë në disa komuna të rajonit të Brukselit.
Kjo strategji ka për qëllim thotë Ahmet Gjanaj, që të faktorizojë dhe më thellësisht komunitetin shqiptar në këto komuna dhe të rritë mundësitë dhe avantazhet e ndryshme për shqiptarët në ato komuna por përgjithësisht për të gjithë shqiptarët në modelin e arritjeve që ka sjellë vetë Gjanaj që prej zgjedhjes së tij si këshilltar në Molenbeek e pastaj si deputet. Ai kujton se falë mbështetjes politike e fituar me marrjen e mandatit të këshilltarit në Molenbeek dhe më shumë akoma me marrjen e atij të deputetit të Brukselit, ai ka arritur që të hap shkollën shqipe, të ngrejë grupin folklorik dhe të përfaqësojë denjësisht komunitetin shqiptar në politikë e kulturë.
Leave a Reply