• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 9th, 2026
  • HOME
ELDA SHABANI/ Marrëdhënia e komplikuar midis modës dhe politikës
Home
Blog

ELDA SHABANI/ Marrëdhënia e komplikuar midis modës dhe politikës

August 17th, 2018 F.autor Blog 0 comments

Elda Shabani/

Veshja është një simbol i rëndësishëm i identifikimit kulturor dhe politik dhe një mjet i komunikimit joverbal, po aq i rëndësishëm sa parimet dhe politikat e tyre. Moda, është në thelb politike, pasi njësoj si politika ajo propagandon. Sot politika dhe moda janë në bashkëveprim kompleks. Edhe pse lidhja e tyre nuk është natyrore, ajo është e kapur fort nga politikanët, si një mënyrë për të çuar përpara synimet e tyre. Në një botë moderne, ku çdo gjë konsumohet shumë shpejt si ushqimi, moda, premtimet elektorale si dhe debatet politike, të cilat janë afatshkurtër ; nga Brexit tek Trump,  nga emigracioni te  terrorizmi, në mënyrë të pashmangshme  duket se jemi mbërthyer nga  trazira të vazhdueshme.  Të përfshirë në këtë klimë nuk mund të mohohet se  moda është mjeti më i sofistikuar për  të pastruar figurën e politikanit. Ata  janë sot të kuruar dhe fjalimet e tyre shndërrisin  nga veshjet e tyre luksoze. Fushatat e tyre politike pasqyrojnë një  shkëlqim të rremë,  një spektal të vërtetë mode. Jo rrallë herë, në daljet e tyre publike, veshja e tyre është nje  maskim  për makinacionet e tyre të dyshimta. Nën petkun e qingjit të butë  shumë prej tyre përdorin veshjen për të çorientuar dhe shpërqëndruar  mendjet tona.

Natyrisht, lidhja e politikës me modën është  shumë e hershme dhe nuk i përket vetëm botës postmoderne por ndryshe me  të kaluarën,  kjo mënyrë propoganduese e veshjes te elitat e kohës kishte në vetvete  një lloj përmbajtjeje dhe kuptimi  prapa shkëlqimit të veshjes së tyre tradicionale. Luigji  XIV i Francës,  përdori veshjen  si mjetin e tij kryesor për të përforcuar pozitat e tij në pushtet. Ai  u quajt për kohën si mbreti i sharmit dhe i lluksit. Ai  e bëri Francën të njihej si  lideri botëror në shije dhe stil. Elizabeta e parë e Anglisë, një nga sovranet më të shquara të historisë së Anglisë, e përdori veshjen për të përforcuar statusin e saj si mbretëresha  e virgjër, duke shprehur fuqinë dhe pasurinë që vendi i saj nuk e kishte.  Gjatë mbretërimit të saj, Anglia si mbretëresha e detit zotëronte flotën më të madhe në Botë, gjë që do të sillte  për vendin zhvillimin e tregtisë. Kështu mëndafshi nga Kina do transformonte jo vetëm  veshjet e saj të stolisura me gurë të çmuara por edhe një modë  të re  në stilin Elizabetian në të gjitha sallonet dhe ballot që zhvilloheshin në atë kohë. Marie-Antoinette me një personalitet dhe  stil jetese ekstravagant  si dhe prirje ndaj artit e pasioneve e kthyen atë në figurën më të përfolur të Francës. Por ajo gjithashtu ishte  mishërimi i shijes, i stilit dhe i modës.  Kur princesha e re udhëtoi nga Austria në Francë për t’u martuar, me Luigjin XVI në 1770, u ndal në kufirin mes dy vendeve, për të hequr të gjitha veshjet e saj austriake dhe u vesh me fustanin  e kurorezimit të stiluar dhe qepur në  Francë. Katerina e Madhe e Rusisë, mbretërimi i saj në periudhën 1762-1796 u quajt si “Epoka e Artë” e historisë ruse. Katerina II, ndryshe njihet si “Epoka Katerianiane” njësoj si epoka elizabetiane në Angli. Veshja e kurorëzimit, ishte  balsam dhe simbol i identitetit kombëtar. Një tjetër figurë e veçantë është  Sulejmani i  Madhërishëm. Në kohën e lulëzimit të perandorisë otomane, ai  ndërtoi për herë të parë kodin e etikës së veshjes. Ai  përdori artin, arkitekturën dhe veshjen për të lartësuar  dhe për të komunikuar statusin e tij në mënyrë hyjnore. Madje dizajni  dhe veshjet e tij frymëzuan dhe mbretin Henri III-te  të Anglisë, i cili huazoi materialin velvet të zbukuruar me perla dhe fije prej  floriri.

Nëse do të hedhim një vështrim  drejtpërsëdrejti imazhit politik të kohës moderne dhe  mbi  rëndësinë e veshjes, dhe si ka ndryshuar kjo lidhje kaq komplekse dallojmë  disa figura pikante, shumë prej të cilëve i kanë qëndruar kohës duke mbetur ikona frymëzues të modës;

E gjithë garderoba e  Mbretëreshës Elisabeta II, ka qenë një armë për të  projektuar e rritur fuqinë dhe dinjitetin mbretëror si një figurë kombëtare. Në të gjitha daljet e saj në publik të bien në sy dorezat të cilat nuk i ka hequr asnjehërë dhe  kryesisht kostume ku pikasin  ngjyra të forta e të ndezura.

Fidel Kastro dhe  Ernesto Che  Gevara, figurat kryesore të revolucionit kubanez dhe atë Marksiste. Të dy mbahen mend për portretin e një  udhëheqësi  rebel me uniformë jeshile  ushtarake dhe sigurisht pa lënë mënjanë beretën me një yll  të Che Gevares, çizmet e tij  të zeza dhe një puro në dorë duke krijuar jo vetëm një stil provokues dhe kontrovers por dhe imazhin e  një  lideri  i cili përfaqëson ideologjinë e tij politike.

Frida Kahlo, ndërtoi identitetin e saj, përmes artit, pikturës, politikës dhe veshjes. Pamja dalluese e Kahlos, e përbërë nga tre detaje: Lulet në flokët e lidhur gërshet, bluzë në formë katrore si dhe një fund i gjatë  për të fshehur këmbët e saj të dobëta,  shprehen rrënjët e saj etnike meksikane. Veshja e saj  shërbeu si  çelësi për mënyrën se si Kahlo e ndau identitetin e saj në një mënyrë kuptimplotë duke ndërthurur aftësinë të  kufizuar fizike me bindjet e saj politike. Lulet në kokë ishin për të simboli i jetës dhe dashuria që ajo kishte për natyrën. Ndërsa trupin e saj të gjymtuar e transformoi në një vepër arti duke shprehur bindjen e saj politike si një pjesëtare e partisë komuniste .

Kennedy-t në vitin 1962. Stili i tyre u bë një frymëzim për vendin dhe më gjerë. Jackie Kennedy, u bë një ikonë e modës  globale gjatë viteve të saj si Zonja e Parë, gruaja e presidentit amerikan John F. Kennedy. Si Zonja e Parë, ajo  krijoi një imazh tejet personal dhe elegant. Veshja më kulminante e saj është padyshim kostumi ngjyrë rozë i Chanel-it e kombinuar me kapelen cilindrike pa strehë, e që  më pas u bë një fenomen i modës. Ndërsa ngjyra roze, përcillte imazhin e pavarur dhe delikat të figurës femërore.

Hillary Clinton, gruaja e parë kandidate për presidente në Amerikë, por edhe si Zonjë  e Parë , nuk i ka shpëtuar syrit mediatik përsa i përket stilit të veshjes të cilën ajo e shfrytëzoi dukshëm edhe pse shumë më minimaliste dhe më pak guximtare në zgjedhjet e saj  në krahasim me Kennedy. Clinton duke zgjedhur pantallona të thjeshta dhe xhaketa  të gjata  ndërtoi  një imazh të qartë, duke demonstruar kështu fuqinë dhe ndikimin e madh të modës, edhe në një fushë të tillë si ajo e politikës.

Michelle Obama, gjatë tetë viteve në të cilat burri i saj shërbeu si President i Shteteve të Bashkuara, ka terhequr jo pak  vemendjen e  kritikave të cilat kanë qenë  pozitive. Është i dallueshëm fakti  se edhe Mischelle ka treguar Interes  të lartë ndaj stilit të veshjes dhe imazhit femëror në botën e politikës.

Yanis Varoufakis, ish-ministri grek i Financave, ka qenë i njohur për stilin e tij të guximshëm duke u bërë shpesh subjekt i polemikave, në një botë ku shumica dërrmuese e politikanëve duken relativisht identik e konservator. Kryesisht e kemi parë  në takimet e tij zyrtare, të veshur me një këmishë pa jakë, xhinse të zeza , xhaketë dhe çizme lëkure. Jo më pak interesant e që s’mund t’i  shpëtojë  syrit magjik të  aparatit fotografik duke u bërë i njohur edhe jashtë Shqipërisë, imazhi i  kryeministrit Edi Rama. Si politikan por edhe si  artist, ai shfaqet gjithmonë me një stil krejt të veçantë e  me shije. Veshjet janë plot ngjyra njësoj si pikturat e tij, duke e bërë atë të paimitueshëm në stil.  Kravatat të  zgjedhura plot fantazi janë unike dhe simbolike. Pa frikë, mund të konsiderohet si arma e  tij më e fortë  për të gdhendur imazhin e një politikani me shpirt artisti. Kryeministri jonë,  bën ndryshim nga kornizat e klasës politike duke u  kthyer në një figurë politike shumë debatuese; mjafton të kujtojmë kostumin shik të kombinuar me atletet me tre viza, në takimin dypalësh me presidentin francez Emmanuel Macron dhe takimet e tjera  me anëtarë të tjerë të lartë të institucioneve të BE-se.

Si përfundim, sot ndikimi i imazhit në politikë po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm. Veçanërisht me përdorimin e gjerë të masmedias  politikanët më shumë janë të vetëdijshëm për paraqitjen e tyre vizuale. Sigurisht duhet pranuar  se veshja është një ndër shqetësimet më të vogla për një politikan, por nga ana tjeter ai duhet të njohë rregullin bazë për veshjen, atë “Minimalist”, si edhe  duhet  të shfaq jo vetëm identitetin personal por edhe atë kombëtar e kulturor.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article VLADIMIR KARAJ/ Praktika e KPK: Arsyet që çuan në shkarkimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve
Previous article ASTRID PRANGE/ Abuzimi dhe kisha katolike

F.autor

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k