Nga Bedri Islami
Në vazhdimin e debatit që hapi gazeta DITA mbi qeverisjen e deritashme të “formacionit” Rama, ditën e djeshme ajo solli një intervistë të gjatë të avokatit të njohur Ngjela, i cili, prej disa kohësh është njëri ndër të afishuarit kundër qeverisë së tashme, sidomos pas fenomenit politik të njohur si “Çadra”.
Në të vërtetë rrugëtimi politik i avokatit ka qenë i larmishëm, herë- herë ai ka qenë dishepull i Berishës dhe kundërshtar i Ramës, herë tjetër ka qenë pranë Ramës dhe kundërshtar i Berishës, gjithnjë në të papriturën e tij, e cila, megjithëse e paraqitur si gjetje anglosaksone, më shumë ka pasur “koktejin” e njohur shqiptar, por me nuancat e larta polemike që i ka dhënë karakteri i tij i drejtëpërdrejtë, mundësia për të qenë i pranishëm dhe e shkuara.
Natyrisht që DITA , duke bërë këtë hapje disi të papritur që nuk është i njëjtë me mendimin e saj, shprehur edhe nga botuesi Dabulla, e dinte se do të kishte edhe reagime, por kjo nuk e pengon atë në misionin që ka bartur që nga dita e parë e botimit – të jetë e lirë dhe të krijojë lirinë për të tjerët.
Kjo nuk përjashton askënd që të jetë i një mendje me zotin Ngjela, por, po ashtu, askënd nuk privon nga e drejta për të thënë mendimin e tij.
1-E do apo jo Edi Rama reformën në drejtësi?
Edhe sipas avokatit të njohur reforma në drejtësi është çelësi i së ardhmes së shtetit shqiptar. Është njëra ndër ato reforma jetike, qenësore, kundër së cilës u përfshinë struktura të tëra të opozitës së sotme, në dy krahët e saj dhe me të cilën e për të cilën desh u bënë pazare të shumtë dhe të turpshëm.
Edhe zoti Ngjela e pranon se qeveria Rama në dy vitet e fundit të katërvjetëshit të parë ishte angazhuar fort për këtë reformë.
Ndërsa tani, sipas avokatit, Rama dhe qeveria e tij, në një treshe politike të njohur , Rama-Berisha-Meta, janë vënë kundër saj.
Të jetë e vërtetë kjo dhe këtë të vërtetë mund ta shpallë vetëm Ngjela si i vetmja gjë e saktë dhe e pamëshirshme?
Në fakt, reforma në Drejtësi po zhvillohet me ritme më të ngadalta se sa është pritur dhe qeveria mund të ketë përgjegjësinë e saj, sidomos nga vënia e paktë në lëvizje e grupit parlamentar të shumicës.
Mendimi i institucioneve serioze ndërkombëtare, këtej e përtej Atlantikut ka qenë e vazhdon të mbetet se, nga të gjithë liderët e tashëm, i vetmi që po përpiqet dhe po e shtyn këtë reformë në kufijtë e të mundshmes, është Rama, qeveria e tij.
Reforma është një mekanizëm i vënë në lëvizje, i cili, më shumë se sa rëndon në dëshirën e Ramës, tani është peng, ose më saktë, strukturë të cilin e kanë në duar organizma të tjerë, të cilat, as sot e as nesër, nuk do të toleronin një shef qeverie që përpiqet të hedhë në erë krijesën e tyre, për të cilën kanë investuar kohë, politikë, përplasje, shtrëngim rripash, financime të ndjeshme.
Edhe po të dojë Rama nuk e ndal dot këtë mekanizëm, megjithëse faktet dëshmojnë se ai po përpiqet të bëjë një gjë Sizifi, shpesh herë edhe fillikat në tryezën e politikës, pikërisht nga se qëndrimi kundër është i rrezikshëm, i ashpër dhe i vazhdueshëm.
Përse bën opozita shfaqjet e saj në parlament? Përse çirret, bllokon, shan, kërcënon, turfullon, nokion – do të thotë sillet e tëra me nivelin e Mul Nokës, si përfaqësuesi më intelektual i saj?
Përse një teatër që nesër mund ta prishin vetë pa asnjë dhembje? Për zgjedhjen e Arta Markut të cilën herë e miklonin e herë e mallkonin/ për vëllian e Agron Xhafës që e kishin nën pushtetin e tyre dhe e “harruan”, për ta kujtuar kur po u digjeshin shpresat, pikërisht nga reforma në drejtësi?
Më shumë se gjithë të tjerëve, Ramës i intereson zhvillimi i mëtejshëm i reformës, në mos për tjetër, për llogaritë e tij politike, e jo vetëm politike.
Nëse Rama, dhe këtë ai e di fare mirë, nuk e kryen këtë reformë gjatë këtij mandati, pra, nëse drejtësia nuk pastrohet nga “plepat” që dërgoi si misionarë famëkeq aty politika, ai do të jetë viktima e tyre e rradhës. Do të jetë viktimë politike, pasi nuk do të mishërojë investimin më të madh euroatlantik; por do të jetë edhe viktimë personale, pasi , një grupim i vjetër i drejtësisë do të lëshojë “rrufetë” e tij pikërisht mbi njeriun , koha e të cilit filloi spastrimin e madh.
2-A ka humbur Rama mbështetjen ndërkombëtare, pra, a e pranon më atë politika amerikane në funksion të reformës , por edhe si lideri i tashëm i këtij vendi?
Është e natyrshme që në tallazitjet politike të një vendi, aq më tepër kaq të vogël dhe të skajuar si Shqipëria, lideri i saj, mund të ketë baticat dhe zbaticat në vëzhgimin ndërkombëtar, sidomos tek partnerët kryesorë.
Deri më tani, qeveria Rama dhe ai vetë, është sulmuar nga opozita se ka marrë nën sqetull dy përfaqësuesit më të lartë diplomatik, atë amerikan, Lu dhe zonjën Vlahutin, të dy të larguar tani, jo nga “protestat” e opozitës, e cila i shau dhe i mallkoi deri në librin e shtëpisë, por sepse mbaroi një mandat dhe fillojnë një tjetër.
Mendimi i zotit Ngjela është krejt i ndryshëm: Rama nuk është më njeriu i besuar, sidomos i amerikanëve dhe mendimi politik ndërkombëtar e ka vënë atë nën embargo.
Nuk është e rëndësishme se nga vjen ky konkluzion i zotit Ngjela. Edhe sikur këtë të mos ia thonin dy miq të tij në Berlin, sipas intervistës së cituar, ky është mendimi i tij dhe ai e mbron këtë. Gjithkush është në të drejtën e tij të mbrojë një mendim të caktuar.
Mirëpo na lodhi kjo arritje në një konkluzion të rëndësishëm nga njohjet empirike apo të thelluara, të papërcaktuara, të pashtjelluara dhe shpesh herë të paditura.
Megjithëse krahasimi im çalon, kjo më kujton deklaratat e Bashës që, sa herë që dekonspiron apo ia fut në tym, gjen “ mbështetje” tek shërbimet inteligjente, të cilat, megjithëse të panjohura, paskan krijuar lidhje vetëm me atë, pinjollin berishian, Basha.
Ngjela, sigurisht, nuk futet tek këto. Ai e njeh politikën amerikane, por askush nuk e ka autorizuar të flasë në emër të kësaj politike. Ai është zoti Ngjela dhe flet në emrin e tij. Ndërkohë që politika amerikane, ndryshe nga sa shpresonin kundërshtarët e tij, edhe pas presidentit të ri, nuk ndryshoi në mbështetjen e qeverisë Rama, përkundrazi e bëri shpallen e saj edhe më të dukshme, më të pranishme, deri sa herë-herë të dukej se zëri unison nuk dihej nga dilte më parë: nga “Rruga e Elbasanit” apo nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”.
Amerikanët, por edhe BE, për herë të parë kanë si partner të tyre një shef qeverie që nuk i mallkon, nuk i gjuan me gurë, nuk ndërsen metingashët, të rrugës dhe të mediave të kontrolluara prej tij, kundër këtij institucioni qeveritar. Ata, është e dukshme, kanë përballë vetes shumë rrallë një qeveritar, por kanë krah vetes, thuajse gjithnjë, një shef qeverie, me të cilin kanë ndërtuar skela që nuk do të bien në këto tri vite dhe nuk kanë pasur arsye të kërkojnë dhe të krijojnë brenda grupit parlamentar të shumicës një rezonancë tjetër politike.
Është e natyrshme që brenda shumicës ata kanë edhe njerëz të përzgjedhur, për të cilët mendojnë se kanë më shumë integritet moral dhe qëndresë kombëtare ndaj çështje të nxehta, si është rasti i Ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa, Ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, të cilët, pikërisht pse dihet kjo vijë qëndrimi politik autoatlantik, janë edhe më të sulmuarit e opozitës.
Rama, si figurë politike, por edhe si qeveritari i parë i Shqipërisë, mund të kishte përkeqësimin e tij në raport me amerikanët në dy raste: në mos realizimin e dëshirës së shtetit amerikan për demontimin e armëve kimike siriane, për të cilën Rama premtoi dhe u tërhoq dhe në të cilën Basha gënjeu ditën e parë dhe gënjeu përsëri në ditët e tjera; si dhe në deklarimin e tij rreth zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
Në të dyja rastet politika amerikane nuk u tërhoq. Fatbardhësisht për vendin dhe jo vetëm për një lider, ajo gjeti përcaktimin e saktë të së keqes dhe e vendosi pikën mbi “i”. Kjo “pikë” nuk ishte mbi shefin e qeverisë, por mbi një bedel politik si Basha.
3-A njësohet e keqja e politikës përmes Berishës, Ramës dhe Metës?
Akuza më e rëndë e avokatit Ngjela, nuk qëndron në mendimin e tij se Rama është kundërshtar i Reformës në Drejtësi, pasi ai e di mirë, më mirë se gjithë të tjerët se nuk qëndron; nuk është tek mendimi i tij se politika ndërkombëtare e ka vënë atë nën embargo, pasi ai e di mirë, ndoshta më mirë nga shumë të tjerë se kjo është e saktë, nuk qëndron në konceptimin e politikës amerikane nga kjo treshe si një raki Çorovode….të gjitha këto janë “ngjalat” të cilat i përcjell avokati për të hedhur mendimin më të habitshëm, të formuluar shkurt, pa asnjë hapje dere për më tej dhe që përmblidhet në pak rreshta.
Konkretisht: “Pati përpjekje, kishte logjike e gjitha dhe më pas u tërhoq dhe i dogji të gjitha. Kjo do të thotë se ata që kanë instruktuar Saliun kanë instruktuar edhe Ramën. Pra për të shpëtuar kokën i kanë thënë se duhet të shkatërrosh zhvillimin e shqiptarëve”.
Kush e ka bërë instruktimin e Sali Berishës – kjo do të ishte pyetja e parë dhe, nëse ky instruktim është bërë për të shkatërruar Shqipërinë, atëherë, as më pak e as më shumë, kemi të bëjmë me një vepër të rëndë antikombëtare, e cila të shpie drejt tradhtisë kombëtare.
Cilido që për të shpëtuar kokën e tij, shkatërron zhvillimin e shqiptarëve, vështirë të ketë një mbulesë tjetër.
Në mediat kundërshtare të Berishës, jo pak herë, edhe nga vetë Ngjela, është thënë se Berisha me ardhjen e tij në politikë realizoi një ëndërr të vjetër të politikës serbe për të pasur në lidershipin e saj njeriun e saj.
Tani, pa përmendur se kush është instruktori, Ngjela e njëson Berishën dhe Ramën në këtë hulli, çka do të ishte e keqja më e jashtëzakonshme e jetës politike e jo vetëm politike shqiptare.
Është e vërtetë në të dyja rastet, por mëria politike e ka shpënë drejt një mendimi të tillë?
Në fakt , në qëndrimet politike të dy figurave politike të njësuara nga zoti Ngjela, pra të Berishës dhe të Ramës ka pasur qëndrime diametralisht të kundërta. Ta zëmë për Kosovën. Në takimet ndërkombëtare dhe në bisedat me homologët e tij malazezë apo të dërguar serbë Berisha mbronte idenë e një autonomie të gjerë për Kosovën, si njëri serbe dhe këtë, sidomos n,ë fundin e vitit 1996, e shpalli hapur. Ndërsa në takime populiste shprehur për tjetër gjë: ai ishte antirugoviani më i egër që kishte pasur ky vend dhe kundërshtari më i ashpër kundër lëvizjes çlirimtare.
Rama ,ndryshe nga ai, hesht në lëvizjen populiste, sepse e di se kjo është një erë kalimtare, por ngulmon në Beograd për njohjen de fakto e de jure të shtetit të ri të Kosovës.
Prej shume kohe, edhe në këtë intervistë, Ngjela ngulmon në krijimin e një tresheje politike, Rama, Meta, Berisha, e cila hedh poshtë çdo gjë, ka një kompaktësi të heshtur, koordinim të mirëfilltë ilegal, etj. Njësimi i së keqes ndjell të keqen dhe hedh poshtë mundësinë e krijimit të një elite politike ndryshe nga më parë dhe të ndërtuar jo vetëm mbi parimet xhefersioniane, pasi bota është më e gjerë se aq, më e lëvizshme, sidomos ajo politike.
Krijimi i një mendësie të tillë, i shkatërrimit të zhvillimit të shqiptarëve për të shpëtuar kokën, për më tepër njësimi i kësaj mendësie nëse nuk hidhet mbi të bardhën e zeza e fakteve, dhe në këtë rast faktet do të ishin vërtet të zeza, nuk e bën më interesant zotin Ngjela; e bën më të diskutueshme figurën e tij si njeriu i politikës dhe më të përçartë diskursin e tij.
Dehja nga pushteti është një ves i politikës sonë, jo vetëm i të tashmes. Pak nga njerëzit e politikës, nëpër dekada, nuk janë dehur prej saj.
Është e njëjtë me dehjen nga vetvetja, dhe, duhet pranuar se të paktë janë ata që qëndrojnë në buzën e politikës dhe nuk e pranojnë dehjen në çastet e tyre të lumtura.
Rama nuk është i mbinatyrshmi i pritur; ai është njeriu i tashëm që ka projektuar për të bërë një të ardhme, më shumë për emrin e tij në historinë paskajore. Në pesë vitet e shkuara qeverisja e tij ka pasur çastet e dehjes nga pushteti dhe mungesat e ndjeshme në ndërtimin e shtetit, ku shpesh herë ka grumbulluar tullat dhe nuk ka ngritur murin e duhur.
Por, duhet pranuar, si e pranon edhe në çastet e tij të qetësimit vetë zoti Ngjela se ajo ka bërë shumë më tepër se sa është bërë në 27 vitet e fundit. Nuk është bërë ajo çka pritej dhe DITA për këtë ngriti edhe trazimin e saj, por është bërë shumë më tepër se sa kanë menduar kundërshtarët e saj.
Ngjela nuk është njëri nga rrënuesit e kësaj qeverie. Ai, besoj fort, se është nga ata shpirtrat e shqetësuar, dhe nuk po qetësohet nga erërat e politikës, të cilat, herë pas here, përzihen me mërinë e tij, me atë inatin klasik të njeriut që ka pritur shumë më tepër dhe që, duhet thënë, ka dashur të jetë pjesë e ndryshimit, por që, i lënë jashtë lojës së madhe në një rol vetjak, ndjen më shumë dhembje se sa të tjerët.
Ose i duket se ndjen dhembje dhe e përcjell këtë si çastin e tij të trazimit.
Ajo që besoj tek zoti Ngjela është se ai e do këtë vend, por tek kjo pjesë Shqipërie, ende sot e kësaj dite, nuk e ka gjetur pjesëzën e tij, ose nuk ia kanë dhënë. Çka mund të jetë ndryshe, por edhe e njëjtë.
Ai vazhdon të jetë një njeri i Xhefersonit, por që jeton në kohën e një politike tjetër. DITA, e hapur për të gjitha, ishte me dëshirë e hapur për zotin Ngjela dhe për këdo tjetër që ka një mendim ndryshe dhe kjo i bën nder asaj. Veçse duhet të jetë i vetëdijshëm se koha e “ngjalave” ka përfunduar, edhe për atë vetë, zotin Ngjela.
Leave a Reply