• HOME
AlpeBlog
AlpeBlog

June 5th, 2026
  • HOME
Enver Robelli/ “Shteti si model biznesi”
Home
Blog

Enver Robelli/ “Shteti si model biznesi”

June 18th, 2018 Redaktor2 Blog 0 comments

Çfarë bën pushteti në Kosovë nuk është politikë për qytetarët. Çfarë bën pushteti në Kosovë është model për mbushje të xhepave. 

Dhe këtë pushteti e bën pothuaj hapur, pa iu dridhur qerpiku. Sa do të jetë kështu? Sa do të zgjasë kjo anarki?

Për aq kohë sa njerëzit të jenë të kënaqur se po u mjafton një pashtetë për të mbijetuar. Nëse ambicia qytetare për shtet funksional reduktohet në kërkesën biologjike për mbijetesë, atëherë ndryshime serioze politike nuk do të ketë.

 

I keni parë ata njerëzit me syze të zeza, me kostume të reja shndritëse, me flokë të rruara, me gjeste agresive, me gjuhë arkaike, me ekspozim muskujsh?

Me siguri i keni parë. Nuk janë aktorë të ndonjë shfaqjeje teatrale, por zyrtarë të shtetit.

Skena e tyre është shteti. Bëhen sikur qeverisin, sikur administrojnë, sikur marrin vendime, sikur kryejnë ndonjë punë. Por, krejt kjo është vetëm fasadë.

Pas fasadës zhvillohet diçka krejt tjetër: vjedhja e shtetit në format më të ndryshme, kudo dhe ku është e mundshme. Sepse Kosova është tender ose një pulë që e ndukin pupël pas puple padronët e saj, «çlirimtarët» e saj.

Ia vlen të merresh me politikë në Kosovë. Andaj janë katër-pesë klane parapolitike që luftojnë për të zaptuar sa më shumë, për të ushtruar ndikimin e tyre, për të ndukur sa më shumë që është e mundshme.

Edhe shtetet më të varfra janë fitimprurëse për «elitat» zhvatëse. Fitohet në projekte infrastruktorore, fitohet në privatizim, fitohet kur shtypen pasaporta, fitohet kur bëhen përpjekje për privatizimin e postës dhe telekomit, fitohet kur jepet me koncesion aeroporti, fitohet kur ndërtohen shkolla. Përherë ka një rast për të fituar. Pastaj Kosova ka edhe pasuri nëntokësore. Edhe prej tyre fitohet.

Çfarë bëjnë pushtetarët është simulim i qeverisjes. Brenda Kosovës. Përtej Kosovës nuk ua hap dyert gati askush.

Kryeministrin e Kosovës praktikisht nuk e pret askush në vendet e BE-së. Andaj e shohim duke u sjellë vërdallë nëpër Deçan, me rrëfimet e njëjta qe 20 vjet, pa vizion për të ardhmen.

Sukses i tij diplomatik është kur i vjen për darkë në shtëpi kryeministri i Maqedonisë. Kur flitet për një strategji për bisedimet me Serbinë, kjo qeveri arrin të shkruajë rreth dy faqe tekst, një hartim i dobët, pastaj kryeministri «e pranon» pothuaj hapur se nuk është i aftë të negociojë me Serbinë.

Por, demonstron aftësi të tjera, për shembull për t’u shtyrë me një grua në flotore në Prizren. «Shteti – kjo pronë e imja», ky duket të jetë qëndrimi nonshalant i sundimtarëve.

Ligjet ekzistojnë, por për sundimtarët nuk vlejnë. Ligjet i shfrytëzojnë kur u hyjnë në punë, ndërsa i hedhin si lecka kur u pengojnë. Këtu nuk ka bërë ndonjë zbulim kjo qeveri, ajo vetëm po e vazhdon traditën e egër të Partisë Demokratike të Kosovës, familja, prona, shteti – ose shteti pronë e familjes me siglën PDK, ku nganjëherë mund të marrin ndonjë copë edhe të tjerët. Me kusht që të gjithë të heshtin, me kusht që të vlejë ligji i omertës si në Italinë jugore.

Sa do të jetë kështu? Sa do të zgjasë kjo anarki? Për aq kohë sa njerëzit të jenë të kënaqur se po u mjafton një pashtetë për të mbijetuar. Nëse ambicia qytetare për shtet funksional reduktohet në kërkesën biologjike për mbijetesë, atëherë ndryshime serioze politike nuk do të ketë. Vetëm një klasë politike aq e egër, aq primitive, aq e etur për të plaçkitur çdo gjë arrin t’ia humb magjinë lirisë. Më shumë njerëz kanë ikur nga Kosova nga viti 1999 deri më sot se gjatë viteve ’90. Mijëra të tjerë po presin heqjen e vizave për të emigruar, jo si turistë, por me shpresë se do të gjejnë një vend pune në vendet e BE-së. Fuqia e zhgënjimit është shumë më e madhe se besimi për ndryshime pozitive në periudhën afatmesme. Sfidat janë radikale, por paaftësia e sundimtarëve është po aq radikale.

Opozita? S’ka opozitë. Sepse opozitë domethënë prezantim i modeleve alterantive për qeverisje, modeleve që bindin qytetarët.

Parullat që të kujtojnë epokën e plugut s’bëjnë punë. Efektet e çarjes së Vetëvendosjes dhe shndërrimit të LDK-në në parti të dy-tre kryetarëve të komunave që s’kanë më shumë synime se të bashkëqeverisin me PDK-në, e bëjnë skenën politike të Kosovës një kënetë. Andaj pushteti e ka aq lehtë.

Politika është vetëm event, llafe e boshësi mendore në Facebook (që stoliset me marrëzi të palaçove të pushtetit), zbulime bustesh e përmendoresh, «akademi përkujtimore», muhabete odash. Rezultati i tërë kësaj kakofonie është topitja e aftësisë gjykuese të njerëzve.

Një pashtetë mjafton, nesër ndoshta do t’i kemi dy. Pastaj kënaqemi pak në Facebook duke komentuar luksin e hoteleve të Zvicrës, ku pushon kryeministri, mjaftohemi duke shtrënguar grushtin në xhep kur marrim me mend sa milionë buxheti janë djegur për t’ia plotësuar dëshirën presidentit të Kosovës që të ketë një biografi, ku krahasohet me Nelson Mandelën dhe Winston Churchillin, zemërohemi kur sërish, për të satën herë, një «imam» na e shpjegon historinë.

Efekti? Zero. Makina e propagandës, e lajmeve të rrejshme, e gjuhës së egër, e shpifjeve punon pandërprerë. Nëse duhet vënë një titull kësaj periudhe, më i përshtatshmi do të ishte: shëmtia e dështimit të një populli të lirë për të marrë në dorë fatet e veta.

Facebook Twitter Google+ LinkedIn Pinterest
Next article Monika Stafa/ Pirateria dixhitale, sprova jonë e radhës Spanja, një shembull për t’ia nisur
Previous article NDUE DEDAJ/ Taksa e Rrugës së Kombit, test për Qeverinë

Redaktor2

Related Posts

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari? Blog
May 22nd, 2026

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Leave a Reply Cancel reply

Postimet më të ndjekura
KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

KRESHNIK SPAHIU/ Pse në PD u gëzuan për ngjarjet në Nepal, Venezuelë apo në Hungari?

Blog May 22nd, 2026
MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama Blog

MERO BAZE/ E vetmja gjë që kemi për t’i shitur Bordit të Paqes, është Edi Rama

Jan 19th, 2026
EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit Blog

EDUARD ZALOSHNJA/ Rrënjët e identitetit

Mar 26th, 2026
ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi? Blog

ARTUR AJAZI/ A kemi Agjensi Kombëtare Mjedisi?

Feb 5th, 2026
ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia? Blog

ARTUR AJAZI/ Ç’do të thotë arratisja e një killer nga policia?

Jan 14th, 2026
  • HOME
  • Back to top
© AlpeNews 2017. Të Gjitha të drejtat e Rezervuara
Produced by o.k