Altin Ketro/
Ka një mendim tek disa analistë të cilët e këshillojnë kryeministrin Rama të heqë dorë nga mbajtja në detyrë e ministrit të Brendshëm. Këtë ata e shohin si një sinjal për të ulur tensionet e qeverisë me opozitën në prag të protestës së paralajmëruar të 26 majit. Jo vetëm kaq, por ata mendojnë se mbajtja ende në detyrë e Fatmir Xhafajt sjell pasoja si në planin ndërkombëtar në kuadër të integrimit, ashtu edhe në planin e brendshëm mbi një perceptim negativ elektoral për Partinë Socialiste.
Gjykimi i tyre nuk ka bazë shkencore metodike se ku mbështetet. Deri më sot nuk kemi asnjë sinjal nga partnerët ndërkombëtarë që të kenë rezerva ndaj ministrit të Brendshëm. Sa për analogji kemi rastin e ish ministrit Tahiri, për të cilin faktori i jashtëm nuk përtoi ta citojë me emër, pavarësisht se nuk mori përsipër të gjykojë fajësinë a pafajësinë e tij. E sigurt është që edhe nëse nuk shprehen publikisht, por do t’ia kishin kërkuar në kanale diplomatike kryeministrit këtë gjë, pa diskutim që do kishte reaguar më së pari vetë ministri pasi ai është jashtëzakonisht i përgjegjshëm që të mos e lidhë fatin e integrimit me fatin e tij politik.
Duke qenë se karta e huaj rrëzohet përderisa askush nuk ka qoftë edhe sinjalin më të vogël për të kundërtën, atëherë dalim tek faktori i brendshëm. Gjykimi se akuzat ndaj zotit Xhafaj do të kenë efekt elektoral mbi Partinë Socialiste nuk mund të merren seriozisht për sa kohë nuk vjen pas një sondazhi që ata mund të kenë bërë, qoftë edhe në Tiranë, ku është edhe thesi më i madh elektoral i votave, por thjesht nisen me perceptimin që edhe populli kështu e percepton.
Në lidhje me ndezjen e klimës politike mazhorancë – opozitë mbi këtë temë, kjo nuk mund të shihet në kuadër të plotësimit të tekave që tekanjozët e SHQUP-it shfaqin çdo 6 muaj. Të zhytur thellë e më thellë në dëshpërimin e braktisjes së madhe që populli u ka dhënë me votë, por edhe sipas sondazheve që bëhen herë pas here, ata rrëmojnë rrugës çfarëdolloj pseudo-kauzash për të mbushur kazanin e tyre të akuzave.
Sot kërkohet një standard i lartë morali prej përfaqësuesve të kësaj mazhorance, ndërkohë që kur vjen puna tek përfaqësuesit e opozitës nuk kërkohet ky standard. Duket se ka një vit zero që ndan dy periudhat dhe ky vit zero niska me ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste. Dakord, e zëmë se ia amnistojmë të pa amnistueshmet krime që kryen gjatë qeverisjes së tyre të djeshme këtyre opozitarëve të përvëluar për drejtësi. Po marrin vetëm periudhën këtu e një vit më parë ku ka ndodhur një ngjarje me protagonist vetë kreun e opozitës. Bëhet fjalë për financimet e dyshimta për grupe lobimi në SHBA, për të cilat janë përdorur qindra mijëra euro të padeklaruara në organet kompetente shqiptare dhe ku ka dyshime se janë të përfshirë edhe ndërmjetës rusë. Janë vetë lobistët amerikanë të cilët i deklaruan pranë qeverisë së tyre këto para, si një detyrim ligjor që e kanë për të bërë këtë gjë.
E pra, pavarësisht se jemi përpara një situate ku partia më e madhe e opozitës nuk deklaron burimin se ku i gjeti këto fonde, miratimin e përdorimit të të cilave e ka autorizuar me firmë vetë kryetari i partisë, ende nuk kemi parë asnjë shenjë reflektimi prej tij, duke e kaluar në heshtje.
Gjithsesi, standardi i munguar nga lidershipi demokrat, i cili më së paku duhet të kish ngrirë çdo lloj marrëdhënie me PD-në deri sa kjo çështje të zbardhej, nuk përligj faktin që edhe kampi tjetër duhet të përgjigjet me të njëjtën monedhë, pavarësisht se situatat nuk janë njësoj. Kjo, pasi nga njëra anë kemi të dyshuar një kryetar partie dhe, nga ana tjetër, kemi një akuzë që i bëhet vëllait të ministrit të Brendshëm.
Këtë zell të opozitës karshi ministrit Xhafaj, do ta besoja nëse në të kaluarën kjo opozitë do të ishte treguar konsekuente në qëndrimet e saj. Për konkretizim, kujtoj që në mandatin e shkuar PD-ja vuri si tabelë qitje njërin prej deputetëve të PS-së të cilit i kishte vënë edhe nofkën “Beu i Jugut”. Sulmi ndaj tij ishte frontal, brenda dhe jashtë Kuvendit, duke i intimiduar njerëzit se kryeministri Rama nuk e lëshon atë pasi e ka gurunë a mentorin e vetë politik tek i cili falet dhe pa fjalën e të cilit nuk ndërmerr dot asnjë veprim. Aq shumë e bombardonin opinionin publik me këtë akuzë, saqë dalëngadalë po krijohej bindja se opozita kishte të drejtë. Po ç’ndodhi? Sapo Gjykata Kushtetuese i hoqi atij mandatin e deputetit, ai, i plotfuqishmi, që kish vënë përfund edhe vetë kryeministrin, jo vetëm që na u bë burrë i mirë, por ishte edhe pjesë e tryezave të opozitës në takimet e saj antiqeveritare.
Thanë e çfarë nuk thanë për ish ministrin Tahiri, por sapo ai dorëzoi mandatin, nuk përbën më rrezik kombëtar, bile, nëse ai në një rast hipotetik merr rolin e të lartpërmendurit si opozitar, s’ka dyshim që opozita do ta bëjë edhe atë pjesëtar të tryezave të veta ku sulmon qeverinë.
Së fundmi kemi rastin e ministrit Xhafaj me të vëllanë, ku baza e sulmeve ndaj tij ishte se i vëllai kishte marrë një dënim në Itali dhe vëllai ministër, jo vetëm që nuk ia dorëzonte palës italiane (që s’e kishte kërkuar kurrë), por për ta mbrojtur edhe nga pikëpamja ligjore kishte bërë gjoja një ligj enkas për atë që i pamundësonte ekstradimin drejt Italisë. Dhe, kur opozita po i binte mbi kokë vetëm kësaj akuze, që e detyroi të vëllanë e ministrit të shkojë me dëshirën e tij në Itali për të vuajtur dënimin, opozita jonë na bëhet pishman se përse Agroni na iku prej duarsh pasi duhet të rrinte edhe ca kohë në Shqipëri. Kjo, ngaqë ndaj tij na qenka zbuluar një përgjim audio që e lidh me një linjë trafiku droge. Logjikisht i bie që ata audio-përgjimin duhet ta kishin nxjerrë të parin dhe pasi të sqarohej kjo akuzë, të merreshin me çështjen e vuajtjes së dënimit në Itali.
Pavarësisht se kjo histori dita ditës po shfryn veten nga kundërthëniet që vetë protagonistët bëjnë mbi ngjarjen, opozita e harroi çështjen e dënimit dhe ligjit që sipas tyre ia pamundësonte ekstradimin, dhe tani janë gati të japin çdo gjë vetëm e vetëm që Agron Xhafaj të rikthehet në Shqipëri.
Në gjithë këtë tollovi opozitare, që ç’thotë sot s’e thotë nesër, që njëherë përfaqësuesit e mazhorancës i bën djaj e pastaj kur s’kanë më mandat bëhen engjëj, përse u dashka që edhe fokusin e radhës që opozita ka ndaj ministrit të Brendshëm t’ia marrim seriozisht?! Vërtetë thonë analistët që populli (i pa anketuar), mund ta perceptojë si negative këtë situatë, por mos harrojmë edhe tjetrën që po ky popull, që e ka votuar këtë mazhorancë, mund të krijojë mendim negativ ndaj kryeministrit për faktin se ky i lëshon bashkëpunëtorët e tij sa herë ia kërkon opozita.
Partia Socialiste deri më sot ka dhënë prova që nuk ka përkrahur asnjë përfaqësues të saj deri në momentin kur atij i është provuar se ka qenë fajtor për atë që akuzohet. Por ajo s’mund të jetë modeli që sa herë opozita sheh sukses në punën e përfaqësuesve të mazhorancës, të bjerë në batakun e lojërave politike të kundërshtarit. Kjo opozitë vërtetë synimin e ka ndaj një individi si bazë për të nisur sulmin politik, por strategjia i saj është që nëpërmjet arritjes së suksesit me largimin e tij të rrisë besimin tek elektorati shpresëhumbur ndaj opozitës, se kjo qeveri e kjo mazhorancë janë e keqja më e madhe përpara së keqes më të vogël që qenka opozita.
Si përfundim dua të theksoj me forcë se kompromiset e sugjeruara të analistëve që, lësho ministrin që të fitosh qetësinë nga opozita, jo vetëm janë të dëmshme për demokracinë, por edhe dërrmuese elektoratikisht për palën që i bën këto lëshime. Këtu pastaj fiton terren perceptimi popullor se kemi të bëjmë me një kryeministër pazaresh politike që për hir të kolltukut të vetë shet e dorëzon bashkëpunëtorët e tij që s’i pëlqejnë opozitës. A mund t’i besohet pastaj një kryeministri pazarxhi?!
Leave a Reply