Nga vendbanimi i parë i ardhacakëve europianë deri te presidenti i parë i SHBA-ve.
Duke braktisur postin e presidentit të parë të SHBA-ve, George Washingtoni kishte një porosi për qytetaret dhe qytetarët. «Politika jonë më e mirë është të shmangim aleanca të përhershme me çfarëdo pjesë të botës». Tregti – po, aleanca me shtete të tjera – jo. SHBA-të do të duhej të qëndronin sidomos larg konflikteve në Europë.
Kështu mendonte George Washingtoni në vitin 1796 në letrën drejtuar njerëzve në SHBA, pak javë para se të zgjidhej presidenti i ri.
George Washingtoni ishte komandanti suprem dhe fitimtar i luftës amerikane për pavarësi dhe kundër fuqisë koloniale të Britanisë së Madhe. Ai u zgjodh president në vitin 1789.
Një kohë të gjatë SHBA-të vërtet qëndruan larg konflikteve të botës. Por, shekulli i XX ndryshoi shumëçka në politikën amerikane. Washingtoni mori pjesë në dy luftërat botërore, u be aleat me Francën, Britaninë e Madhe, Bashkimin Sovjetik, dhe më 1949 themeloi NATO-n, aleancën perëndimore të mbrojtjes. Edhe një gjë nuk arriti të shmang George Washingtoni: themelimin e partive politike, të cilat i konsideronte të dëmshme.
Shumë njerëz kanë pyetur se përse në bankënotën 1-dollarëshe presidenti George Washington duket aq i mërrolur.
Për këtë ka një shpjegim: ai kishte dhimbje kronike të dhëmbëve dhe në vitet e fundit të jetës i kishte mbetur vetëm një dhëmb i natyrshëm. Protezat e tij prej dhëmbëve të hipopotameve mund të shihen sot në muze.
Arsyeja përse Amerika nuk donte të kishte punë me Europën ndërlidhej me mendimin që kishin amerikanët ndaj europianëve në vitet ‘1790. «Ishin diskriminimi fetar dhe përndjekja, padrejtësia sociale e shoqërive feudale, uria, shtypja dhe mungesa e perspektivës, të cilat në shekullin e ’17 dhe ’18 i shtynë anglezët dhe irlandezët, skandinavët dhe gjermanët të braktisin vendlindjet e tyre dhe të fillojnë një jetë të re në kontinentin e largët.
Jamestown, vendbanimi i parë i përhershëm anglez në territorin e SHBA-ve të sotme, u krijua më 1607 në një koloni, e cila për nder të Mbretëreshës shumëvjeçare dhe gjoja të virgjër Elisabeth I. (ajo sundoi prej 1553 deri më 1603) u quajt Virginia. Vendbanimi i themeluar prej 104 ardhacakëve nuk ishte ngulimi i parë i përhershëm europian në territorin e Shteteve të mëvonshme të Bashkuara të Amerikës. Ky vlerësim i përket Saint Augustine në Floridë, themeluar më 1565 nga spanjollët (San Agustín)».
Në librin e tij «Të kuptosh Amerikën» Ronald D. Gerste shkruan se grupi më i famshëm i emigrantëve erdhi në Amerikë më 1620 me anijen «Mayflower» në koloninë e ardhshme Massachusetts. Këta 100 puritanë kishin ikur nga jotoleranca në atdheun e tyre në Angli. Në Amerikë ata mund të praktikonin besimin e tyre të papenguar nga kisha. Takimet e tyre të para me banorët vendorë, me «indianët» e famshëm, qenë të përzemërta – dhe nga këto takime buron pjesërisht edhe festa e njohur amerikane «Thanksgiving».
Por, së shpejti situata ndryshoi: anglezët filluan të pushtojnë vendin. Më 1664 futën nën kontroll metropolin e vogël, por të rëndësishëm tregtar në lumin Hudson dhe e ndërruan emrin e qytetit nga Nieuw Amsterdam në New York. Me pushtimin e Kanadasë në «French and Indian War», gati tërë pjesa lindore e kontinentit verior amerikan u gjend nën sundimin britanik.
Larg qeverisë në Londër 13 kolonitë angleze praktikonin autonomi dhe një formë të hershme të demokracisë. Në kolonitë angleze mbretëronte një formë e pazakonshme e lirisë personale në krahasim me vendet e Europës.
Krahas anglezëve edhe shumë gjermanë erdhën në Amerikë që nga fundi i shekullit ’17, para se të fillonte vala e madhe e mërgimit që nga vitet ‘1840. Vendbanimi i parë gjerman në Amerikë u themelua më 1640 me toponimin Germantown jo larg Philadelphia dhe Pennsylvania.
«Kryeqyteti Pennsylvania ishte – krahas Londrës – qyteti i dytë për nga madhësia i botës anglishtfolëse. Këtu më 1774 u mblodhën delegatë të gjitha kolonive në një ‘Kongres Kontinental’.
Shkak për këtë ishte konflikti në eskalim e sipër me shtetin amë, Britaninë e Madhe. Pas fitores kundër Francës më 1763 qeveria në Londër vendosi që robërit e vet dukshëm të pasur në anën tjetër të Atlantikut t’i lusë të paguajnë për shpenzimet e mëdha të luftës», shkruan Gerste.
Por, patriotët e parë amerikanë kundërshtuan taksat e kërkuara nga Londra. Për aq kohë sa ata nuk ishin të përfaqësuar në House of Parliament në Westminster, nuk pranonin të paguanin taksa (No taxation without representation!) Më 5 mars 1770 konfrontimi eskaloi.
Ushtarët britanikë hapën zjarr kundër demonstruesve në Boston dhe vranë pesë prej tyre. Në histori kjo njihet si Masakra e Bostonit.
Kryengritja amerikane kundër tiranisë i ka rrënjët pikërisht në Boston. Përpjekja britanike për të zbrazur një magazinë me armë të kryengritësve çoi në përleshjen e parë mes ushtrisë britanike dhe kolonizatorëve.
Kongresi Kontinental që po zhvillonte punimet në Philadelphia vendosi të shfaqë solidaritet me Bostonin dhe koloninë e rrezikuar të Massachustetts. Komanda për të kundërshtuar britanikët iu dha George Washingtonit. Kështu filloi lufta amerikane për pavarësi, e cila zgjati tetë vjet (1775-1783). Më 4 korrik 1776 kolonitë përtej Atlantikut shpallën pavarësinë, pasi më parë konceptin e kishte përpiluar avokati Thomas Jefferson.
Pjesa më e famshme e Deklaratës së Pavarësisë ka të bëjë me barazinë e njerëzve dhe faktin se të gjithë janë të pajisur nga krijuesi me disa të drejta të patjetërsueshme – këto janë jeta, liria dhe synimi i lumturisë. Britania nuk kishte mjaft ushtarë për të penguar pavarësinë amerikane, andaj angazhoi mercenarë gjermanë, por as kjo nuk bëri punë.
Nga ana tjetër: ishte një gjerman, Friedrich Wilhelm von Steuben, i cili themeloi ushtrinë amerikane, e cila, me ndihmën e Francës, e detyroi armatën britanike të dorëzohet. «Oh, zot! Gjithçka mori fund», u ankua kryeministri Lord North në Londër.
Leave a Reply