Çfarë duhet të lexojnë ata që nuk po lexuakan? Kjo është pyetja që, parimisht, nuk ka një përgjigje të vetme. Nuk ka një përgjigje të çastit. Nuk ka një përgjigje përfundimtare. Mbi të gjitha, nuk ka përgjigje të mjaftueshme dhe të kënaqshme
Në Ditën Ndërkombëtare të Librit, sidomos, por vetëm në të, ne, një mori intelektualësh e gazetarësh, ndër të tjerë, shkruajmë për (dhe e vajtojmë) mungesën e leximit, ose leximin e pakët, ose më tej, leximin e pa vend.
Secili nga ne pretendojmë se jemi duke jetuar të rrethuar nga putrat e përbindshme helmuese të injorancës, mjerimit kulturor. Për çudi, ne vetë, sado apokaliktik që duket imazhi i sapo përshkruar, neve që po shkruajmë (dhe vajtojmë) nuk ka çfarë të na bëjë ai rreth, ne jemi imunë, ne jemi vetëshpëtuar duke lexuar. Vetë pretendimi ynë se ne lexojmë është i mjaftueshëm, sipas nesh, të konsiderohemi të veçuarit, të zgjedhurit. Si të zgjedhur duhet t’i shpëtojmë të tjerët përreth nesh, rrethin, përbindëshin që ne s’do të mund të na përpijë, përkundrazi, është duke e gllabëruar vetveten. Edhe pse përbindësh, duhet ta shpëtojmë nga vetja, ta nxjerrim në dritë, ta transformojmë. Shqetësimi ynë është pra se vetë ai rreth është i rrezikuar nga vetvetja. Shpëtimi i vetëm është leximi.
Por, çfarë duhet të lexojnë ata të shkretë?
Kjo është pyetja që, parimisht, nuk ka një përgjigje të vetme. Nuk ka një përgjigje të çastit. Nuk ka një përgjigje përfundimtare. Mbi të gjitha, nuk ka përgjigje të mjaftueshme dhe të kënaqshme.
Por, përtej parimeve, ne e dimë ku duam të rrahim. Edhe kur nuk e themi hapur, krejt çfarë duam është në të vërtetë të na lexojnë neve. Mundësisht vetëm neve. Qoftë edhe kur e kemi një libër të vetëm. Në këso kushtesh, ata janë të shpëtuar dhe nuk do të jenë në shënjestër të tërbimit dhe mllefit tonë. Përkundrazi, do të gëzojnë dashurinë tonë të paanë.
Më bëri përshtypje një reagim i një autori raporti mbi leximin, sipas të cilit të intervistuarit kishin gënjyer gjatë përgjigjeve të dhëna. Sepse, thoshte autori, nëse u besojmë përgjigjeve, del se lexuesi kosovar është lexuesi më i madh në botë. Çka, kuptohet, nuk është. Nuk është as për së afërmi.
Në “urdhëresën” e Daniel Pennac-ut (Daniel Penacc: Si një roman, përkthimi E. Tupja, Pegi, 2014), mbi të drejtat e lexuesit, e para është: “E drejta për të mos lexuar”. Një urdhëresë tjetër thotë: “Lexuesi ka të drejtë të mos tregojë çfarë po lexon”. Mund të shtojmë, duke i respektuar respondentët e sondazhit: “Lexuesi ka të drejtë të gënjejë çfarë po lexon”. Madje, edhe mund të gënjejë se lexon.
Çfarë dua të them më qartë është se Dita Ndërkombëtare e Librit është një ditë e vetme kur për librin (dhe duhet ta) marrin mundin të flasin vetëm ata që nuk lexojnë dhe kjo për mua është në rregull. Nuk më pengon presidenti Thaçi, që kurrë në jetën e tij nuk e ka lexuar një libër, as nuk di të lexojë një libër, pse flet dhe si flet. Këtë duhet ta bëjë. Sido që ta bëjë. Dhe të tjerët si ai e përreth tij.
Ne të tjerët (që gjithsesi nuk jemi të tjerët), kemi për të bërë më shumë se kaq, mbi të gjitha jo si këshillues leximesh, por si lexues. Në vete dhe për vete. Ngase, më duket, ajo qenia e çuditshme me putra helmuese jemi më shumë ne vetë.
Leave a Reply