/Mero Baze
Edhe pse lajmet rreth protestës janë të mbushura me tension dhe paralajmërime për dhunë, ana pozitive e protestës së nesërme është më e rëndësishme. Duke qenë një protestë e thirrur në kuotat më të ulëta politike të opozitës, ajo është pikë së pari një protestë për të bashkuar opozitën dhe për ti dhënë rrugëzgjidhje shumë pikpyetjeve që gjenden para saj.
Deri më sot opozita është e ndarë brenda saj në qëndrimet ndaj reformës së pabërë zgjedhore dhe fajëson PD, është e ndarë në qëndrimin ndaj zgjedhjeve, ku PD është më shumë afër bojkotit dhe të tjerat pro hyrjes, është e ndarë në qëndrimin ndaj rrugës radikale, atë të diegies së mandateve, apo rrugës institucionale, ku dhe këtu PD është e ndarë nga të tjerat.
Ka po ashtu një fenomen gjobvënie të partive aleate të PD, ndaj PD, duke e shantazhuar pikërisht për këto kontradikta mes tyre, lidhur me kuotat që duan të lira për zgjedhje, nëse hyjnë së bashku.
Para opozitës sot, më shumë se kurdoherë, ka pikpyetje të mëdha për lidershipin e saj dhe për të ardhmen e këtij lidershipi, çfarë është një stres më vete për palët . Është në pikpyetje aftësia e Bashës për të ngjallur besim, paqartësia e Berishës nëse do një parti në pushtet, apo një parti gjithnjë e më të vogël të bashkuar rreth tij, është në pikpyetje, nëse më 2021, opozita do të jetë e bashkuar, apo një pjesë e saj, ose PD, ose LSI, do të bëj koalicion me PS, nëse kjo e fundit nuk merr sërish 71 vota.
Protesta e nesërme nuk e sjell në pushtet opozitën dhe sikur ti vërë flakën kryeministrisë, edhe sikur të sillet si të dashuarit e Paskuqanit Ditën e Shën Valentinit nga Liqeni, por ajo mund të jetë një moment, ku shumë gjëra brenda saj mund të preciptojnë dhe të fillojnë të marrin formë.
Në varësi të asaj që do të quhet sukses i protestës, Partia Demokratike do të vendos të hyj në zgjedhje, apo të djeg mandatet. Dhe kjo varet nga sinjalet që ajo do të marrë nga protesta. Nëse protesta I dështon, nëse grumbullon vetëm bërthamën e militantëve si në çadër, nëse e ndjen se nuk ka të ardhme ti bashkohen qytetarët, atëhere PD do të marr vendime rakdiale, do të djeg mandatet dhe do shkoj jashtë Kuvendit. Kjo do të zgjidh plot probleme të saj, por mbi të gjitha do zgjidh problemin e lidershipit. Lulzim Basha nuk mund të jetë më pas kësaj lider I PD, pasi projekti I tij për ta sjell PD në pushtet në rrugë insttucionale dështoi në vitin e gjashtë të tij. Ai mund të rrij si kryetar I partisë së vogël që i duhet berishëve si studjo juridike për ti mbrojtur politikisht, por jo si përfaqësues I opozitës që do të vij në pushtet.
Ky zhvillim mund ta shëmtoj skenën politike, por dhe mund të ndihmojë forca të reja të dalin në skenë, duke qenë të papërlyer dhe duke mos I dhënë Edi Ramës alibinë që i jep kjo opozitë.
Nëse sinjalet nga protesta do të jenë pozitive, nëse PD dhe të tjerë e ndjejnë, se përveç militantëve në protestë janë dhe qytetarët që bëjnë shumicën e këtij vendi, nëse kjo demonstrohet me fuqinë e protestës dhe jo fuqinë e dhunës, PD mund të qetësohet, Basha mund të ndjehet më I sigurt dhe ai mund të vazhdojë rrugën institucionale, duke hyrë në zgjedhje dhe duke vazhduar betejën për vitin 2021.
Një zhvillim po aq I rëndësishëm është dhe raporti që do të vendos PD me aleatët pas protestës.
Fiks dy vjet më parë, në të njëjtën javë, PD e bëri këtë test, e vazhdoi me çadrën dhe siç e patë thënë dhe vet Berisha, ajo ishte një protestë e militantëve të PD, jo e qytetarëve dhe Basha nuk e lexoi mirë atë, kur u soll me protestën si pronë private, duke bërë pazar me Edi Ramën. Në fund të protestës së para dy viteve, Basha arriti në përfundim, se rruga e fitores për të, është një paqe me Edi Ramën dhe nëse ai nuk kap 71 mandate koalicion me të kundër LSI.
Në këtë rast ky është një film I përsëritur, por që të gjithë I druhen fundit. PD dhe LSI, duhet të qartësojnë pas protestës një aleancë besnikësh, me kusht që asnjë prej të dyve të mos tradhëtojnë njëri tjetrin, nëse Rama nuk kap 71 mandate. Dhe kjo do të vërë në provë fuqinë e besimit që ata kanë tek njëri tjetri. Protesta e nesërme mud ta jap një sinjal dhe për këtë.
Por mbi të gjitha protesta ka shumë rëndësi dhe për vendosjen e raporteve normale të opozitës shqiptare me Perëndimin, Bashkimin Evropian dhe SHBA. E futur në një rreth populist dhe pa vizion, opozita jonë është bërë zëdhënëse e çdo kauze që mendojnë se dëmton qeverinë, duke humbur koherencën e tyre me Perëndimin. Ndërsa në vitin 2017, ata blenë një foto 20 mijë dollarë të Bashës me Trumpin që e varnin mbi furgona e kuaj nëpër fushatë, sot ata kanë një problem pikërisht me Shtëpinë e Bardhë, pasi ende nuk guxojnë të mbajnë një qënndrim ndaj politikës së SHBA për Kosovën. Presidneti Trump ka shkruar sot një letër për presidentin e Kosovës dhe atë të Serbisë që i inkurajon të nënshkruajnë marrëveshje, ndërsa opozita shqiptare bën sikur këtë e bën Xhorxh Sorosi, dhe kanë ngritur një retorikë populiste kundër politikës zyrtare të SHBA, duke e qaujtur partnerin e SHBA, Hashim Thaçi, argatë të Serbisë.
Përpjekjet e saj për tu kapur si I mbyturi pas fijes së kashtës, duke prodhuar aleatë të rremë perëndimorë dhe duke injoruar Shtëpinë e Bardhë dhe Brukselin, e bëjnë atë një opozitë më së paku të padobishme dhe të bezdisëshme për perëndimin, pasi janë jo seriozë për tu pasur partnerë. Nuk mendoj se opozita do të sillej kështu po të ishte në pushtet, por një provë e madhe për të qenë serioz dhe I besueshëm, është pikërisht mënyra se si sillesh në opozitë. Ndaj për protestën e nesërme nuk ka rëndësi zhurma, por sinjalet që do marrë opozita prej saj.
Sot opozita jonë është në konfuzion të plotë.Ajo nuk është as e majtë, as e djathtë, as nacionaliste, as internaacionaliste, ndërkohë që do të duket edhe antikomuniste edhe dakord me poulizmin neomarksist të Arlind Qorrit, edhe kundër oligarkëve me fjalë, edhe pro tyre në mënyrë selektive, edhe pro të varfërve me fjalë, edhe milionerë në jetën e tyre private, edhe parti e pronarëve, edhe parti e zaptuesve të “Unazës së re”, e kështu me rradhë.
Ndaj mos harxhoni kohë dhe nerva, të dëgjoni skenarë lufte e rambosh, dhe as heronjë që do japin jetën në boulevard për Saliun dhe jo nga Saliu këtë rradhë. Opozita është më 16 shkurt në një betejë të madhe me vetveten, dhe kjo në varësi të sinjaleve që do marrë nga shoqëria dhe jo nga policia.
Pasnesër më 17 shkurt, do të jetë një ditë më e mirë për opozitën. Së paku një ditë më e qartë për mijëra demorkatë, për të vendosur nëse mund t’ia dalin kështu si e kanë nisur, apo duhet të ndryshojën rrugë sa nuk është vonë. Nuk është zhurma ajo që bën diferencën, por sinjalet reale që I kuptojnë të gjithë në heshtje dhe reagojnë si shumicë e heshtur. Si 240 mijë që nguruan tia rijapin votën më 2017 dhe qëndruan në shtëpi.
Leave a Reply