«Serbët dhe shqiptarët janë dy popujt më të mëdhenj të Ballkanit». «Kosova duhet të ndahet mes Serbisë dhe Shqipërisë». «Ne nuk jemi djem problematikë. Nga Alpbachu në Gazimestan». «Nga Gazivoda në Shterpcë». «Razgraničenje», «korrigjim», «lëvizje kufijsh», «ndryshim kufijsh», «shkëmbim territoresh», «bashkim me Kosovë, bashkim me Serbi».
Përdorimi i këtyre fjalëve filloi me intensitet të shtuar gjatë kësaj vere. Në koordinim të plotë presidenti i Serbisë dhe ai i Kosovës i vunë në dyzen planet, njëri thumbit, tjetri patkoit, por me një dëshirë, me një qëllim: «razgraničenje», «korrigjim». Qe gati katër muaj që flitet për këtë temë, por askush nuk e di ende se çfarë domethënë ajo konkretisht. Sepse nuk ka plan, ka vetëm synime mashtruese. Në të vërtetë, plani është i Serbisë, Rusisë dhe i disa lobistëve që për honorar shesin lëkurën në çdo pazar. Në Prishtinë vrapuesi pas këtij plani mban postin e presidentit të Kosovës.
Tani për tani pokeri mbeti në gjysmë.
Tani për tani ideja për ndarjen e Kosovës mbetet vetëm tentativë.
Pas luftës ai që sot është kryetar i Kosovës doli me idenë që të shpallet një moratorium për pavarësinë e Kosovës. Pastaj u bë përpjekje që të arrihet ndarja sipas agjendës së Zoran Gjigjiqit, politikanit të rryer serb. Plani dështoi, sepse nëntoka parapolitike e Serbisë vrau Gjingjiqit – jo për shkak të planeve të tij për ndarjen e Kosovës, por për shkak se filloi t’i ekstradojë në Hagë të dyshuarit për krime të luftës. Përpjekja e radhës për ndarje ishte më 2004 – në të ashtuquajturat trazirat të marsit, një rrëmujë e përgjakshme e inskenuar nga parapolitika e Prishtinës dhe agjenturat serbe. Tani po shihet përpjekja e tretë, por me më shumë akterë. Sepse ndërkohë është investuar shumë në lobistë dhe agjentura.
Para dy vitesh politikanët e Beogradit zbritën në Nish dhe ia përkëdhelën egon kryeministrit të Shqipërisë. Ky citonte Ivo Andriqin dhe mbronte Goran Bregoviqin dhe Emir Kusturicën, ata entuziazmoheshin pa fund. Përse të mos ndahet Kosova në këtë atmosferë, me muzikë të «Rokeri s Moravu», me gjellën «Leskovačka muckalica», me «čutura» me shlivovicë. «Pranojeni Kosovën», kështu tingëllonte dikur në Beograd – dhe kjo ngjalli një eufori te populli naiv i Kosovës. Andaj nga Anamorava dolën me daulle në rrugë për të përshëndetur veprën heroike të Skënderbeut socialist.
Kjo tashmë është e shkuar, e harruar.
Tani në rend të ditës është ndarja.
Sa propaganda për ndarjen e Kosovës është bërë në Twitter qe disa muaj. 140 shkronja. 240 shkronja. Llafe. Marrëzi. Poshtërsi. Postime. Kërkesa. Britma. Pastaj: propagandë, propagandë, propagandë. Mobilizim pensionistësh austriakë, të cilët kanë për të paguar ndonjë hipotekë në Vjenë dhe shpresojnë se do të marrin miliona nga pushtetarët e Kosovës.
Nga ngjarjet e deritanishme lidhur me copëtimin e Kosovës mësuam kaq: ndarja mund të fillojë me Aleksandar Vuçiqin, por nuk përfundon pa popullin e Kosovës. Na falni, propagandistë të paskrupull! Pokeri tani për tani mbeti në gjysmë. Por, tavolina është ende e shtruar, gotat janë ende të mbushura, në «čutura» ka ende pije, «srpska skara radi». Edhe Twitteri punon ende. Por, shkronjat u ngrinë. A do t’i shkrijë presidenti serb deri në pranverë? Apo populli i Kosovës do të çlirojë veten deri atëherë?
Leave a Reply