Nga Bedri Islami
Po bëhen dy javë që studentët e Universiteteve Publike janë në protestën e tyre, ndoshta më masivja dhe më e gjatë që ka ndodhur në historinë e Shqipërisë.
Protesta studentore, e nisur, në pamjen e parë, nga një shkak mediokër, në fakt tregoi se vlimet brenda tyre ishin të përgatitura për një shpërthim të tillë, kaq masiv dhe të qëndrueshëm.
Është një lëvizje, e cila ka disa veçanti të pazakonta dhe të pashfaqura më herët, njëra prej të cilave, ndoshta më e paparashikuara është në përcaktimin e përbashkët të dhjetëra mijëra studentëve, jo vetëm në Tiranë, por edhe në rrethe.
Shumë pyetje janë shtruar në këto dy javë, mjaft enigma po bëhen të qarta, mjegulla dhe shpesh herë errësira që kishte rënë mbi jetën studentore, përgjithësisht me arsimin e lartë, kanë kohën e tyre të ndriçohen, por mbi të gjitha ajo që i trazon të gjithë është kauza.
Kauza studentore.
1 A kanë studentët një kauzë të përbashkët?
Qeverisë i janë drejtuar 8 kërkesa, të cilat, tani për tani përbëjnë edhe kauzën studentore. Në vëzhgimin financiar, sipas analistëve të kësaj fushe, mund të jetë plotësimi i tyre një rëndesë në buxhetin e shtetit, por në vështrimin e kohës, asgjë nuk është e tepërt.
Kërkesat studentore përbëjnë vetëm fillesën e kauzës së tyre. Ata ndreqin fillimin, por e kanë të domosdoshme vazhdimin e tyre.
Nëse duket sikur tani për tani rëndon një çështje që lidhet me financimin, si janë tarifat studentore apo pagesat e ndryshme, ajo që lidhet me të ardhmen përbën edhe thelbin e kauzës studentore. Tarifat do të jenë të shpërndara në të gjithë taksapaguesit, ndërsa vazhdimi i kauzës ka të bëjë jo thjeshtë me të ardhmen e një brezi studentësh, por me vetë shtetin.
Është fakt se arsimi i lartë në Shqipëri është i nëpërkëmbur. I nëpërkëmbur nga shteti, që nisi një reformë të guximshme fillimisht për që e la në mes të rrugës apo e rëndoi balancën drejt universiteteve private; i nëpërkëmbur nga trupa akademike, që e kanë kthyer në biznes dhe që më tepër se gjithçka shohin pasurimin e tyre; i nëpërkëmbur nga emrat e njohur të shkencës dhe të mendimit të lartë shkencor, të cilët herë pas here nuk mund të jenë as pjesë e jashtme e korpusit universitar dhe që, kur gjenden jashtë, u drejtohen universiteteve private; i nëpërkëmbur deri tani edhe nga vetë studentët, të cilët, duhet pranuar edhe nga lëvizja e tyre se, në një shumicë të ndjeshme, rendin më shumë drejt gjërave që nuk lidhen me jetën e tyre studentore.
Tani ka ardhur koha e përmbysjes së antivlerës dhe krijimit të një vlere të re. A do të mund të ndodhë kjo përmes një lëvizje, e cila, edhe nëse nuk është një lëvizje revolucionare për ndryshimin e sistemit qeverisës, duhet të bëhet nj lëvizje e tillë për përmbysjen dhe ngritjen e një sistemi të ri arsimor.
Në kauzën e tashme studentore ka një të metë të madhe: e keqja po shihet kudo jashtë vetes, jo edhe brenda tyre. Nëse gjithçka do të përqendrohet nën parimin e kërrabës, do të thotë, tërhiq nga vetja, kauza thyen konturet e saj. Në Universitetin e Shkodrës studentët kërkuan dhe e morën të drejtën e mbrojtjes së masterit edhe me mesatare shtatë, kur ishte më parë nëntë. Do të kishte qenë fantastike nëse do të kishte ndodhur e kundërta.
Lëvizja e tashmë studentore ka një premisë të madhe dhe ndoshta të fundit: të bëjë si duhet botën akademike universitare dhe kjo qëndron përtej tetë kërkesave të tyre.
2 A është kauza studentore edhe e qeverisë?
Lëvizja studentore nuk ishte thjeshtë një shuplakë për qeverinë. Ishte shumë më tepër e vazhdon të jetë. Në fakt, ishte goditja më e papritur që e solli atë, pas shuplakave të para, në një gjendje marramendëse.
Rama po përpiqet me të gjitha mënyrat, në çdo formë, me deklarata, ngritje zëri, mbledhje të papritura rektorësh dhe dekanësh, paraqitje televizive, kasnecët e tij politikë, që protestën studentore ta kalojë nga përplasja mes studentëve dhe qeverisë, tek një përplasje mes studentëve dhe vetë universitetit.
Protesta është mes studentëve dhe qeverisë. Njëra palë, të shumtë, ka thënë fjalën e saj. Tjetra, qeveria, e njësuar tek shefi i saj, ende nuk ka thënë asgjë. Ka pranuar kauzën, duke e refuzuar atë.
Trimërimi i sotëm, pa shkak, i qeverisë, është në fakt dobësia e saj.
Qeveria e tashmë fillimin e kësaj lëvizje e priti qetësisht, gjithnjë duke menduar me naivitet se kjo është thjeshtë punë ngelësish. Shefi i saj, ndërsa bënte këtë deklaratë, mendoi se pas kësaj do të fillonte shkrirja e saj. Tani, edhe ai e di se ka qenë thellësisht i gabuar.
Kauza studentore nuk ka qenë edhe kauzë e qeverisë. Janë dy të kundërta që u ndeshën befasisht, në një kohë të papritur, por përplasja është e ndjeshme.
Për herë të parë ndodh e pazakonta: studentët kanë adresuar tetë kërkesa dhe nuk kërkojnë dialog. As negociata.
Perceptimet janë të kundërta: qeveria, përmes dialogut ka synimin e saj më tepër politik se sa akademik: ajo merr rolin e primarit dhe përmes kësaj lëvizje krijon mjedisin e një lëvizje tjetër reformuese, ndoshta deri në themel, por që mund të shkatërrojë edhe atë që është ndërtuar.
Perceptimi qeveritar, këmbëngulës deri në asgjësim, për të përmbushur kushtet vetëm pas diskutimeve apo negociatave, si një mundësi që lëvizjen studentore ta kthejë në funksion të qëndrimit të saj për të ardhmen e universitetit, ka gjetur heshtjen e protestuesve, ose më saktë, refuzimin. Kjo është e papritura më e madhe për qeverinë, që ndërsa pohon se kauza është e njëjtë, kërkon t’i shtojë asaj kauzën e vet, e cila as nuk është e njohur dhe as nuk mund të perceptohet kaq lehtë.
Gjendja e studentëve është ditur nga qeveria. Janë dhjetëra mekanizma të saj që e përcjellin këtë gjendje. Nëse nuk e ka ditur, ka bërë faj të madh; por edhe më keq kur e ka ditur dhe nuk ka ndërhyrë. Në pesë vite qeverisje dhe duke bërë reformën e saj arsimore, për studentët është thënë shumë dhe është bërë pak, nganjëherë aspak.
Refuzimi studentor është lodhja nga fjalët. Nga lodhja po kalohet në mosbesim dhe nga mosbesimi shumë shpejt mund të kalohet në revoltë.
3 A është kauza e studentëve edhe e opozitës?
Për opozitën e tashme lëvizja studentore ka qenë e papritura më e madhe. Në fakt studentët kanë qenë gjithnjë një gur i përkohshëm në lojën e tyre të shahut.
Të zënë me reagimet spontane , si te Astiri apo me përgjimet babaliste, opozita asnjëherë nuk i kushtoi vëmendje studentëve dhe jetës së tyre.
Në të kundërtën, që nga krijimi i saj, opozita shqupase ka qenë përfituese e madhe dhe realizuese e vogël e lëvizjes studentore. Shembujt që dolën më pas, në ditët e fundit, për përvetësimet e pronave studentore nga liderë të opozitës, deri në familje presidenciale, tregtimi i ideve dhe fshehja pas së vërtetës, e bëjnë të barazlarguar, ndoshta edhe më tej të larguar, opozitën nga kauza studentore.
Nëse kjo lëvizje do të kishte ndodhur fill pas hedhjes në erë të fabrikës së vdekjes në Gërdec, studentët do të ishin përballur jo me një ftesë për diskutim, por me një harbutëri agresive, e cila mund t’i kishte kushtuar edhe jetë njerëzore. Shembujt nuk janë të largët.
Pas dy tri ditëve të para, ku gjithçka ishte një befasi, opozita u kujtua të bëjë kauzën studentore edhe pjesë të saj.
Refuzimi që ato, qoftë PD, qoftë LSI, të jenë pjesë e një kauze të tillë, bërë nga vetë studentët, të cilët, ashtu si shfaqnin mosbesim ndaj shefit të qeverisë, shfaqnin mosbesim, edhe më të madh, ndaj opozitës krijoi një precedent të ri në nj lëvizje, e cila, edhe pse ishte e është politike, nuk ishte partiake. Opozita u gjet jashtë kësaj kauze, po aq sa edhe qeveria.
Të mos të të pranojnë kur je në qeverisje është e kuptueshme, sepse pikërisht kundër qeverisë po protestohet; por që të të mos pranojnë kur je në opozitë, është e mjerueshme.
Opozita ishte dhe është e pabesueshme, pasi nuk ishte dhe nuk është një opozitë e re, e panjohur, e dalur nga revolta, por një opozitë që gjysmën e kohës kishte qenë në pushtet, që kishte injoruar, po aq sa edhe qeveria e tashme, studentët dhe lëvizjet e tyre, megjithëse ishte më tepër se kushdo tjetër në borxhin e tyre.
Ndërsa qeveria pret që studentët të qetësohen dhe të bien në ujdi me të, duke marrë dafinat e qetësimit dhe të reformës, opozita synon vazhdimin e protestës deri në stërlodhje, duke marrë një bonus prej saj, të cilin nuk e merr dot vetë: rrëzimin e qeverisë përmes studentëve, krijimin e një qeverie teknike, zgjedhje të parakohshme politike dhe riardhje në pushtet.
Nëse studentët kanë si finish jetën e tyre dhe një arsim ndryshe, pozitë dhe opozitë shohin në fundin e vrapimit drejt studentëve finishin e pushtetit.
Ndaj nuk janë të besuar dhe nuk mund të kenë kauzë të përbashkët me studentët. Të dyja palët janë të larguara dhe, ndoshta, një ditë, mund të jenë të leçitura.
Të gjithë po përpiqen të përfitojnë nga studentët: qeveri, opozitë, forca të reja brenda saj, që mund të jenë edhe ultra të majta, figura të rënduara nga mëkatet, inatçinj të politikës, rektorë të korruptuar deri në palcë, kopjues të temave të doktoraturës, të cilat nuk e kanë hartuar vetë dhe ndoshta as nuk i kanë lexuar; njerëz të dorës së dytë të politikës qeverisëse që mendojnë të dalin në radhën e parë; aspirues për ministra e ministresha.
Të vetmit që nuk po përfitojnë, por që po sakrifikojnë, janë studentët idealistë dhe që kanë një vizion ndryshe për veten. Edhe këto nuk janë të shumtë mes lëvizjes së tyre, por më të vendosurit në idetë që bartin.
4 A është kauza e studentëve edhe e mediave?
Rrallë ndonjëherë një lëvizje e tillë ka pasur pranë vetes median, qoftë vizive, online apo të shkruar. Të gjithë janë aty dhe të gjithë rendin pas saj. Ka një luftë bërrylash se kush të tërheqë në studio më shumë studentë, inate se ku shkoi e ku nuk shkoi shefi i qeverisë; më pas, pedagogë, shumë nga të cilët kanë qenë ndër shkaqet shteruese të krijimit të lëvizjes studentore; dhe, kur nuk u mjaftojnë të gjitha këto, i sulen njëra-tjetrës, me po aq tërbim sa i sulen edhe shefit të qeverisë.
Disa nga analistët e sotëm kanë qenë pjesë të lëvizjes studentore 28 vite më parë dhe natyrshëm mund të kenë dëshirën të shohin një brez që bëri më tepër se ato, vizioni i të cilëve u thye në mes nga shtresa e dytë e komunistëve të zgjedhur nga Alia për të bërë një parti shtesë.
Media, në një shumësi të madhe, më shumë se me kauzën studentore, e ka me agresivitetin dhe negativitetin kryeministror. Të vënë nën të njëjtin emërtim, kazan dhe të etiketuar si pjesë të këtij kazani, mjaft media, duke mbrojtur me të drejtë lëvizjen studentore, gjithçka e kanë përqendruar tek ëndrra e vjetër e rrëzimit të Ramës nga pushteti. Për to kjo është më e vlefshme se çdo kauzë studentore.
Media serioze e kanë bërë të veten kauzën studentore. Droja është se, duke u nisur nga roli i protagonistit, ata të kontribuojnë në prishjen e saj.
5 A është kauza studentore edhe e njerëzve të zakonshëm?
Në fakt, këto janë më afër studentëve se të gjitha partitë sëbashku. Në Shqipëri ka rreth 140 mijë studentë, një numër i frikshëm për vetë popullsinë në Shqipëri. Çdo vit, nga universitetet shqiptare i afrohen tregut të punës rreth 20 mijë të diplomuar. Një shifër që nuk e përballon dot tregu i punës. Nganjëherë ai nuk përballon as një të njëzetën e të diplomuarve. Në pesë apo gjashtë vite tregut i afrohen më shumë se 100 mijë të diplomuar. Në një vend pa industri, qoftë edhe të lehtë dhe përpunuese, ku financimet më të mëdha janë për rrugë dhe ndërtime, ku ndërmarrjet më të mëdha janë për prodhime të veshjeve, çfarë do të ndodhë me studentët?
Ku do të punojnë ata? Kjo është pyetja që trazon prindërit e tyre. Cilin nivel të dijeve kanë përvetësuar? Janë të aftë për tregun e sotëm, apo gjithë çfarë kanë shpenzuar për arsimimin e tyre do të shkojë për një kamerier?
Në dy javë protestë solidariteti i njerëzve të zakonshëm ka qenë sporadik, dhe e gjithë kjo ndoshta nga besimi se kjo është lëvizja e studentëve dhe se ata, studentët vetë, do mund ta çojnë deri në fund.
Megjithatë, edhe pse lëvizja studentore ka një masivitet të pazakonshëm dhe përkrahje politike të zhurmshme, por të pa frytshme, ajo ende nuk ka trokitur si duhet tek njerëzit e zakonshëm.
Ndoshta njerëzit duan kthimin e besimit.
Së fundi:
A ka vend për dialog?
Nëse nuk ka vend për negociata, vendi për dialog është gjithnjë. Të shkosh në dialog nuk do të thotë se trembesh dhe as se je lodhur. Nuk do të thotë që të dërgosh studentët në shtëpi dhe një trupë drejtuese, që po ravijëzohet gjithnjë e më shumë, të jetë mendimi yt.
Sa më gjatë të jetë kjo gjendje, e ngrirë dhe e tensionuar, aq më lehtë do të depërtojë loja partiake dhe aq më shumë mund të humbasë pavarësia politike e një lëvizje që, edhe pse nuk duket se do të përmbysë një klasë politike të çoroditur, plangprishëse dhe të korruptuar, mund të bëjë atë që ka humbur në thellësi të vetëdijes: shpresën dhe besimin.
Leave a Reply